Vitet kur shqiptarët sundonin Jerusalemin: U pritën si çlirimtarë, sollën barazi për të gjithë

Bajram Peçi

Jerusalemi dhe shqiptarët, ç’lidhje mund të kenë mes tyre?

Asnjë! Janë jo pak, por 1736 kilometra larg njëri-tjetrit.

Por… mos u nxitoni! Prisni aq sa të keni kohë të shfletoni historinë mijëravjeçare të qytetit të Davidit dhe Solomonit, të Jezu Krishtit dhe profetit Muhamed dhe do të shihni se Qyteti i Shenjtë ka qenë zotërim i shqiptarëve nga viti 1831 deri në vitin 1840.

Sulltani i perandorisë që shtrihej në tre kontinente, asaj Otomane, Mahmudi II, ndonëse me masakrën e 10 qershorit të vitit 1826 mendoi se do t’i jepte fund pushtetit të jeniçerëve, ku shqiptarët kishin pozitat sunduese, nuk mund ta parashikonte dot se një ditë, tetë vjet më pas, shqiptarët do të ishin përsëri kërcënimi më serioz i fronit dhe po të mos i kish ndalur Evropa, ushtria e Mehmet Aliut, këtij ushtari shqiptar, do të ishte futur triumfuese në Stamboll.

Kush ka lexuar libra biografiko-historikë mbi Napoleon Bonapartin, e ndesh atë pothuaj në shumicën e tyre, të shpjeguar në pak faqe dhe lidhet me ngjarjen në kështjellën e Xhafas (Jaffa), shumë afër Jerusalemit. Ishte periudha e fushatës në Egjipt, kohë kur, ngadhënjyese, ushtria prej 35 mijë luftëtarësh e Napoleonit, doli nga Kajro e Aleksandria dhe mori rrugën për pushtimin e “Tokave të shenjta”. Kapërceu lehtësisht e theu rezistencat e dobëta që hasi rrugës në Gaza, derisa ngeci para murit të një kështjelle, Xhafas, që as thyhej dhe as dorëzohej. Ishin nizamë shqiptarë ata që e mbronin. U premtoi jetën, por ata pas katër ditë luftimesh të përgjakshme në rrethim, kërkuan të merrnin dhe armët. Kështu u ra dakord, por, siç thonë historianët, pas një nate të tërë pa vënë gjumë në sy, Napoleon Bonaparti urdhëroi pushkatimin e të dorëzuarve, pothuaj të gjithë me origjinë shqiptare.

Sipas autorit të biografisë “Napoleoni”, shkrimtarit rus Evgeny Viktoroviq Tarle, të therur e vrarë mizorisht më 6 dhe 7 mars 1799 ishin 10 mijë. Burime të tjera përmendin herë 2,440 ushtarë, si Simon S. Montefiore, dhe herë 4,100 ushtarë. Vetëm “Enciklopedia e Historisë Botërore” e William L. Langar jep shifrën më të ulët – 1,200 ushtarë shqiptarë të vrarë.

Më vonë, në ishullin e internimit Shën Helenë, Napoleoni shkroi: “…për të mbajtur në ruajtje një numër të konsiderueshëm të burgosurish, do të ishte e nevojshme që të shkëputeshin roje të mjaftueshme për ta, të cilat do të zvogëlonin rëndë rreshtat e ushtrisë së tij dhe në qoftë se ai do t’i kishte lejuar ata që të largohen si njerëz të lirë, ishte e arsyeshme që të besonte e të kish frikë se ata mund të rrisin radhët e trupave të Ahmed al- Jazzar”.

Kur vjen puna te Jerusalemi dhe tokat e tjera “të shenjta”, nuk ngelet për ne shqiptarët që të përmendemi si protagonistë. Mëtimet për sundimin e këtij qyteti kanë përfshirë gjithë perandoritë euro-aziatike, gjithë kombet më të mëdha, ata të cilët më pas edhe do ta shkruanin historinë. Interesat politike dhe fetare kanë bërë që për këtë qytet, kryeqytet i dy popujve, epiqendër e tre besimeve, të flitet e të shkruhet më tepër se për çdo qytet tjetër. Për praninë e shqiptarëve në këto territore, ka qenë i njohur vetëm një episod i rëndësisë historike, të cilën ia vlen ta përmendim paraprakisht.

