Si mund t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme?

Nga Gjergji Nika

Në Shqipëri na pëlqen të personalizojmë divergjencat politike dhe të politizojmë divergjencat personale.

Por në shqipëri nuk mund të bëhet politikë normale si në vendet nordike, kur jemi vend ballkanik anormal. Nga ana tjetër edhe krijimi i klimës së tensionuar thjesht sa shton agresivitetin e shoqërisë dhe na mban të ngërthyer në politikë dhe jo në programe e ide. Pozitivja është se jemi të pasionuar pas politikës. E keqja është se na mungon objektivi.

Pra, le të përcaktojmë objektivin dhe qëllimin:

– Të krijohet një pol progresiv, i bashkuar dhe i unifikuar në aksion që do të mundë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme kombëtare.
-Kjo përpjekje fillon sot. Duhet të kishte filluar dje.

Të fillojë nga ne, nga të gjitha forcat progresive të qendrës së djathtë dhe të gjitha forcat e tjera opozitare, të cilat janë të skandalizuara nga qeverisja me skandale e PS. Të shtrihet tek të gjitha forcat e tjera progresive të shoqërisë, të cilat janë të pangazhuara politikisht.

Të shkojë në çdo qelizë të shoqërisë, e cila vuan pasojat e keqqeverisjes, të ekonomisë së shkatërruar, të mjekësisë dhe arsimit që janë cilësisht përtokë, të shpopullimit dhe zbrazjes së Shqipërisë.

Së pari ndryshimi duhet të fillojë nga demokratët.
Qëllimi final nuk arrihet duke fajësuar njëri-tjetrin, nëse ai luftoi apo jo, nëse ai bëri marrëveshje apo jo, nëse njëri është më demokrat e tjerti jo, nëse ky duhet të vijë e ky duhet të shkojë. Të gjithë dhanë gjithçka në këto vite.

Askush nuk doli jashtë, askush nuk vrapoi më shumë se një tjetër, askush nuk ishte më shumë apo më pak demokrat se të tjerët. Askush nuk ka të drejtë të shpërndajë çertifikata demokrati. Kushdo që mendon kështu nuk bashkohet. Ndahet dhe mban në pushtet PS dhe Ramën.

– Nëse duam që në zgjedhjet e ardhshme të bëhemi Qeveri dhe në të vërtetë Qeveri me themele të forta, duhet të ndryshojmë gjithçka.

1. Së pari plan-programi ynë për vendin.
Sugjerimet tona janë të mira. Por, ata duhet të diskutohen në shoqëri. Çfarë mendojmë për arsimin dhe pse? Për shëndetin; Për ekonominë? Për korrupsionin, për Drejtësinë e pavarur, për të ardhmen?

Duhet të jemi të vetëdijshëm se problemi kryesor i shoqërisë është ekonomia, forcimi i të ardhurave të qytetarëve, përmirësimi i standardeve të jetesës, diçka që shoqëria duhej të dëgjojë pas kaq shumë vitesh krizash. Duhet të flasim se çfarë mund të bëhet, duke shmangur hyrjen në një ankand të përfitimeve parazgjedhore.

Dhe duke e bërë të qartë se nuk do të rrezikojmë me stabilitetin fiskal. Mund të ndodhë që në periudha parazgjedhore qytetarët duan të dëgjojnë fjalë dhe premtime të bukura, por sidomos vitet e fundit ata shfaqen më të dyshimtë.

Tregues i maturimit të shoqërisë sonë në këtë krizë ekonomike? E ardhmja do ta tregojë…
Nga ana tjetër, narrativa e PS ishte dhe është pa asnjë propozim të qartë për ekonominë.

Ndaj duhet që idetë tona të diskutohen gjerësisht e pa ekuivoke, në mënyrë që votuesit të kuptojnë atë që ne besojmë dhe, mbi të gjitha, pse e besojmë. Të kuptojnë dhe të bëjnë vizionin tonë, vizion të tyre. Qëndrimet tona, qëndrime të tyre.

Të kuptojnë se ku do të jetë Shqipëria pas 3, 5 apo 10 vitesh me një qeveri vërtet progresiste.
Dhe kështu, ata mund ta imagjinojnë se ku do të jenë, nëse i besojnë qeverisë sonë nesër.

Një parti që nuk garanton shoqërinë se ku do të jetë nëse qeveris, nuk është parti pushteti. Dhe ne duhet të jemi parti pushteti.

2. Së dyti, të ndryshojmë komunikimin tonë.
Vizioni, pozicionet dhe propozimet e mira janë shumë pozitive, por nëse nuk i reklamosjmë siç duhet, do t’i shijojmë vetëm.

