18 qershori ka rënë politikisht dhe ligjërisht

Paralajmërimet e forta të Kryetarit të opozitës, Basha ditën e djeshme paradite kanë qenë një provë për vendosmërinë e lëvizjes popullore për t’u përballur në Kavajë me mohimin e opozitës për të qenë pjesë e zgjedhjeve. Në orët e pasdites Rama është tërhequr.
“Nga Kavaja do të nisë marshimi i pandalshëm i bashkimit popullor”, u shpreh Basha ndërsa Rama nuk kishte marrë ende vendimin e tërheqjes. Kryetari i opozitës Basha kishte paralajmëruar se të dielën të gjithë shqiptarët dhe miqtë tanë të huaj do të merrnin vesh lajmin e rënies së Republikës së vjetër. Basha e ka konsideroi përballjen e Kavajës si stacionin e parë.
“Ne jemi gati dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitojë Republika e re, është Kavaja. Përballja e parë është dita e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demokracisë, në Kavajë.
Nga Kavaja le të përhapet lajmi i mirë kudo se Republika e vjetër është një tigër letre, është një grusht kriminelësh, pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh. Ditën e dielë, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo mik i huaj, dashamirësit e shumtë të Republikës së re dhe kundërshtarët e paktë, se më 7 maj Republika e vjetër rrëzohet në Kavajë”, tha Basha dje paradite.
Kryetari i PD kishte paralajmëruar një bashkim historik të shqiptarëve nga Kavaja. “Për fatet dhe të drejtat e shqiptarëve, për fatin dhe të drejtat e çdo kryefamiljari dhe çdo kryefamiljareje, për të ardhmen e çdo të riu dhe të reje, për të ardhmen e çdo fëmije shqiptar le të bashkohemi të dielën në bashkimin më të madh popullor. Në përballjen paqësore, por të vendosur që të shënojë simbolikisht rënien e Republikës së vjetër dhe themelin e parë të Republikës së re”, tha Basha.
Askush nuk do të mundë të nëpërkëmbë më Kavajën me banda të krimit dhe të drogës. Mesazhi është i qartë dhe do të shpaloset të dielën.
“Nuk do të lejojmë krimin, drogën, Rroshin dhe kaposhin që të nëpërkëmbë Kavajën. Ne do të jemi të gjithë aty, përmes pjesëmarrjes, përmes bashkimit, përmes vendosmërisë le të diktojmë agimin e Republikës së re. Zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja tregojuni botës dhe Shqipërisë ku do të jemi ditën e dielë? (Protestuesit: Kavajë!)”, ishte mesazhi i djeshëm nga çadra e protestës.
Kryetari i opozitës e konsideroi protestën e së dielës në Kavajë një marshim popullor, të cilin nuk do të mund ta ndalë askush. “Sot, ndryshe nga 77 ditë më parë, Republika e vjetër nuk është më zoti i fateve të shqiptarëve. Sot, ndryshe nga 77 ditë më parë, nuk e ka të lehtë t’i shtypë, vjedhë, mashtrojë dhe poshtërojë shqiptarët një e nga një, familje me familje. Sepse shqiptarët janë bashkuar dhe ushtria paqësore e Republikës së re po nis marshin e saj të pandalshëm.
Ne do të marshojmë të bashkuar qindra mijëra shqiptarë.
Ne do të marshojmë për Republikën e re. Ne do të marshojmë që brenda 4 viteve të para të Republikës së re, asnjë pension të mos jetë më pak se 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Pra, që pensioni minimal të jetë 250 mijë lekë të vjetra në muaj. Ne do të marshojmë për taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan. Ne do të marshojmë për çlirimin e biznesit të vogël dhe mbylljen në kazerma të taksidarëve dhe inspektorëve të shtetit. Ne do të marshojmë për një ligj të ri për arsimin e lartë, në mënyrë që çdo bir dhe bijë shqiptare t’i mundësohet arsimi i lartë pavarësisht prej pamundësisë ekonomike. Ne do të marshojmë për të shembur krimin dhe drogën dhe oligarkinë që kanë kuçedrat që përpijnë ditë për ditë paratë dhe shpresat e shqiptarëve në Republikën e vjetër”, tha Basha.

