Si mashtron palaço në qeveri për detin, provat që zbulojnë tradhëtinë

Një valë akuzash dhe dyshimesh janë ngritur ndaj zellit që ka treguar kryeministri Edi Rama për të mbrojtur interesat e Greqisë në detin Jon. Me llogjikën se “mbrojtja më e mirë është sulmi”, Rama iu përgjigj me të njëjtin vrer atyre që e akuzuan për “tradhti” dhe se iu fali detin grekëve, duke u pajtuar me dekretin e Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale deri në 12 milje, nga 6 që ishin dje.

“E drejta e 12 miljeve ushtrohet aty ku është e mundur dhe jo aty ku s’ka mundësi, siç është rasti në zonën mes nesh ku vija ndarëse do të vendoset me gjyq! Greqia e ka ushtruar këtë të drejtë së fundmi, fiks siç e ka ushtruar Shqipëria qysh në vitin 1990! Të tjerat janë dokrra!” shkruan Rama duke i quajtur akuzuesit e tij si “llum” që duhet lënë në batakun e vet.

Dhe si prova se në qëndrimin e tij pro zgjerimit me 12 milje të Greqisë nuk ka asnjë tradhti, Rama ka publikuar dy dokumenta që tregojnë se si Shqipëria mori vendim të caktojë se ujërat e saj territorialë të shtrihen 12 milje.

“Ja edhe dokumentat e vitit 1990 kur Shqipëria bëri fiks këtë që bëri Greqia sot dhe që është në fuqi sot e gjithë ditën në regjistrin e OKB! As pala greke s’kishte çfarë kontestonte atëherë, as ne s’kemi çfarë kontestojmë sot tek vendimi i Greqisë!” shkruan Rama.

Por çfarë thonë këto dokumenta? A bëri Shqipëria në vitin 1990 “fiks” të njëjtën gjë si Greqia sot? Nëse i lexon dokumentat në brendësi, kupton që situata e Shqipërisë në 1990 ka qenë krejt ndryshe nga ajo e Greqisë sot.

Shqipëria vërtet përcakton shtrirjen në 12 milje, por ky përcaktim nuk ishte zgjerim si në rastin e Greqisë sot, por ishte tkurrje e hapësirës detare të vendit tonë. Siç edhe shkruhet në njërin nga dokumentat që ka publikuar vetë Rama, Shqipëria kishte shtrirje deri në 15 milje detare, por me firmosjen e marrëveshjes së detit, pranon që të ketë shtrirje deri në 12 milje, siç parashikohet në Konventën për të Drejtën e Detit që ka firmosur.

Nëse një vend vendos të tkurrë hapësirën detare si në rastin e Shqipërisë, shteti fqinj nuk ka asnjë arsye të kundërshtojë apo të ankohet. Në rastin e Greqisë, situata është e ndryshme, sepse nuk po ndodh tkurrje e territorit, por zgjerim nga 6 në 12 milje.

Profesori i të Drejtës ndërkombëtare dhe relatori i çështjes së marrëveshjes së detit më Greqinë në vitin 2009, në Gjykatën Kushtetuese, Xhezair Zaganjori ka bërë diferencën mes dy situatave gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në shtator të këtij viti.

Zëri i Amerikës: Zoti Zaganjori, së pari ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste. Si Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, çfarë përfaqëson sipas jush vendimi i qeverisë greke për të zgjeruar deri në 12 milje, kufirin e saj detar?

Prof. Xhezair Zaganjori: Faleminderit për mundësinë për t’u shprehur për këtë problem. Unë nuk përfaqësoj ndonjë institucion. Flas si pedagog i të Drejtës Ndërkombëtare. Por meqënëse e njoh problemin si pedagog por dhe për vendimin që përmendet aq shumë, kam qenë relator i çështjes dhe e kam hartuar vendimin, do përpiqem të jap mendimet e mia.

