IDHUJ TË RREMË!

Nga Namir Lapardhaja

“U tret pluhuni i idhujve q`u shembën krejt, dhe s’u mbet fara, e idhujt që mbeten pa krena qëndrojnë si dëshmorët e shëmtuem e një jetës së përndueme.”

Koha i rrëzoi i idhujt dhe njerëzit mbi rrënojat e vjetra po ndërtojnë të rinj. Idhulli është një statujë a figurë që simbolizon një fuqi të mbinatyrshme dhe që adhurohet e nderohet si hyjni. Ai mund të jetë edhe njeri, të cilit i përulen të gjithë. Fjala e idhullit është e padiskutueshme. Vepra e tij nuk mund të analizohet. Idhullit thjesht i bindesh, pa asnjë mëdyshje. Njerëzit sherrnojnë për idhujt. Një pjesë e madhe e tyre, duke u mësuar për vite me radhë, nuk mund të jetojnë dot pa ta.
A nuk ishte Enver Hoxha idhulli më i madh i shqiptarëve për 45 vjet me radhë? A nuk ishte rrëzimi i bustit të tij një akt herezie dhe një triumf mbi idhujtarinë? Dhuna, burgosjet, internimet dhe forma të tjera të dënimeve në diktaturë, nuk ishin të mjaftueshme që njerëzit ta donin. Nëpërmjet këtyre formave mund të diktohej frika, por jo simpatia.
Diktatori donte dashurinë e tyre. E kishte të nevojshme që njerëzit ta donin. Pasi i shkatërroi besimin në Zot, kërkonte adhurimin e tyre. Idhujt vetëm mund të adhurohen.
Si mund të shpjegohet sot që ende vijohet të duhet Diktatori? Si ka mundësi që sot ka ende njerëz që flasin me simpati për regjimin e tij?
Kjo do të thotë se një pjesë e njerëzve e kanë dashur vërtet. Dhe vijojnë ta duan edhe sot.
Sepse asnjë regjim nuk mund të mbijetojë dot, pa admirimin e njerëzve. Propaganda, krahas metodave represive, shërbente për të kuruar imazhin e udhëheqësit.
Adhurimi i idhujve është diçka e shëmtuar.
Kush mund të besojë se fjala e njerëzve të zakonshëm të veshur me pushtet është e padiskutueshme? Si mund të ketë verbëri kaq të madhe ta shohë botën bardhezi, duke i ndarë njerëzit në të mirë, që respektojnë idhujt, dhe në të këqij, që nuk i besojnë idhujt?
Mjerë për atë popull që krijon idhuj dhe pastaj fillon e jeton me idenë se nuk mund të ekzistojë pa ata.
Koha i rrëzoi i idhujt dhe njerëzit mbi rrënojat e vjetra po ndërtojnë të rinj…

Artikulli paraprak​33 vjet nga rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha
Artikulli tjetër“Të largojmë mbeturinat e shtatoreve brenda vetes sonë”- 33 vite nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, Basha: Ta nxjerrim shoqërinë shqiptare nga hijet e të shkruarës