Zëri i protestës, i vetmi që dëgjohet në Europë e SHBA

Mbështetja për opozitën jo vetëm që tashmë është në rritje, por për kryetarin e opozitës, Basha sot është i vetmi zë që dëgjohet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Basha e bëri deklaratën vetëm pak minuta pas një tjetër takimi të suksesshëm me ministren e Jashtme të Suedisë, e cila deklaroi publikisht se vendi duhet të ketë zgjedhje të lira me opozitës dhe jo pa përfshirjen e opozitës. Zërat në mbështetje të kauzës popullore për zgjedhje të lira janë shtuar gjatë ditëve të fundit. Vendet e Bashkimit Europian po deklarojnë mbështetje të plotë për kauzën e zgjedhjeve duke injoruar edhe zërat e veçuar dhe keqinformues nga Tirana.
“Asgjë nuk është më si më parë. Që nga ajo ditë e bekuar e bashkimit të 18 shkurtit, javë pas jave, ditë pas dite, sakrifica, kurajoja, vendosmëria juaj, shembin njëri pas tjetrit fasadat e shëmtuara të Republikës së vjetër. Bota mbarë e pa, e pranoi, e njohu vuajtjen e një kombi të tërë, thirrjen e një shoqërie të tërë për t’u ngritur bashkë kundër drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar.
Sot, në takime si ky që sapo mbarova me një nga ministret e Jashtme kryesore të Europës, me qindra takime të tjera që kam pasur këto 77 ditë, ajo që nuk pranohej si argument i mirëqenë, sot është fakt i çertifikuar falë jush, falë qëndresës suaj, të këtij bashkimi.
Zëri juaj i bashkuar, e vërteta juaj e bashkuar, është sot e vetmja e vërtetë që njeh Europa, Amerika dhe mbarë bota. E gjithë bota e di siç e dimë ne të gjithë këtu se zgjedhje të lira ku qytetarët të mund të shprehin vullnetin e tyre pa asgjësuar problemin e krimit në pushtet dhe drogës, nuk mund të ketë. E gjithë bota e di se krimi dhe droga janë përgjegjësia dhe projekti politik i qeverisë dhe kryeministrit të fasadës. E gjithë bota ashtu si çdo shqiptar se zgjidhja mund të vijë vetëm duke marrë në dorë fatin e zgjedhjeve me një qeveri teknike që do të luftojë krimin dhe drogën dhe do të mundësojë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.

77 ditët e një proteste historike të pandalshme

Çdo agorë ka rrezatimin e vet të bukurisë, mençurisë, fisnikërisë, fytyrës dhe shpirtit europian të popullit shqiptar. Por agorat më të bukura janë pa dyshim, agorat e rinisë, agorat e shpresës që po lind me rininë shqiptare, me të rejat dhe të rinjtë shqiptarë, shpresën dhe vendimin për Republikën e re.
77 ditë pagëzojnë rekordin historik të kësaj lëvizjeje popullore qytetare, të këtij bashkimi kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për Republikën e re. 77 ditë që kanë ndryshuar Shqipërinë sot, 77 ditë investim në të ardhmen që po vjen, Republikën e re.
Nga honet e errëta të dëshpërimit, të induktuar nga krimi, droga dhe arroganca qeveritare, nisi bashkimi dhe marshimi ynë i madh i 18 shkurtit. U mblodhën qindra mijëra shqiptarë këtu në këtë shesh, në këtë agorë e deri tek Sheshi Skënderbej, së bashku për të marrë siç kishim paralajmëruar, një vendim të madh. Një vendim të madh, që koha dhe vuajtjet dhe shpresat e shqiptarëve, e thirrën në shesh. Vendimin për të mos ulur më kokën para arrogancës, padrejtësisë dhe hajdutësirë, për të mos u trembur më nga krimi në pushtet dhe pushteti i inkriminuar, vendimin për t’i thënë jo republikës fasadë, teatrit të kukullave, për të refuzuar komplotin politik dhe ekonomik, që luhet tash 4 vite në kurriz të shqiptarëve. Vendimin, për të mos pranuar zgjedhje fasadë të diktuara nga krimi dhe nga droga. Vendimin, për të mos u bërë më as alibi e as fasadë e Republikës së vjetër, vendimin për të marrë fatin tuaj në duart tuaja e kështu për të marshuar drejt një Republike të re të qytetarëve shqiptarë, të djathtë e të majtë, por të lirë e të vendosur për fatin e tyre europian.

Opozita e bashkuar, mazhoranca si “zogjtë e korbit”

