“Ҫudia më e madhe tri ditë zgjat”, por pasojat e “PISA 2022” shoqëria do t’i vuaj gjatë

Nga Mirela Karabina

Rezultatet e “PISA 2022”, (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve 15 vjeçarë organizuar nga OECD) dalë në muajin dhjetor, dëshmojnë gjendjen e rëndë të Sistemit Arsimor Parauniveristar. Renditur nga fundi, në fashën e tretë në vendet me performancë më të ulët se mesatarja e vendeve të OECD (Organizata e Kooperimit dhe Zhvillimit Ekonomik) , Shqipëria është larg së qeni një vend me shoqëri të ditur dhe e dëshiruar për investime.

Rezultat i pritshëm pasi shkaqet e cilësisë së pakënaqshme edhe në “PISA 2022”, ashtu si dhe në vlerësimet e tjera në këtë lloj formati që nga 2001 e deri më sot ku Shqipëria ka marrë pjesë, mbeten të njëjta:

1. cilësia e ulët e mësuesve ku për 30 vjet janë pranuar studentë me mesatare të ulët për mësuese dhe trajnimi i mësuesve ka qenë i paefektshëm;
2. të nxënit përmendesh, skematik, i palidhur me jetën, me kontekstin real;
3. mungesa e insrastruktures digjitale në shumicën e shkollave;
4. mungesë e familjarizimit me testimin elektronik, nxënësit përdorin tabletet vetëm për PISA;
5. dhe, Strategjia e arsimit nuk ndërtohet mbi bazën e rezultateve të PISA-s apo vleresimeve te tjera ku ne jemi pjesë si TIMSS (Trends in International Mathematics and Science Study) dhe PIRLS (Progress in International Reading Literacy Study) të cilat bazohen në kurrikul.

Por, ashtu si herë të tjera, “çudia”e lajmit zgjati vetëm disa ditë.

Pasi kryministri e ministrja e arsimit dhe drejtues të tjerë përgjegjës direkt për këtë kratrahurë arsimore, në vend që të ngriheshin në këmbë, siç do të ndodhte në një shtet funksional, por sapo OECD nxorri raportin, nxituan të gjenin fajin përmes mashtrimi publik duke mohuar shkaqet e vërteta.

Justifikimi me pandeminë dhe tërmetin se këta qenkan “fajtorët” të rezultatit të PISA 2022, jo vetëm nuk zë vend por nxjerr edhe më qartë papërgjegjshëmrinë e kësaj qeverie dhe korrupsionin e thellë.

Pasi propaganda digjitale me klasat inteligjente të munguara, edhe pse janë derdhur 3.5 milion euro, ra. Në pandemi arsimi u la në mëshirë të virusit, qeveria nuk siguroi dot mësimin online në mungesë të infrastrukturës digjitale. Banka Botërore në raportin e saj për Shqipërinë (2020) do të evidentonte diferencën e madhe në arsimim për nxënësit me vështirësi në të nxënë apo shtresat e segreguara të cilët janë rreth dy vite pas në shkollim me bashkëmosharatët e tyre, pasi qeveria nuk siguroi dot për ta as mësim online e as program mbështetës.

Ndërsa në lidhje me tërmetin, edhe pse fondet e rindërtimit për shkollat kanë qenë rreth 10 milardë lekë nga buxheti i shtetit dhe 75 milion euro nga Bashkimi Europian nëpërmjet programit “EU4Schools”, ende nuk kanë përfunduar, mësimi vazhdon me dy turne e përgjatë pandëmisë me katër turne duke rrënuar më tej këtë proces.

Ndërkohë që kryeministri dhe qeveria e tij janë përgjegjës për reformat e dështuara në këto 10 vite qeverisjeje dhe arnimet për efekt elektoral në arsim, duke e bërë dëmin të peshojë rëndë për shoqërinë dhe për shumë vite.

Gjendja e Arsimit Parauniveristar është dhe më e rëndë seç duket, në një kohë që është arsimimi bazë dhe periudhë me rëndësi të veçantë në formimin e individit.

Por, mungesa e vullnetit politik dhe dëshira për ta vendosur arsimin në funksion të zhvillimit ka karakterizuar këtë qeverisje.

Ndaj, që të jetë prioritet dhe në shërbim të shoqërisë dhe përparimit të saj, investimi në arsim duhet të arrijë në nivelin 5% të PBB dhe mësuesi, formimi dhe zhvillimi profesional i tij, duhet të shpallet emergjencë kombëtare.

Rezultatet e “PISA 2022” u injoruan dhe u kthyen thjesht në mjet propagande edhe për ministren e re të arsimit, si retorikë politike për të mbuluar të vërtetën e dhimbshme të dështimit dhe gjendjes së rëndë ne arsim.

Por gërmadhat që “PISA 2022” la, janë realitet ulëritës. Dhe për t’i pastruar, shoqërisë do t’i kushtojë shtrenjtë dhe për shumë kohë…

Artikulli paraprakBritania e Madhe publikon udhëzuesin e parë ndërkombëtar të sigurisë së IA-së
Artikulli tjetër“Reforma zgjedhore nuk e zgjidh krizën”/ Zekthi: Vetëm ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund të japë zgjidhje