Po ja ku, 30 vjet më vonë, shqiptarët shfaqen përsëri në këtë rajon si protagonistë. Përsëri si ushtarë, por tashmë me pushtetin e sunduesit të Egjiptit. Me këta nizamë shqiptarë, jeniçerë të tmerrshëm, Perandoria Otomane ia kish mundur ta shtrinte pushtetin e saj në tre kontinente. Një prej këtyre ushtarëve “otomanë”, sipas burimeve enciklopedike, shqiptar nga Kavalla, por me shumë gjasa nga Zëmblaku i Maliqit të Korçës, dy vjet pas ngjarjes së Xhafas, duke shfrytëzuar me trupat e tij shqiptare boshllëkun ushtarak e politik që ish krijuar me largimin e Napoleonit, kish filluar të shtrinte autoritetin e tij ushtarak. Në një natë të 1 marsit 1811 ia kish mbërritur t’i shfaroste gjithë krerët dhe elitën e luftëtarëve Mamlukë të ftuar në kështjellën e Kajros “për kremtimin e ditëlindjes së djalit” dhe kish vendosur regjimin ushtarak, të cilin, pasi sulltani e caktoi si valiun e Egjiptit, ai e shndërroi në sundim absolut të tij. Sundimi që zgjati më se 150 vjet, në historinë e Egjiptit njihet si periudha e “pushtimit shqiptar”.

Mehmet Aliu kishte kohë që u ishte larguar frikshëm ekspeditave ushtarake në Arabi e Greqi dhe arritjes së fitoreve për llogari të sulltan Selimit e Mahmudit II. Ekspeditën në Palestinë e Siri e filloi për llogari të tij. Kjo luftë në tekstet e historisë e ka marrë emrin “Lufta turko-egjiptiane”, por në të vërtetë trupat ushtarake të Mehmet Aliut përbëheshin nga shqiptarë. Pashai në kohërat e para të sundimit pati 6,000 trupa shqiptare, të cilat me kalimin e viteve i disafishoi. Justifikim për ekspeditën ishte një grindje me veliun Abdullah, pashën e Akrës, për strehimin e 6,000 fshatarëve egjiptianë, të larguar për t’u shpëtuar taksave. Mehmeti e pushtoi Palestinën dhe Sirinë me lehtësi. Rezistenca e vetme iu bë në qytetin port të Akrës, që përfundimisht u dorëzua më 27 maj të vitit 1832. Jerusalemi ishte pushtuar që në dhjetor të vitit 1831.

Pas rënies së Akrës, ushtria e Mehmet Aliut marshoi drejt Anadollit. Në betejën e Konyas, më 21 dhjetor 1832, i biri, Ibrahim pasha, shkatërroi ushtrinë osmane dhe para tyre nuk kishte tani asnjë pengesë ushtarake që të pengonin forcat e Ibrahimit për të marshuar përpara. Kur Mehmet Aliu shpalli qëllimin për largimin nga froni të sulltanit, Mahmud II, i alarmuar, pranoi ofertën e Rusisë për ndihmë ushtarake, gjë që nuk u pranua nga qeveritë britanike e franceze. Ata ndërhynë drejtpërdrejtë me trupa dhe diplomaci. Ndërmjetësuan një zgjidhje në maj 1833, e njohur si Konventa e Kutahias. Mehmet Aliu do të tërhiqte forcat e tij nga Anadolli në këmbim të Kretës; do të merrte të drejtën e sundimit të trashëguar në Egjipt e Arabi dhe Ibrahim Pasha do të emërohej vali i Sirisë. Ndërkohë, i biri i pashait prej kohësh ishte sistemuar me trupat e tij dhe jetonte në Jerusalem. Zot i ri i Jerusalemit ishte Ibrahim Kuqi.

Artikulli paraprakKLSH denoncon skandalin: Që nga nëntori 2019 asnjë analizë barnave. Të gjitha të skaduara?
Artikulli tjetërIntelektualët e Gjirokastrës-Bashës: Eshtë bërë keq e më keq, ndryshimi me 25 Prill, domosdoshmëri