Kush do të prekë votën edhe vullnetin e lirë të vlonjatëve, do të pendohet!

Ardi Stefa

Drejtuesi Politik i qarkut Vlorë, Bujar Leskaj ka paralajmëruar se çdokush që më 25 prill do të ndikojë tek vota e lirë s’ka për të pasur shpëtim dhe do të përgjigjet përpara ligjit. Kjo deklaratë është bërë gjatë takimeve të tij me qytetarë vlonjatë, të rinj e të reja, pensionistë, etj.

Leskaj tha me qytetarët se tashmë Partia Demokratike dhe kryetari Basha, kryeministri i ardhshëm, kanë bërë aleancën me qytetarët e përgjegjshëm shqiptarë për të denoncuar krimet zgjedhore, dhe se kush prek votën do të pendohet.

Sipas Leskajt ky regjim do të tentojë të manipulojë e vjedhë votën dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve, por PD i garanton qytetarët shqiptarë se në 25 prill demokracia do të triumfojë.

“Në të dyja rastet, si blerja e votës, ashtu edhe vjedhja e votës janë fyese dhe përçmuese për shqiptarët, për inteligjencën e tyre; për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Një gjë është e sigurtë. Qoftë nga paniku i humbjes, qoftë nga korrupsioni që Rama dhe sekti i tij e kanë në gen, ata do të tentojnë të tjetërsojnë votën dhe vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.

Por qytetarët vlonjatë e qytetarët shqiptarë nuk do të pranojnë e as do të lejojnë më, të vidhet vullneti i tyre.

Ju garantoj se blerja e votës do të jetë një “mision i pamundur” për Ramën, pasi të gjithë e kanë kuptuar se duke shitur votën, pengojnë zhvillimin e vendit dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke nxjerrë një qeveri që nuk vjen nga vullneti i lirë i qytetarëve. Njerezit janë të varfër, por nga kontaktet në terren prej 4 muajsh shikoj një mllef për ta rrëzuar këtë qeveri, mllef i cili vjen nga ekonomia gjithmonë në rënie, keqmenaxhimi i arsimit dhe spitaleve dhe shumë arsye të tjera që janë të jetës së përditshme të qytetarëve.

Rama nuk do guxojë as ta blejë e as ta vjedhë votën në Vlorë përndryshe përgjigjja e qytetarëve do të jetë më e fortë se asnjëherë tjetër.”

Leskaj ka ftuar qytetarët: “Të denoncojnë çdo falsifikim, që mund t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit. Të denoncojë çdo veprim që synon të dëmtojë dhe çdo gjë që është e paligjshme dhe që synon të manipulojë zgjedhjet, të minojë zgjedhjet, të denoncojnë në Prokurori, KQZ me qëllim që askush mos i shmanget drejtësisë.”

Artikulli paraprakPolitika e re shqiptare nuk ka nevojë për luftëtarë dhe urrejtje, por ka nevojë për ide dhe idealistë
Artikulli tjetërVota është liria që nuk ka çmim