Një fitore e madhe për opozitën është bashkimi që ajo ka arritur. Janë përpjekur në këto 77 ditë ta përçajnë opozitën për të ndihmuar Ramën, por nuk kanë mundur. Kauza e zgjedhjeve të lira ka qenë më e fortë se pazaret e ofruara, nga pushteti dhe klientela e vet.
“Sot, nga kjo agorë, nga ky bashkim i madh qytetar, është rasti të shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj çdokujt qytetar dhe faktor politik, që qëndruan bashkë në këto 77 ditë dhe javë pas jave, ditë pas dite duke rrëzuar fasadën e Republikës së vjetër. Ne vendosëm se: zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk mund të ketë. Opozita qëndroi e bashkuar, qëndroi e bashkuar siç ua dha fjalën ju dhe këtij bashkimi të madh e të paprecedent qytetar. Opozita qëndroi e bashkuar dhe refuzoi regjistrimin me një fasadë të shëmtuar elektorale të diktuar nga krimi dhe droga”, tha Basha.
Ndërsa opozita është e bashkuar, e kundërta ndodh me mazhorancës. Basha thotë se ajo është e përçarë dhe e ndarë si zogjtë e korbit, ndërsa deklaron se 18 qershori është një datë, e cila ka rënë politikisht dhe ligjërisht.
“Të përballur me forcën tonë, të përballur me forcën tuaj, edhe partitë qeveritare nuk ia dolën të regjistronin koalicionin e tyre dhe sot një gjysmë koalicioni i shpërndarë si zogjtë e korbit, është prova më e qartë, bashkë me dështimin për t’u regjistruar sipas datës zgjedhore se, 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht. Por ndonëse rënia morale, politike dhe ligjore e 18 qershorit është sot një fakt i konfirmuar nga të gjithë, Republika e vjetër po bën gjithçka ta ndalë apo ta ngadalësojë vrullin e bashkimit popullor që është nisur drejt destinacionit tonë përfundimtar, Republikës së re.
Arsyet janë të qarta: ata janë një grusht njerëzish me në krye Edi Ramën, ata janë roshët dhe bushët dhe nushët me shokë, kriminelë, oligarkë dhe politikanë të korruptuar, të cilët në vetëm tre vjet iu vodhën shqiptarëve, vetëm nga buxheti 2.8 miliardë euro.
Kjo është arsyeja, pse studentët shqiptarë, pse prindërit e tyre duhet të paguajnë tarifa më të larta nga viti në vit. Kjo është arsyeja, pse shërbimi shëndetësor është në ditët e tij më të zeza dhe pacientët e familjarët e tyre duhet t’i blejnë ilaçet që duhet të garantoheshin nga taksat e tyre. Kjo është arsyeja se pse pensionet shqiptare kanë ngelur aty ku ishin, se fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë, pse me të njëjtat para mund të blesh më pak, pse faturat janë rritur, pse taksat janë rritur dhe gjitha këto para janë në xhepat e Republikës së vjetër”, tha Basha.

Të rinj dhe pedagogë në sheshin e lirisë

Në hapje të agorës, studentja e Fakultetit të Drejtësisë, Aishe Isha, tha se, “Ligji për arsimin e lartë po shkel me të dy këmbët aspiratën e mijëra maturantëve shqiptarë për shkollim dhe edukim. Ata sot ndihen të zhgënjyer dhe të nëpërkëmbur nga premtim-mashtrimet e ministres Nikolla dhe Edi Ramës”.
“Më 7 maj, në Kavajë tha ajo, Republika e vjetër, e cila ka shkatërruar Shqipërinë në këto vite, do të marrë leksionin e lirisë dhe demokracisë së vërtetë”.
Enxhi Turtulli u shpreh se në Shqipëri me ministra e kryeministër të kapur nga krimi dhe droga, nuk mund të ketë investime dhe vende pune sepse ata kanë ngritur vetëm ekonominë e drogës dhe të korrupsionit.
“Sot nga çadra, shtëpia e të gjitha shqiptarëve, ku të vërtetat thuhet siç janë dhe jo të shtrembëruara nga propaganda e qeverisë, unë u them atyre që mendojnë se Shqipëria nuk bëhet, PO, Shqipëria bëhet! Bëhet vetëm me Republikën e re dhe me Lulzim Bashën. Sepse Lulzim Basha e do Shqipërinë dhe do të punojë për të. Pas Kavajës më 7 maj, është radha e të gjithë qyteteve shqiptare për t’u kthyer qytetarëve dhe normalitetit të lirisë dhe ligjit”, tha Turtulli.
Pedagogu i Universitetit të Durrësit, Redi Myshketa në mesazhin e tij tha se, kjo ditë është një himn për të reflektuar për sakrificën e patriotëve, luftëtarëve të lirisë, për dhembjen dhe vuajtjen e mijëra heronjve të heshtur të diktaturës që besuan tek Shqipëria e lirë dhe demokratike. Duke cituar filozofinë e një prej intelektualëve më të mëdhenj hebrej që i ka mbijetuar holokaustit, Delei, pedagogu Myshketa bëri apel për rrezikun e indiferencës së shoqërisë në udhëkryqin ku gjendet vendi.
“Nuk ka qytetarë të virtytshëm, nuk ka qytetarë të lirë dhe intelektualë, nëse do të ketë indiferencë. Ne nuk mund të jemi indiferentë ndaj Shqipërisë që vuan, me problem e halle kaq të mëdha, me drogën, krimin, varfërinë. Të heshtësh në këtë situatë nuk do të thotë tolerancë, por është injorancë, do të thotë të braktisësh veten dhe Zotin që ka secili prej nesh brenda vetes. Indiferenca për një shoqëri është vdekje dhe sot është koha që ne duhet të ringjallim Shqipërinë”.
Ejona Ruko theksoi se më 7 maj, shqiptarët do t’i kthehen Kavajës për liri e demokraci dhe se të rinjtë do të jenë në pararojë të kësaj lëvizjeje, në mbrojtje të votës së lirë.
“Republika e re që do të ngrihet me zgjedhje të lira e të ndershme është shpresa dhe mundësia e vetme për të rinjtë dhe çdo qytetar shqiptar. Vendi i secilit prej nesh më 7 maj, tha ajo, është në Kavajën e rezistencës dhe djep i demokracisë shqiptare”.
Studenti Bruno Kondi tha se të rinjtë besojnë në Republikën e re sepse është sistemi i të gjithëve dhe jo pushtet për Lulzim Bashën.
“Ajo është republikë e besimit dhe e vlerave reale dhe e jo mashtrimeve të parealizueshme siç bëri rilindja e Ramës në këto katër vite. Të rinjtë do të jenë në Kavajë për t’ia rikthyer atë qytetarëve të lirë dhe jo t’ia lënë Kavajën, kriminelëve dhe trafikantëve të drogës”.
Studentet Briselda Coba, Uejda Damjani dhe bashkëmoshatarë të tyre që dhanë mesazhin për ditën e 7 majit në Kavajë, u shprehën se, kjo ditë është shpresë dhe besim edhe për ata qindra e mijëra të rinj që enden rrugëve të azilit për t’u kthyer në Atdhe, ku do të triumfojë Republika e re.
“Me qeverinë e Ramës, reformat, ligjet vendimet, gjithçka ishte dhe është fasadë. Është e dhembshme dhe dëshpëruese të shohësh të rinjtë shqiptarë rrugëve të botës, sepse kanë ikur nga vendi, ku nuk ka shpresë, punë e para. Republika e re do u sjellë atyre liri, alternativë punësimi dhe të drejta për shkollim. Me Republikën e re, e ardhmja dhe siguria e të rinjve është në Shqipëri dhe jo jashtë saj”, u shprehën të rinjtë.
Pedagogu Kreshnik Bello tha se qeveria e Rilindjes ngriti pikërisht Shqipërinë që nuk duhet e që nuk e do asnjeri.
“Një vend ku çdo ditë ka krim, grabitje, vrasje e drogë, kjo nuk është Shqipëria ku duam të rriten fëmijët tanë. Nuk ka zhvillim me votë të dhunuar nga krimi dhe varfëria. Vota e shqiptarëve masakrohet para se të shkojë në kutitë e votimit. Kjo është e vetmja ofertë e Rilindjes për të tashmen dhe të ardhmen. Por shqiptarët nuk mashtrohen më dhe nga ky shesh, rezistenca për liri dhe demokraci është garancia e vetme për zgjedhje të lira e të ndershme. Më 7 maj në Kavajë do të fitojnë shqiptarët, do të fitojë Republika e re”.
Në mesazhin e tij, kryetari i opozitës Lulzim Basha tha se marshimi i Republikës së re ka nisur. Basha siguroi të pranishmit se 7 maji në Kavajë është stacioni i parë i Republikës së re dhe stacioni i fundit i Republikës së vjetër.
“Ne jemi gati dhe stacioni ynë më i rëndësishëm, i pari në këtë betejë finale që do ta fitojë e nesërmja, shpresa dhe e ardhmja, do ta fitoja Republika e re, është Kavaja. Përballja e parë është dita e dielë në kryeqytetin e lirisë, në kryeqytetin e demokracisë, në Kavajë. Nga Kavaja le të përhapet lajmi i mirë kudo se Republika e vjetër është një tigër letre, është një grusht kriminelësh, pushtetarësh të korruptuar dhe oligarkësh. Ditën e dielë, le ta mësojë çdo shqiptar dhe çdo mik i huaj, dashamirësit e shumtë të Republikës së re dhe kundërshtarët e paktë, se më 7 maj Republika e vjetër rrëzohet në Kavajë.
Ndaj, për fatet dhe drejtat e shqiptarëve, për fatin dhe të drejtat e çdo kryefamiljari dhe çdo kryefamiljareje, për të ardhmen e çdo të riu dhe të reje, për të ardhmen e çdo fëmije shqiptar le të bashkohemi të dielën në bashkimin më të madh popullor. Në përballjen paqësore, por të vendosur që të shënojë simbolikisht rënien e Republikës së vjetër dhe themelin e parë të Republikës së re”, tha Basha.

Artikulli paraprakKorrupsioni me tenderat, në pranga zyrtarja e Prefekturës
Artikulli tjetërRepublika e re shënon fitoren e parë