Për parimet dhe një organizatë politike euroatlantike!

NGA EDLIRA DEVOLLI

Bëj pjesë te ata njerëz që vendimet e gjykatave nuk i komentoj, as jetën e gjyqtareve e lidhjet që kanë, sido që ta japin vendimin.

Bëj pjesë tek ata njerëz që mendojnë dhe e thonë hapur se ish sigurimi i shtetit komunist, vazhdon të drejtojë e të dirigjoj me tentakulat e zgjatura kudo.

Sikurse mendoj se përballja me këta nuk është e lehtë se kanë 80 vite që komandojnë, por kurrsesi nuk mund të bëhem pjesë apo mbështetje e tyre. Kjo se i përkas një familje antikomuniste në gen, me të pushkatuar me gjyqe e pa gjyqe.

Jam pjesë e atyre që nuk kam parë se ç’post më takon në parti për sa kontribut kam dhënë. E kam parë angazhimin tim politik si kontribut për vlerat reale të demokracisë dhe qytetarisë.

Sot gjendemi fiks veshur me kostumin e stiluar nga katovica.Të përndjekurit e shfrytëzuar dhe të pa përkrahur. Pronarë pa prona me “nofkën” ish pronar. Dosje që nuk hapen, të zhdukur që nuk tregohen.

Nëse do të them se e prisja këtë vendim nga Gjykata e Apelit nuk do thoja të vërtetën. Por duke njohur sa më sipër përmenda do gënjeja nëse do të thoja që s’më kishte kaluar nëpër mend.

Këmbanat ranë që me asgjesimin e reformës zgjedhore dhe pazarin kryetar grupi -bashkim votash për amnistinë.

Sigurisht që të gjithëpushtetshmit e këtyre viteve do të bëheshin bashkë kundër vizionit të Lulzim Bashës për dekomunistizim, veting në politikë, lista të hapura, investim e forcim për familjen dhe institucionet e edukimit, vëmendje për shtresën e mesme të shoqërisë, njohjen e pronarëve dhe vlerësim për ish të përndjekurit politik.

Të gjitha këto forcojnë vendin dhe shoqërinë, e kërkesat për drejtësi e demokraci domosdo rriten dhe si rrjedhojë sjell spostimin nga skena politike të establishmentit të vjetër.

A është i thjeshtë spostimi i tyre që në kaq vite i kanë punuar qindin këtij populli?!
E thjeshtë nuk është, por as e pamundur.

Ne qëndruam bashkë për këto vlera, për këto kauza. Nuk qëndruam për t’i dhënë karrige pune disa deputetëve që lëkunden sa te Berisha non grata (arsyeja e ndarjes), e sa te vlerat euroatlantike.

Ne qëndruam dhe jemi për të çuar deri në fund axhendën për dekomunistizim, veting në politikë, fund pandëshkueshmërisë dhe vlerësim për gjithë shtresat e shoqërisë.
Këtë nuk na e pengon emri apo logo e partisë, ky është vizion e mision për të mbajtur bashkë dhe për të ecur përpara me një parti të vërtetë euroatlantike.

Lulzim Basha dhe strukturat qendrore të PD nuk duhet të humbasin asnjë ditë kohë në marrjen e vendimit përfundimtar në kushtet e krijuara. Shumë opsione po qarkullojnë.
Si pjesë e demokratëve që e duan Shqipërinë në Europë dhe Shqipërinë krah Amerikës jam për themelimin e një organizate të re politike, me program e mentalitet bashkëkohor.

Artikulli paraprakPër të kuptuar se kush janë ata përballë
Artikulli tjetërKokainë nga karteli Sinaloa në Shqipëri/ Shpërthen skandali: Duçka “rekrutoi” gjeneralin e shërbimeve sekrete që këshillonte Ramën, FBI po heton rrjetin