Sa i përket pyetjes që bëni, natyrisht, shtetet kur ndajnë hapësira detare mes tyre janë të detyruara të futen në bisedime mes tyre dhe kur çështjet nuk zgjidhen me marrëveshje përmes bisedimeve, i drejtohen një mekanizmi apo një mjeti paqësor për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, siç është Arbitrazhi ndërkombëtar apo Gjykata ndërkombëtare.

Unë mendoj që në rastin konkret thjesht shprehet një aspiratë, një dëshirë e Greqisë për t’i zgjeruar, por sigurisht në mënyrë të njëanshme ajo nuk mund të deklarojë shtrirjen e efekteve të ishujve apo masave shkëmbore, deri në 12 milje detare, pa u marrë vesh me shtetet me të cilat ajo i ndan ato, sepse bie në kundërshtim me normat e së Drejtës ndërkombëtare, me Kartën e organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me vetë Konventën e Tretë mbi të Drejtën e Detit. Sepse çfarë do të ndodhë sikur të njejtën gjë ta bënim edhe ne dhe vendet e tjera, t’i deklarojnë në mënyrë të njëanshme, pa u marrë vesh, sepse ne nuk jemi në një oqean ku nuk kemi asnjë shtet përballë apo bashkangjitur.

Prandaj më lini të sqaroj, në rastin konkret, bëhet fjalë për një nismë apo aksion diplomatik të palës greke, i cili për mendimin tim, duhet të përshëndetet, sepse synon që Greqia të përcaktojë Zonën Ekonomike Ekskluzive, është një nga hapësirat detare, përveç shelfit kontinental, ujërave territoriale, e me radhë, që ajo ndan me shtetet përreth. Ka përfunduar marrëveshje me Libinë, Egjiptin, Italinë e tani synon, me sa jam në dijeni, që ta përfundojë një gjë të tillë dhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera, përfshi këtu, sipas njoftimeve në shtyp, dhe me Turqinë, ku janë probleme më të mëdha, me Mesdheun lindor. Prandaj, sigurisht, në mënyrë të njëanshme nuk mund të bëhen, por përmes dialogut ose përmes vendimeve të mekanizmave ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës: Po bëj një ndërhyrje të shkurtër. Ju thoni që kjo nuk mund të bëhet në mënyrë të njëanshme. Megjithatë, Shqipëria në vitin ’90, në mos gaboj, ka depozituar në OKB, kufirin e saj ujor deri në 12 milje…

Prof. Xhezair Zaganjori: Ne kemi korrigjuar. Konventa thotë se kur nuk ke një shtet tjetër përballë ke të drejtë t’i zgjerosh deri në 12 milje detare. Me sa jam në dijeni, ne i kemi patur 15 milje, dhe na është kërkuar që duhet t’i bëjmë 12 milje, dhe ne aq i bëmë. Pra i shtrimë aq sa kishim mundësinë. Nëse nuk ka shtet përballë, në oqean, shelfi kontinental mund të shkojë deri maksimalisht deri 350 milje. Por nëse nuk ke shtet tjetër përballë apo bashkëngjitur.

Zëri i Amerikës: Pra ju po thoni që në rastin e këtij vendimi të Greqisë, kjo prek padyshim dhe interesat e Shqipërisë, sepse ka disa mendime për këtë çështje..

Prof. Xhezair Zaganjori: Unë di që Greqia, ka propozuar të zhvillohen bisedime dhe nëse nuk zgjidhet përmes bisedimeve, mjeti është për t’ju drejtuar një mekanizmi ndërkombëtar. Nuk mund të bëhet përmes një akti qeveritar, në mënyrë të njëanshme, kur shteti ndan hapësirat detare me shtetet e tjera. Përndryshe do të ishim në kaos në marëdhëniet ndërkombëtare.

Artikulli paraprakRama i jep qera të majme Jozefinës, disa mijëra euro për…
Artikulli tjetërBasha pëballë gazetarëve në mbrëmje