1 milion USD të tjera koncesionarit pa tender për tunelin e Elbasanit

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar Autoriteti Rrugor Shqiptar do të nënshkruante një kontratë mirëmbajtjeje për tunelin e Krrabës që është edhe pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan. Por e gjendur në surprizë me një kontratë që mbaroi në shtator të këtij viti dhe me një tranzicion nëpër institucione si efekt i situatës post zgjedhore duket se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur që të bëjë një shtesë të kontratës deri në një moment të dytë.
Për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion duket se zgjidhja është menduar që të jetë negocimi në tryezë me kompaninë që ka pasur mirëmbajtjen e tunelit përgjatë një viti. Sipas një njoftimi të Agjencisë së Prokurimit Publik bëhen me dije vlerat që do të shkojnë për mirëmbajtjen, por jo afati i shtesës së kontratës.
Kështu vetëm për pjesën e re që fillon nga 29 shtatori 2017 e në vijim vlera e kontratës është mbi 16 milionë lekë shtuar këtu edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Në total kontrata nga fillimi e deri më sot, pra pjesa e prokuruar në vitin 2016 dhe ajo e shtuar së fundmi e çon vlerën në 118 milionë lekë apo mbi 1 milion USD.
Kostoja e mirëmbajtjes së tuneleve nëpër autostrada është relativisht e lartë për shkak të sistemeve që janë të integruara brenda tyre që lidhen me ajrimin apo sigurinë. Përveç tunelit të Krrabës, aktualisht në regjim mirëmbajtjeje është edhe tuneli i Thirrës që gjendet në Rrugën e Kombit, i cili vlerësohet të ketë një kosto më të lartë se ai në Tiranë-Elbasan.
Rama ka vendosur që ta dyfishojë koston e udhëtimit të shqiptarëve nëpër rrugët e vendit. Tiranë-Durrës, Tiranë-Kukës, Tiranë-Shkodër, Tiranë-Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Vlorë etj., s’do të jenë më falas. Qeveria e Ramës ka hartuar një projektplan, i cili pritet të marrë jetë së shpejti. Tarifimi do të jetë rreth 3.5 cent euro për kilometër, çka do të thotë se për të përshkuar 100 kilometra rrugë do të paguhen 3.5 euro ose 500 lekë të reja. Duke llogaritur dhe kthimin, atëherë kjo shifër shkon në 1 mijë lekë ose sa ¾ e konsumit që kërkon një makinë normale karburant për ta përshkuar këtë distancë.

Kostot që prekin të gjithë

Kjo masë nuk do të rëndojë vetëm në xhepat e atyre që kanë automjetet e veta, por do të sjellë dhe një rritje të menjëhershme të kostos së mallrave dhe shërbimeve. Një trajleri, që të vijë nga Kukësi për të marrë prodhimet e Lushnjës për shembull, do të ketë një kosto rreth 1 euro për ton. Një furgon që bën rrugën e Vlorës dy herë në ditë do i duhet të paguajë 20 euro çdo ditë vetëm taksë rruge. Tregtari që bën rrugë në qytetet ndërmjetëse, Fier-Lushnjë, Elbasan–Tiranë ose Lushnjë-Durrës do të ndodhet përpara dy alternativave, ose falimentimin ose ngritjen e çmimeve. Pasojat ende nuk mund të përllogariten, por reaksioni është zinxhir dhe ata që do e vuajnë në kurriz do të jenë qytetarët e këtij vendi, të cilët kanë paguar një herë për ndërtimin e rrugëve. Këto janë masa që prekin të gjithë, që nga fshatari në zonën më të thellë dhe deri tek qytetari hallexhi që me ato pak para i duhet të llogarisë tashmë dhe kostot që i vë në kurriz oligarku i Ramës.

Artikulli paraprakVendimi gjyqësor i vitit 2005 për Habilajn rrëzon pretendimet e Tahirit
Artikulli tjetërFundjavë “e kuqe”