“Shqipëria nuk meriton tangon e vjetër mes Ramës dhe Berishës”, Basha: Motivimi im kryesor t’i shërbej njerëzve

Lulzim Basha në intervistën në Euronews, është shprehur se debati për vulën duhet të marrë fund pasi shqiptarët kanë halle më të mëdha, siç janë papunësia, emigracioni, kostot e jetesës dhe rrogat e ulëta. Për të, thelbësore është që debati të jetë vetëm për njerëzit dhe gjetjen e zgjidhjeve për problemet që i shqetësojnë.

Basha gjithashtu tha se “në qoftë se qytetarët mendojnë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë sesa një rikthim tek paradigmat e diktaturës, atëherë kanë dhe do të kenë vizionin e demokratëve euroatlantik, kanë alternativën tonë”.

Pjesë nga intervista:

E para e punës për vulën kam 2 vite që them mos iu flisni as demokratëve as shqiptarëve se i lodhëm. Ata kanë halle të tjera, kanë papunësinë, kanë emigracionin, kanë koston e jetesës, kanë rrogat e ulëta, kanë pasigurinë për fëmijët e tyre, kanë pronat që kanë 34 vite që nuk i marrin dhe padrejtësitë e tjera që prekin të gjithë shtresat e shoqërisë. Kjo për çështjen e vulës.

Për çështjen tjetër, sa herë që me jepet mundësia debati im do të jetë thelbësor, do të jetë për njerëzit. Në fund të fundit këtë që bëj dhe motivimi kryesor që kam është t’iu shërbej njerëzve. Dhe nuk u kam shërbyr pak sa herë që më është dhënë mundësia.

Por që t’iu shërbejmë në demokraci, padiskutim që duhet të ketë një debat thelbësor. Po t’i ikim debatit fals, debatit shterp, të çirurave që nuk prodhojnë asgjë përveçse pazarin e rradhës. Po t’ju japim shqiptarëve një debat të vërtetë, me disa pyetje fare të thjeshta: pse jemi këtu? Kush është përgjegjës për këtë? A mund të dilet nga kjo situatë? Si mund të dilet nga kjo situatë? Kush do të na nxjerr nga kjo situatë dhe pse?

Ky është debati që duan t’ua mohojnë shqiptarëve me tangon e vjetër të kryeministrit dhe ish kryeministrit. Padiskutim mund ta bëjmë dhe pa debat këtë gjë. E kemi bërë për 45 vite. S’ka pasur debat, s’lejonte Enver Hoxha debat. Në qoftë se dikush mendon që ajo është një mënyrë më e mirë për të jetuar, e ka dhe ai një alternativë, le të votojë për Partinë Komuniste. Të mbyllim gojën, të ulim kokën, mos të bëjmë debat. Bilse fare, as për ata s’kanë nevojë të votojnë sepse i ka pjellat e Partisë Komuniste, njëri kryeministër, tjetrin ish kryeministër. I kanë aty, bëjnë sikur bëjnë debat, por debat s’ka, vendimmarrje s’ka, mundësi s’ka. Një grusht njerëzish vazhdon e mban Shqipërinë si çifligune tyre.

Por në qoftë se nuk e duan këtë, në qoftë se mendojnë që Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë më shumë sesa një rikthim tek paradigmat e diktaturës, atëherë kanë dhe do të kenë vizionin e demokratëve euroatlantik, kanë alternativën tonë.

Artikulli paraprakShifër rekord për fanellën e Nedim Bajramit, zbulohet sa pagoi tifozi turk
Artikulli tjetërSfida më e madhe e Shqipërisë