4 tonelatat e drogës të kapur në Itali u ngarkuan në det të hapur

Katër tonelatat e drogës së bllokuar tri ditë më parë nga Guardia di Finanza dyshohet se janë ngarkuar nga trafikantët shqiptarë në det të hapur. Ende nuk dihet se në ç’rrethana është ngarkuar lënda narkotike e kapur në jahtin e drejtuar nga Flamur Mema.
Ky i fundit është pronar i një peshkarexhe në Durrës. Në mjetin lundrues që ai drejtonte u kapën 4 tonë kanabis, ndërsa hetuesit dyshojnë se ajo mund të jetë transportuar në det të hapur me mjete lundruese si gomone apo skafe. Bashkë me Memën, u kapën Erinaldo Mezhika dhe Elidon Vladi.
Pala italiane është shumë e rezervuar për të dhënë më shumë informacion për homologët e tyre shqitarë nga frika e mundshme e dekonsperimit të aksionit, i cili vijon ende. Po kështu edhe hetimet vijojnë paralelisht edhe në vendin fqinj të Malit të Zi, pasi edhe aty ka persona të dyshuar se mund të jenë implikuar në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vlera në total e drogës, e cila do të shitej përtej brigjeve të Adriatikut do të mbërrinte në shifrën e 40 milionë eurove.
Një ditë më parë, Guardia di Finanza shpërndau pamjet filmike të ndjekjes së jahtit me 4 tonë drogë sekuestruar prej tyre. Pasi u ndoqën për disa orë 3 shqiptarët u dorëzuan. Mjeti u ankorua në Bari ku u shkarkua lënda narkotike nga policia italiane.
Analizat laboratorike të marijuanës kanë vërtetuar se sasia e drogës së sekuestruar është e një cilësie mjaft të mirë. Edhe pse sasia e sekuestruar është vlerësuar të ketë një vlerë rreth 40 milionë euro, cilësia e lartë e saj mund të sillte për organizatat e trafikantëve një përfitim prej 100 milionë eurosh. Prokurorja Francesca Pirrelli në konferencën për shtyp ka deklaruar se, “po hetohet mbi pronarin e jahtit të sekuestruar, i cili rezulton me kalime të ndryshme pronësie mes Shqipërisë e Malit të Zi”.
Sasia e drogës ishte e konfeksionuar në pako me ngjyra të ndryshme që sipas financiarëve italianë ka të bëjë me klientët e klaneve të ndryshme që do të merrnin në dorëzim lëndën narkotike. Për autoritetet italiane kjo sasi e madhe droge e sekuestruar është një tregues se ky është një biznes jo në nivel province, por shumë më i gjerë.
Autoritetet italiane thonë se kanë nisur hetimet për zbardhjen e bashkëpunëtorëve të këtij grupi kriminal trafikantësh. Sipas autoriteteve italiane që nga fillimi i 2017 janë sekuestruar 28 tonë lëndë narkotike.
Pak ditë më parë, policia italiane sekustroi edhe 2.3 tonë kanabis të tjera që ishin shkarkuar në brigjet e Pulias, ndërsa skafistët mundën t’i shpëtonin prangosjes së rojes bregdetare italiane.

Artikulli paraprakZharrëza pa dëmshpërblim, banorët sërish në protesta
Artikulli tjetërDhunohet mjekja në qendrën shëndetësore