Katër italianë kundër Armando Brojës, Luçiano Spaleti “blindon” mbrojtjen ndaj Shqipërisë

Debutimi i Luciano Spalletit në Euro 2024 po afrohet. Kampionët në fuqi të Europës do të sfidojnë Kombëtaren shqiptare për dy ditë në Dortmund, ndeshje e vlefshme për grupin B ku bëjnë pjesë edhe Spanja me Kroacinë. Sot trajneri italian kishte të gatshëm të gjithë lojtarët e thirrur për Europianin. Në një seancë stërvitore që zgjati mbi dy orë, në grup u rikthyen edhe Nikolo Barela dhe Nikolo Faxholi ndërsa Fratezi u bashkua me grupin që ditën e djeshme.

Teksa pret të kuptojë se si do të reagojnë dy lojtarët e rikuperuar nga dëmtimet ndaj stërvitjes së sotme, Spaleti po shqyrton seriozisht mundësinë e rikthimit me katër në mbrojtje për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Në fund të fundit, 2 javë më parë, në ditën e parë të grumbullimit, ai e kishte parashikuar tashmë: “Kundër skuadrave që luajnë vetëm me një sulmues do të luajmë me një mbrojtje me katër lojtarë”. Dhe Shqipëria, që ka vetëm Armando Brojën në qendër të sulmit, është një skuadër e tillë.

Sot trajneri këmbënguli në skemën 4-2-3-1. Di Lorenzo dhe Dimarko, dy mbrojtësit e krahut në një mbrojtje ku do të jetë edhe Bastoni dhe, me siguri, Xhanluka Mançini. Në mes të fushës i vetmi i sigurt për një vend titullari është Zhorzhinjo. Më pas, shumë do të varet nga rikuperimi i Barelas, me Kristanten i cili është gati për ta zëvendësuar. Kieza do të jetë anësori në të majtë, Pelegrini dhe Fratezi do të jenë dy të tjerët që do të plotësojnë mesfushën, ku do të mbështesin Skamakën, qendërsulmuesit që sot në konferencën për shtyp tha se ishte gati të merrte mbi supe këtë kombëtare.

Artikulli paraprakSi ndikon aktiviteti fizik në uljen e kolesterolit?
Artikulli tjetërMinistrat nga tetë vende të BE-së i kërkojnë Borrell: Kufizo lëvizjen e diplomatëve rusë në zonën Shengen