Ndarja nga jeta e Ismail Kadaresë, reagon Lulzim Basha: Lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar

Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta ditën e sotme të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

“Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë”, shkruan Basha në një reagim në rrjetet sociale, ndërsa shton se kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar.

Reagimi i plotë:

Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar.

Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët mikun e tyre të pazëvendësueshëm.

Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar!

Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!

Artikulli paraprakRama si mjeshtër i fasadës dhe i manipulimit të turmave
Artikulli tjetërKreu i SPAK vizitë zyrtare në Britani, në fokus lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dumani: Bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë një element kyç