Premtoi leje legalizimi në këmbim të votave, Artan Lame dy orë në SPAK! Ç’përmban dosja hetimore për korrupsion zgjedhor dhe roli i ish-kreut të Kadastrës

Ish-drejtori i Kadastrës, Artan Lame u thirr në SPAK. Për dy orë e gjysmë, Lame u pyet si person që ka dijeni për një dosje që po heton SPAK për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet vendore të 2019.

 

Pasi doli nga SPAK, Lame nuk preferoi të flasë për mediat, ndërsa tha shkurt se “u pyeta si person në dijeni për një çështje të Kadastrës”. Ndonëse ende nuk ka asgjë zyrtare në lidhje me faktin se përse është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Lame, mësohet se SPAK ka në duar fakte konkrete që lidhen me një dosje që është përpiluar nga një kërkesë e bërë prej disa kohësh.

Nisja e hetimit për denoncimin që ka mbërritur në SPAK ka nisur pak kohë më parë, ndërsa theksohet se materiali hetimor shkon deri në zgjedhjet lokale të vitit 2019. Siç mësohet nga burime jozyrtare, bëhet me dije se Lame është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi legalizime që lidheshin aso kohe me këmbimin e votës.

Edhe pse ende nuk dihet se cili është roli i Lames në atë proces legalizimi konkret, pasi referuar të dhënave, Artan Lame ka qenë në krye të procesit aso kohe për të cilën edhe po zhvillohen hetime.

ÇËSHTJA

Artan Lame e ka drejtuar Kadastrën nga viti 2019 deri në mars 2023 kohë në të cilën përkon edhe kallëzimi i kryer në Prokurorinë e Posaçme. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se Lame është pyetur mbi një dosje të SPAK sa u takon legalizimeve në këmbim të votës për zgjedhjet lokale të vitit 2019. Për këtë çështje kanë rënë në pranga më 26 prill 2024, zyrtari i Kadastrës, Dritan Stoka dhe kryeplaku i Saukut në Tiranë, Agim Osmani. Të dy, gjatë kohës që Kadastra drejtohej nga Lame, kundrejt përfitimeve të paligjshme kanë kërkuar votën për PS në këmbim të lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.

Rreth dy muaj në parë një hetim i regjistruar në mars të vitit 2020 nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me korrupsionin në zgjedhjet vendore të vitit 2019 është finalizuar një ditë më parë me arrestimin e katër personave. Dritan Stoka, zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të Kadastrës, (Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ASHK) dhe kryeplaku i Saukut në Tiranë, Agim Osmani u arrestuan mbrëmjen e 26 prillit 2024, pasi akuzohen për korrupsion zgjedhor gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2019 dhe ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Arrestimi i Dritan Stokës dhe Agim Osmanit Tiranë u krye me kërkesë të SPAK dhe firmosur nga GJKKO më 25 prill. Ndërsa është lënë në “arrest shtëpie” Alqi Hajdiku ish-jurist i ALUIZNI-t dhe detyrim paraqitje Ylli Baruti, i cili luante rolin e sekserit.

Sipas organit të akuzës, këta dy shtetas dyshohet se kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kur Kadastra drejtohej nga Artan Lame duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar në favor të Partisë Socialiste ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë. Burimet bëjnë me dije se ishin bashkëpunëtorë të afërt të Lames.

“Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë”, – informoi SPAK.

Gjithashtu, sipas SPAK, me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë marrë përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal.

“Me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal”, – informoi SPAK.

Përgjimet zbuluan dhe juristin e sekserin e ALUIZNI-t

Ndërsa Alqi Hajdiku ish-jurist i ALUIZNI-t, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Ylli Baruti, në rolin e sekserit, akuzohen se edhe këta në bashkëpunim me njëri-tjetrin kundrejt përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të katër shtetasve e zbuluar kjo sipas përgjimeve. Alqi Hajdini, me detyrë në kohën e kryerjes së veprimeve, jurist i ALUIZNIt, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Ylli Baruti, në rolin e sekserit, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D”, – informoi SPAK.

Artikulli paraprakDitët e fundit të korrupsionit
Artikulli tjetër“Më keni shtrembëruar…”/ Mjekja e skandalit te Onkologjiku u ankohet gazetarëve për fotot