PD zyrtare, e vetmja parti që artikulon ide politike me vlerë publike

Nga Namir Lapardhaja

Partia Demokratike zyrtare, e drejtuar nga Lulzim Basha, është sot e vetmja forcë që artikulon ide dhe teza politike me vlerë për publikun. Ashtu sikurse është e vetmja që thotë të vërtetën në një diskurs të mbytur nga gënjeshtra.

Herë nga zhurma e propagandës dhe herë të tjera nga një media që në masë të madhe kërkon me çdo çmim të ruajë status quo-në e polarizimit politik vetëm te një grusht politikanësh, në gjithë këto kohë PD zyrtare të vetmit përçues mesazhi, pa kurrfarë censure, që ka pasur në dispozicion, kanë qenë rrjetet sociale.

Se sa ia ka dalë për t’i përcjell të gjitha idetë e saj te njerëzit, nuk mund ta themi me siguri, por ajo që është plotësisht e sigurt është se Kuvendi programor, një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme, që kjo parti do të mbajë më 1 qershor, është një rreze drite në errësirën e gjithanshme që ka kapluar krejt shoqërinë shqiptare.

“Shqipëria Meriton më Shumë” nuk duhet të ngelë vetëm në kuadër të një slogani estetikisht të gjetur, por duhet të shndërrohet në një vullnet për ndryshim, që PD-ja ia ka borxh të gjithë shoqërisë.

Në kushtet e një ligjërimi politik të mbizotëruar nga ideja “secili për hallet e veta”, me këtë nismë Partia Demokratike bëhet promotore e orientimit të debatit publik drejt halleve të njerëzve.

Kur qeveria ka hallin e kokës për t’u mbrojtur nga SPAK dhe drejtësia, ndërsa segmente të tjera politike mbajnë peng aksionin opozitar për të mos pasur mundësi të shndërrohet në alternativë, por të lidhet ngushtësisht me fate personale politikanësh të skaduar, PD me paraqitjen e programit të saj elektoral sfidon jo vetëm të gjithë klasën politike, por provokon thellësisht nevojën e njerëzve për ndryshim.

Sigurisht që kaq nuk mjafton, sepse, pas paraqitjes së programit, fillon një sfidë edhe më e madhe për të ndërtuar ekipin dhe për të gjetur rrugë dhe mënyra për të trokitur në dyert dhe zemrat e shqiptarëve, por kjo pikënisje e gjetur programore le të shërbejë si një ogur i mirë për t’u bërë promotor i ndryshimit dhe për t’u shndërruar në alternativë për njerëzit.

Artikulli paraprakNuk është më i papunë, Zhoze Murinjo arrin akordin me gjigantët e Turqisë
Artikulli tjetërGJKKO-së i shtohen dy gjyqtarë, kush janë magjistratët që u shkarkuan nga KPA, por u rikthyen në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit