13 maji në histori, 600 mijë në shesh

Ashtu siç ishte paralajmëruar, protesta e opozitës dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kaloi çdo parashikim.  Me qindra mijëra qytetarë nga i gjithë vendi, iu drejtuan Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për t’i treguar Edi Ramës dhe klikës së tij, se zgjedhje pa opozitën në një vend të lirë nuk ka dhe nuk mund të ketë. Ish-kryeministri Berisha do të shprehej me anë të një statusi në Facebook se në shesh janë mbledhur 600 mijë persona aq, Tirana s’mund t’i mbajë. Pjesëmarrja e pazakontë ishte një mesazh për të gjithë ata që mbështesin Edi Ramën në aventurën e tij çmendurake për asgjësimin e opozitës. Ky ishte paralajmërimi i parë, pasi Lulzim Basha premtoi dhe një marshim, atë të tretin që e quajti marshimin final…

Grumbullimi

Protestuesit filluan të grumbulloheshin dikur rreth orës 10:30 dhe turmat vërshonin nga të gjitha rrugët e Tiranës. Të qetë, ashtu siç kishin premtuar. Ata njerëz që ishin prezent, e kanë parë se grumbullimi ka filluar shumë më shpejt se herët e tjera, çka tregonte se pjesëmarrja do ishte e jashtëzakonshme. Dikush tha 500 mijë e dikush 600 mijë, por kjo pak rëndësi ka. Ajo çka u vu re ishte fakti se, prezenca e protestuesve në këtë tubim e shprehur në shifra ishte diku tek 30% më shumë se protesta e 18 shkurtit, çka tregon dhe trendin në rritje të protestuesve, dhe padurimin e njerëzve për të përmbysur këtë klikë që ka marrë peng vendin. Natyrisht, tek drejtuesit e opozitës me të drejtë ekzistonte shqetësimi se turma mund të dilte jashtë kontrollit jo vetëm për shkak të numrit të pazakontë të tyre, por edhe për shkak se kanë një mijë e një arsye për ta përmbysyr me të gjitha format këtë regjim që i varfëroi, i poshtëroi dhe çdo ditë e më shumë po u varros të ardhmen e fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, më shumë se 2600 persona ishin angazhuar për të mbajtur nën vëzhgim dhe mos lejuar asnjë incident apo veprime dhune në adresë të forcave të rendit.

Basha me fëmijët

Kulmi do të arrinte pak minuta përpara se ora të shkonte 12:00. Turmat nga e gjithë Shqipëria ecnin në drejtim të Kryeministrisë, përpara çadrës së lirisë ku ishte ngritur dhe podium i folësve. Nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim ishin të gjithë dje aty, jo vetëm për të dëgjuar mesazhin që do jepte kreu i opozitës, por edhe për të treguar se ata janë aty, ata qëndrojnë aty. Shumë prej tyre, kishin marrë me vete dhe fëmijët, për t’i treguar atij që ishte ngujuar në Selenicë të Vlorës, se nuk janë aty për të destabilizuar, as për të shkatërruar siç bënte ai me horrat e 21 janarit, por për të protestuar për një të drejtë, mosdhënia e së cilës po u merr frymën me taksa, po u shton çdo ditë e më shumë varfërinë, dhe po u shkatërron të ardhmen e fëmijëve. Ky ishte mesazhi që dha Vlora e Shkodra, Korça e Durrësi, Saranda e Tropoja, dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Lideri  opozitës do mbërrinte së pari në selinë e Partisë Demokratike një orë përpara se të fillonte tubimi. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela dhe dy vajzat, Dafina dhe Viktoria, ai do përshkonte më këmbë distancën nga shtëpia deri në seli të PD. Rreth 45 minuta më pas i drejtohej bulevardit, i  shoqëruar këtë herë dhe nga mbështetësit e bulevardit kryesor. Përveç Bashës në aktivitetin e djeshëm, merrnin pjesë dhe grupi i deputetë të PD-së, që nga ish kryeministri Berisha, i cili preferoi ta ndiqte aktivitetin mes turmës, ashtu edhe Jozefina Topalli, Edi Paloka, Jorida Tabaku etj. Përpara se të merrte fjalën Kreu i PD në tribunë do të ngjiteshin qytetarë të thjeshtë. Taulantia një pedagoge, e cila mori fjalën iu drejtua të gjithëve me mesazhin. “Të dashur qëndrestarë, që e keni shpirtin dhe zemrën në këtë shesh. Ne jemi sot këtu, sepse demokracia ka rrezik të humbasë. Ne jemi sot për këtë togfjalësh që është ngulur thellë në zemrën tonë: Votë e lirë!”, u shpreh ajo.

