1 miliard euro koncesione për pastrimin e parave të drogës

Konsesionet janë borxhe të pastra për shtetin dhe shoqërinë, por qeveria nuk i regjistron si borxh menjëherë. Skema tipike e pastrimit të parave që vijnë nga ekonomia e zezë dhe kriminale kërkon një kontratë, shërbim, koncesion apo PPP me qeverinë, një bankë që të jetë garante dhe një shtet të paralizuar për t’u mbrojtur nga ndjekja penale
Dyshimet dhe akuzat ndaj këtij projekti lidhen me faktin se, Rama përmes kësaj mënyre i krijon vetes një shteg për të marrë borxhe jashtë sistemit të borxhit publik
Alarmi i FMN për rreziqet që po kërcënojnë ekonominë shqiptare me theksin tek projekti i shpallur nga Rama për 1 miliard euro konçesione është më shumë se sa një shqetësim i ngritur në parim. Deklarata e Ramës që një vit më parë për dhënien e 1 miliard euro konçesioneve shkaktoi jo pak debate dhe ngriti shumë dyshime. Dyshime të cilat fondi Monetar Ndërkombëtar i përforcoi edhe më shumë mbrëmjen e së hënës. Shqetësimi i FMN vjen pas vizitës së zhvilluar jo më larg se një javë më parë në Shqipëri, ku takime të veçanta mes drejtuesve të lartë të FMN u zhvilluan me liderët kryesorë politikë dhe institucionalë në vend. Në takimin me kreun e PD, Basha denoncoi para drejtuesve të FMN skemat korruptive të konçesioneve dhe projektit prej 1 miliard euro. “Shqetësues është dhe projekti i 1 miliard euro koncesione që qeveria ka lançuar, ku do të kemi përqendrim të fondeve publike dhe në më pak duar, por ajo që është akoma më shqetësuese është ndikimi që do të ketë tek borxhi publik”, është shprehur Basha. Dyshimet dhe akuzat ndaj këtij projekti lidhen me faktin se, Rama përmes kësaj mënyre i krijon vetes një shteg për të marrë borxhe jashtë sistemit të borxhit publik. Konsesionet janë borxhe të pastra për shtetin dhe shoqërinë, por qeveria nuk i regjistron si borxh menjëherë. Sipas një denoncimi të Ylli Manjanit në lidhje me këtë projekt, kjo skemë e ngritur nga Rama nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të pastruar paratë e krimit dhe drogës. Sipas tij, skema tipike e pastrimit të parave që vijnë nga ekonomia e zezë dhe kriminale kërkon një kontratë (shërbim, Koncesion apo PPP) me qeverinë, një bankë që të jetë garante dhe një shtet të paralizuar (për t’u mbrojtur nga ndjekja penale). “Oferta në shuma të tilla u vijnë gjithmonë qeveritarëve. Njerëz të ndryshëm me ose pa kravatë shfaqen gjithmonë nëpër zyra ministrash e kryeministrash me ofertën “kam para, por dua t’i investoj, mundësisht në infrastrukturë”. Deri më sot, qeveritë tona i kanë refuzuar këto oferta, sepse ishin pastrim parash”, shprehet Manjani në lidhje me projektin e Ramës për dhënien e 1 miliard eurove koncesione.

Plani i Ramës për koncesionet me rrugët

Rama e ka mirëmenduar gjithë skemës se si do të ndajë 1 miliard euro koncesionet, ndërsa të gjitha i ka kopsitur në një plan projektet që kanë të bëjnë kryesisht me ndërtimin e akseve të ndryshme rrugore. Plani i qeverisë për të investuar në infrastrukturë rreth 1 miliard euro nëpërmjet formës koncesionare me Partneritet Publik-Privat, flitet se do të përfshijë të paktën pesë projekte të mëdha rrugore. Sipas burimeve të “Monitor” nëpërmjet kësaj skeme do të financohet ndërtimi i rrugës së “Arbrit”, rruga Kardhiq-Delvinë, aksi Durrës-Plepa, dhe aksi Thumanë-Vorë-Rrogozhinë. Pjesë e kësaj paketë është edhe ndërtimi i unazës së madhe të Tiranës. Katër nga pesë projektet kanë nisur të paktën 6 vite më parë, por punimet kanë ngelur në fillesa, pasi qeveritë nuk kanë mundur të përballojnë me fonde buxhetore financimin e tyre. Nga ana tjetër, borxhi i lartë publik mbi 70 për qind të PBB kufizon mundësitë e qeverisë për të ndërtuar këto vepra me kredi të huaja. Vitin e kaluar kompania “Gjoka Construction” ka propozuar të përfundojë të gjithë pjesën e mbetur të rrugës së “Arbrit”, dhe jo vetëm 27 kilometra të saj, për një vlerë prej 190 milionë dollarësh. Një komision i ngritur në Ministrinë e Transporteve është duke marrë në shqyrtim këtë ofertë, e cila me sa duket do të jetë fituesja e ndërtimit e rrugës së “Arbrit”. Kompania Gjoka është duke ndërtuar tashmë dy lote të kësaj rruge nga ura e Vlashës deri në Bulqizë me një gjatësi prej 2 kilometrash dhe ka ndërtuar 4 më parë 4 kilometra të tjera të saj. Vetëm në vitet 2013-2015 qeveria aktuale ka investuar 6 miliardë lekë, ndërkohë që kërkohen edhe mbi 200 milionë euro për të përfunduar segmentin kryesor prej 26.7 km të kësaj rruge. Ky projekt është iniciuar në vitin 2008, dhe parashikon një gjatësi prej 72 km, krahasuar me lidhjen e vjetër ekzistuese që është rreth 130 km, rreth 50 km më e shkurtër. Ka një gjerësi të planifikuar prej 10.5 m, një pjerrësi maksimale 6,99%. Projekti i dytë, sipas financave, është ai i rrugës Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i të cilës është braktisur prej vitesh. Sipas burimeve nga financat ka oferta nga disa kompani për këtë segment, që janë në shqyrtim, dhe projekti nuk pritet të kushtojë më shumë se 150 milionë dollarë. Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe Qafën e Muzinës, duke bërë distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e të cilës është e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë.

Skema e financimeve

Sipas skemës që ka zbardhur ministri i Financave, Arben Ahmetaj njoftohet se sipërmarrësit që do të bëhen pjesë e realizimit të këtyre investimeve duhet të financojnë 20 për qind të vlerës së projektit nga kapitalet e veta. Ministria ka shpjeguar se buxheti i shtetit do të nisë të shlyejë investitorët vetëm, pasi të jetë bërë 50 për qind e investimit, por këto hollësi do të jenë të sqaruara në kontratat individuale që do të lidhen për secilin nga projektet. Nga ana tjetër, qeveria synon të shlyejë kompanitë gjatë një periudhë 10-15-vjeçare. Ndërtuesit e kontaktuar nga “Monitor” e kanë mirëpritur nismën e qeverisë. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, pohon se nëpërmjet kësaj forme qeveria do të plotësojë nevojat infrastruktore të vendit, ndërsa kompanitë e ndërtimit do të mund të aktivizojnë fondet të lira në këto projekte. Bankat gjithashtu do të kenë një front të ri kreditimi më të sigurtë, duke qenë se garant në këto projekte është qeveria. Mirëpo, sipas ndërtuesve që skema të mos jetë me rrezik duhet që qeveria të lëshojë garanci sovrane për kompanitë që do të ndërtojnë objekte me kredi bankare.

Artikulli paraprakPD e ka lidershipin e duhur
Artikulli tjetërSupertaksat ndaj biznesit të vogël