Letër ushtarit të mirë Shvjek

Nga Agim Baçi

Marr guximin t’ju shkruaj e të kërkoj prej jush disa mendime. Në mendjen time ju jeni gjithnjë njeriu që më shkaktoni buzagazin e duhur. Por, ndoshta, juve vetë s’ju pëlqen kjo pozitë përballë nesh, lexuesve. Ndoshta s’ju ka pëlqyer as mënyra se si ju shohin, apo s’keni menduar kurrë se do të jeni etaloni i buzëqeshjes.

Ju lutem, thomëni, nëse do të mundeni, a ju shqetëson fakti se në jetën tuaj nuk ju kanë marrë kurrë seriozisht? Në të gjitha rileximet e mia, prej vitesh, unë kam kërkuar pa reshtur çastin kur ju do të merrni seriozisht gjërat rreth jush e do të tregoni se çfarë ka qenë vërtet e rëndësishme tek ju.

Ndoshta mund të prisja sërish. Por ja që padurimi im bëhet shkak për këtë letër, për t’ju pyetur drejtpërdrejtë. Nuk dua t’jua fsheh se nevojën time për t’ju shkruar e ka ushqyer edhe dëshira e përhershme brenda meje për të mësuar përvojën tuaj në mes të betejës, kur ishit ballë armikut. Më ka mbetur në mendje teksa edhe tek armiku kërkoni mirëkuptimin, kur i kujtoni në mes të krismave të mos harrojnë se ka “njerëz në të dyja anët”.

Falmëni që mora guximin t’ju drejtohem me këtë letër, ndoshta në një kohë të papërshtatshme. Por, lutem, më jepni mundësinë të mësoj prej jush disa mendime për gjithçka që ju pyeta.
Ju keni qenë gjithnjë, që pas leximit të parë, shkëndijë e buzëqeshjes sime. Sa herë që nuk mundesha të shkoja më tej me një rrëfim tjetër, sa herë kisha nevojë të takoja kockat e mia me atë çlirim që i jep buzëqeshja, kthehesha tek ju, duke nisur një udhëtim me jetën tuaj. Ndaj, besomëni se përgjigjja juaj do të ma shtojë edhe më shumë kënaqësinë që gjithnjë më keni falur në çdo lexim.
Agimi!

Përgjigje pa letër
(Fjalë të thëna në këmbë në lokalin “Te gota”. Dëshmitarët e pranishëm më sollën këto fjalë të Shvejkut për të cilat, pasi i dëgjova disa herë, krijova bindje se janë pikërisht vetëm nga ai)

Dëgjomëni t’ju them një histori të padëgjuar. Një djalë me emrin Agim më ka shkruar një letër. T’ua them hapur, nuk di pse nuk ma ka ënda t’i shkruaj. Jo se nuk kam laps apo letër. Jo se nuk kam talentin t’i rreshtoj mendimet e mia e t’i përcjell me postën më të parë, edhe pse jashtë gjithnjë ka një motiv për luftë. Por këtij Agimit dua t’i them se ndonjëherë për të vërtetat nuk nevojiten kartat, sepse asnjë bojë nuk arrin t’i rreshtojë gjërat e duhura, përveç zemrës.

Nuk di pse Agimi ka marrë guximin për të më shkruar. Por ja, unë do t’i rrëfej këtij Agimit të panjohur se unë e humba kureshtjen për të qenë serioz. Prezantimi im si idiot më dha mundësinë të njihja njerëz me fytyrën e tyre, ashtu si ju apo atij nuk ju ka rënë apo nuk do t’ju bjerë ndoshta rasti kurrë në jetë t’i njihnit.

Nuk di pse Agimi më pyet se përse nuk u bëra serioz? Po a e di ai se shumë persona ruajnë një maskë në fytyrë, duke besuar se do t’i marrin për të zgjuar? E kështu shpesh humbin rrugën për të gjetur gjërat të cilat i bëjnë të ndihen vetvetja, të ndihen mirë. Kur janë me veten, do të donin të hidheshin përpjetë, të loznin si fëmijë, të bënin shaka e të gajaseshin. Mirëpo ja që u duhet të mbajnë një fytyrë tjetër, a thua se e qeshura është armik me njeriun. Agimit unë do t’i thosha se kush di të qeshë, ka shanse të kuptojë edhe të qarën. Kush di të qeshë, di të zgjasë dorën. Kush i dhuron dikujt një buzëqeshje, mundet që të mbetet mik, të paktën në zemrën e tij.

Eh, Agimi më pyet se përse nuk jam serioz? Po kush më la mua mundësinë të jem serioz? Tani që ma kërkojnë, as unë nuk e dua. Nuk kam nevojë më, sepse nuk do të më japë asnjë mundësi të njoh më shumë sesa njoha në jetën time. Nuk më duhen maskat. Ndërsa fytyrat arrij t’i shquaj, sepse nuk e fshehin dritën… Kjo është lufta e vërtetë, e jo ajo me armikun përballë.
Agimi duhet të mësojë se armiku nuk të vret, por ai të jep mundësinë të jesh dikush për atdheun. Ndërsa ai tjetri, – ai që nuk arrin t’i shquash ngjyrën e vërtetë të syve, të zërit, të fjalës – ai po, është armiku që të lë pa frymë.

Këtij djali të çuditshëm që më shkroi dua t’i them se zemra ime nuk kërkon të mbetet vetëm peng i letrës. Ajo rreh, ajo jeton, ajo të mban gjallë. Atë e furnizon buzëqeshja, ndaj dhe unë ndihem i lumtur nëse në jetën tënde kam qenë burim i qeshjeve të kujtdo.

Ah, harrova, do të më bëhej qejfi nëse Agimi do ta kuptonte se humori është gjëja më serioze në botë! Si thoni, t’i them të më shkruajë sërish, pas lufte, në të njëjtën adresë?
Ndoshta s’do të ndihet mirë që nuk i shkrova. Por e di që fjala ka këmbë e deri tek ai do të mbërrijë. Hahahaha

Artikulli paraprakBeteja e fundit me SPAK, e trimave legjendarë dhe benefitarë!
Artikulli tjetër“Baba Zylfo Turani (Martir i kombit)”, një monografi që duhet lexuar