Nëse nuk mund t’i çojmë idetë tona në shoqëri, është sikur nuk duam që ata të dinë se kanë mundësi.
Dhe një kryeministër mund të mos jetë ekspert Tik Tok-u, Instagrami apo Facebook-u. Por shoqëria është.

Dhe kur ankohemi se kemi mediet e oligarkëve kundër, është si të ankohemi se u mbyll autostrada e re që është me pagesë, por ne refuzojmë të marrim rrugën e vjetër, që është falas.

3. Së treti, të ndryshojmë mënyrën tonë të organizimit.

Për të pasur një kokë dhe shtyllë kurrizore. Nuk mund të shkojmë në betejë pa kokë. As me face control. Disa brenda e disa jashtë. Sikur opozita e sotme është meritë apo çështje vetëm e disave që bërtasin më shumë.

Apo “tanët” brenda, të tjerët jashtë.
Kjo do të ishte e gabuar. Një organizim i mirë është ai që e bën shoqërinë të ndihet i mirëpritur në jetën e diskursin politik.

Të gjithë gjykohen nga kontributi i tyre real në politikë.Nëse u drejtohemi të gjithë ish- deputetëve të ish- pozitës, krijohet ushtri. Nga të gjithë këta duhet të kërkojmë ndihmë.

Me një synim të vetëm: Të sjellim sa më shumë qytetarë në kutinë e votimit. Të rrisim numrin absolut të votuesve të opozitës.

4. Së katërti, për të përmirësuar ekipin tonë drejtues.
Domethënë, ekipi që do të bindë se ne mund ta zbatojmë atë që premtojmë. Këta njerëz ekzistojnë.
Ata janë qytetarë aktivë, të ditur dhe të pasionuar, të paimplikuar me të shkuarën, të papërfolur për korrupsion apo krime, të cilët e bindin shoqërinë se mund të mbështetet tek ata.

Ata dalin në shoqëri, sjellin ide, hapin diskutime, krijojnë tensione për çështje që Qeveria nuk dëshiron t’i diskutojë.

Dhe në nivel kombëtar. Dhe në nivel lokal.
– Por, ka një “por” të madhe.

Mirë ose keq, të gjitha këto kalojnë nga një qendër nëpër të gjithë sistemin.

Që dërgon një sinjal, jep drejtim, hap rrugë. Ai vendos vizionin dhe ne punojmë me pozicione dhe propozime.

Një qendër që urdhëron forcat për betejë, që nxjerr përpara luftëtarët më të mirë dhe mbron më të dobëtit.

E cila vendos rregullat për mënyrën se si ne të gjithë veprojmë në betejë. Që i frymëzon të gjithë, që të mund të mbështeten tek ajo, për të ecur përpara. Kush udhëheq me shembull dhe merr përgjegjësi i pari.

Një qendër, që del përpara dhe nuk ka frikë.
– Ne duhet ta marrim këtë qendër, këtë udhëheqje.
Sepse kemi një vit të vështirë elektoral përpara nesh.
Një vit, që të vijmë në pushtet, për të çliruar popullin shqiptar nga politikat që kemi kundërshtuar 12 vjet tani dhe për të sjellë në Shjqipëri vizionin që besojmë dhe meritojmë.

A mund ta bëjmë? Sigurisht që mundemi.
Votuesit janë në pritje. Për çdo demokrat që shkon në kutinë e votimit, 3 qëndrojnë në shtëpi. Kjo shifër duhet përmbysur. Duhet të shkojnë të katër demokratët në votime.

– Nëse mendojmë në mënyrë partiake, bëhet edhe më e lehtë. Por një vit nuk mjafton.

Fatmirësisht demokratët, miqtë dhe votuesit proigresistë nuk janë lodhur duke luftuar.
Por ajo ka nevojë për shkëndijën e saj, udhëheqësin e saj.

5. Së pesti. Shoqëria shqiptare është e lodhur. Ajo nuk do dhe nuk dëshiron tensione të tjera apo tone të larta që mundohen të imponohen në disa raste.
Kërkesa për një pjesë shumë të madhe të shoqërisë është stabiliteti dhe krijimi i kushteve të përshtatshme që ekonomia dhe vendi të ecin përpara.

Artikulli paraprak“Du nga ty 600 vota, vrit veten…”/ Përgjimet që çuan në SPAK Artan Lamen: Lejen e ka premtuar shefi
Artikulli tjetërShqipëri, sëmundjet tumorale dhe dobësitë e sistemit shëndetësor në trajtimin e tyre