Populli nuk u tremb

Dje ishte protesta e 13 majit. Njerëzit nuk i trembi as intimidimi që i bëhet tash e kaq ditë. As mediat Fake News të Edi Ramës, për trazira apo skenarë dhune. As dacibaot që drejtoheshin kundër opozitës, nga çakenjtë e brendshëm e të jashtëm, nuk e ndryshuan dot vullnetin e një populli për të protestuar. Pushteti tentoi t’i përdorte të gjitha format, por ata sërish erdhën më shumë se 3 muaj më parë. U shpërndanë qetësisht, duke dhënë mesazhin se janë njerëz që nuk e duan dhunën, nuk e duan stabilitetin dhe nuk ishin aty për t’i dhënë pushtet askujt, por për t’i dhënë frymë demokracisë. Gjithsesi, kreu i PD, Lulzim Basha dha sinjalin se do të ketë dhe një tjetër marshim, dhe siç tha ai, lusim Zotin që ata që po mbajnë peng një vend të tërë t’i thërrasin mendjes. Dje, demokratët ashtu si dhe herë të tjera u shpërndanë qetësisht. Por dhe durimi e ka një kufi.

Rama panik nga protestat, mbush Tiranën me policë dhe vetë ia mbath në Vlorë

Ashtu si dhe herën e kaluar kur iku drejt  Kosovës, Edi Rama nuk ishte dje në zyrën e tij. Kishte sajuar me urgjencë një takim në Selenicë, teksa populli protestonte para zyrës së tij. Por, për t’i ruajtur sigurinë e zyrës, ishte kujdesur ministri i tij i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Rruga mbrapa Piramidës ishte mbushur me uniforma blu, të sjella aty dhe nga rrethet. Forcat Renea, FNSH, Antiterrori i gjithë shteti ishte në këmbë për të mbrojtur metrat katrorë të zyrës së Ramës. Edi Rama nga ana e tij në Selenicë u shfaq me pamje të shfytyruar sa shkoi deri aty, sa e ngatërroi çadrën e lirisë me bunkerin që ekziston në mendjen e tij. Forcat e policisë, ishin pajisur me kundragaz, për të dhënë imazhin se do krijohej destabilitet, ndërsa në tarracat e pallateve nuk mungonin as snajperët. Të gjitha këto imazhe në një protestë ku veç të tjerëve nuk mungonin pleqtë e fëmijët. Nga ajo çka u pa dje u pa qartë frika e kryeministrit, që hiqet trim i madh në rrjetet sociale, por kur vjen koha për t’u përballur me realitetin tregon, se nuk është tjetër vetëm se një burracak që ja mbath nga sytë këmbët, dhe kur populli proteston paqësisht. Siç ndodhi më 18 shkurt kur iku drejt Kosovës, siç ndodhi dhe dje kur shihte i dëshpëruar turmat nëpërmjet TV-ve nga maja e Kaninës.

Qytetarët: Një republikë e re për të gjithë shqiptarët

Një qytetare shkodrane, Edona Staka, vuri në dukje problemin e korrupsionit nën këtë qeverisje, një administratë që nuk të përfill nëse “nuk kërcen Napolonin”, siç u shpreh ajo me ironi. “Ju lus të reflektoni dhe të bëni zgjedhjen e duhur, tha Staka. – Çohuni, na pret një dritë e re plot shpresë, një republikë e re që më në fund ka për të qenë e të gjithë shqiptarëve”, tha ajo. ‘Unë quhem Mirela Qeleshi, mësuese prej 35 vjetësh, tha një tjetër protestuese. “Jam hequr nga puna me argumentin më banal, se drejtori nuk donte të punonte me mua. Më kanë persekutuar, duke më hequr edhe nga një punë e dytë. Njësoj kanë vepruar edhe me bashkëshortin. Kjo është arsyeja pse unë protestoj sot. Por, përpos pushkatimit ekonomik që na bëjnë, nuk ma marrin dot integritetin moral. Në Korçë çdo investim bëhet për një grusht oligarkësh. Aty kontrollohet edhe se çfarë shkruhet në Fb. Ata duhet të na kthejnë edhe ajrin që na kanë marrë dhe të ndërtojmë këtë republikë të re, kjo është e vetmja që mund të na kthejë lirinë”.

Artikulli paraprakMediat e huaja: Protestë e jashtëzakonshme për zgjedhjet
Artikulli tjetërHistoria e Republikës së re u vulos nga bashkimi i madh