11 muaj pa rroga, 1 mijë punonjës drejt Tiranës

Puna dhe pagat në sektorin privat kanë pësuar luhatje të forta në vitet e fundit për shkak të ndryshimit të ciklit të ekonomisë, por për punonjësit e Rafinerisë së Naftës në Fier, ARMO, e cila “falimenton” dy herë në vit, është kthyer në dramë të vërtetë për 1200 punonjësit që kanë të lidhur jetën me të ardhurat që nxjerrin nga puna në rafineri.
Rreth 1000 punonjës të ARMO-s, e cila që prej shtatorit të vitit të kaluar po shfrytëzohet me qira nga kompania offshore, IRTC janë nisur në këmbë drejt kryeqytetit, duke bllokuar funksionimin e pjesshëm të autostradës Fier-Tiranë, me qëllim për të vijuar protestën e tyre para zyrave të qeverisë në Tiranë.
Prej gati një muaji pa punë dhe pa marrë ende rrogën e nëntorit, punonjësit janë nisur drejt Tiranës, ku pritet të përqendrojnë protestën e tyre para ambjenteve të Ministrisë për Infrastrukturën dhe Energjinë, por edhe para lokal Tajvanit, pronari i të cilit është dhe shfrytëzuesi aktual i ARMO-s (sipas ekstraktit zyrtar të IRTC, që prej dhjetorit 2016, administrator i kompanisë është Mitat Sula, vëllai i Besnik Sulës, pronar i Tajvanit).
Burimet nga Sindikata e Punonjësve pohuan se, fillimisht kompania që ka marrë me qira ARMO-n, iRTC (IONIAN REFINING AND TRADING COMPANY) ka anuluar aktivitetin me argumentin se do të zhvillohej remont në rafineri, por teksa kanë kaluar më shumë se tre javë dhe rroga e nëntorit nuk është dhënë, punonjësit janë informuar se aktiviteti ka pushuar.
Qysh kur Rafineria është privatizuar, punonjësit e kompanisë nuk kanë gjetur qetësi. Falimenti i “Taçi Oil” që privatizoi kompaninë nëpëmjet një tenderi ndërkombëtar u pasua me një tranzicion të vështirë për ARMO-n, e cila ka kaluar dorë më dorë me qiradhënie, duke akumuluar një “mal” me detyrime ndaj shtetit dhe punonjësve.
Fatmir Bala është një nga punonjësit që i është bashkuar protestës. Jeta e tijrit ka qenë e lidhur me industrinë e naftës dhe rroga ishte burimi i vetëm të ardhurave për familjen. Tani e ka të vështirë të sigurojë ushqimin e përditshëm për të paguar faturat e dritave dhe ujit dhe nuk po siguron as mbijetesën. Ai ende punon në Pontilin e Vlorës dhe në këto dy vite e fundit ka qenë dëshmitar i humbjes së katër kolegëve. “Ju nuk e dini, punonjësit e ARMO-s nuk e gëzojnë pensionin. Kolegët e mi pothuajse të gjithë kanë vdekur në prag të pensionit dhe ose pak vite më pas. Punojmë në mes të squfurit dhe helmeve. Këta që janë gjallë janë gjithë sëmundje, pinë një barrë ilaçe në muaj”, tha Fatmiri më zë të fikur nga dhimbja.
Meçan Duraj është një tjetër histori tragjike. Ai është një mekanik profesionist dhe la Greqinë pak vite më parë për t’u kujdesur për prindërit e plakur në Fier. Fati e deshi të fillonte punë në ARMO dhe rroga ishte e mirë. Tani ka dy fëmijë të rritur, që ndjekin shkollën e mesme. Ka muaj pa marrë rrogën, shpesh i është dashur t’i vërë kalamajtë në gjumë pa bukë.
Punonjësve në shesh iu ka mbërritur thika në palcë, borxhet për secilin janë 7-10 milionë lekë të vjetra. Ata e dinë që kanë punuar në një kompani private, por bëjnë qeverinë fajtore. Ende sot shteti shqiptar ka në pronësi 15 për qind aksioneve të ARMO-s dhe qeveria duhet të kishte ushtruar kontroll të paktën mbi kompanitë që po e shfrytëzojnë sot e kësaj ditë.
Që nga 2013 deri në mesin e 2015, Azerët kanë përpunuar 650 mije tonë naftë. E kanë shitur të gjithën. Ata e kanë ende në administrim. Ku i kanë paratë pse nuk na paguajnë, thonë punonjësit të dëshpëruar, duke u shprehur se, ARMO është një strumbullar i madh abuzimesh dhe korrupsioni, i qeverisë me kompanitë që e kanë shfrytëzuar, por të paktën të na japin rrogat, shprehen punonjësit.

Artikulli paraprakEksperimenti i Morinjos dështoi
Artikulli tjetërMourinho dorëzohet para milionave të Manchester City