Gjuha që flitet vonë

Nga Dashnor Kokonozi

E kisha vënë re që më parë te miqtë e mi italianë. Kur ndonjëri prej tyre më thërriste në shtëpinë e tij në Belgjike, kisha rast të njihja edhe prindërit e tyre. Burra të mirë e të paqtë si pleqtë shqiptarë, të thuash. Ishin brezi i mëparshëm i emigrantëve. Ata që fill pas luftës, kur kishin një farë moshe, kishin shkuar të punonin në minierat e Belgjikës. Më tej kishin tërhequr edhe fëmijët e tyre, se jeta aty ishte mjaft më e mirë.
Fëmijët ishin shkolluar dhe jeta u kishte rezervuar një fat më të begatë. Dhe tamam këta me shqetësim më tregonin se “babot” e tyre po e humbisnin ngadalë frëngjishten, që dikur e kishin folur mirë, madje kishin bërë edhe kurse gjuhe.
Këtë e vëreja edhe unë. Ata mezi i gjenin fjalët. Kishte midis tyre që më flisnin me orë të tëra në italisht dhe kujtonin se po flisnin frëgjisht.
Për t’i thënë gjërat tamam, kam filluar edhe unë ta vë re edhe te vetja. Shoh se fjalori i të folmes sime, sikur po bjerret, po hyn në ujë. E vë re edhe nipi im që kthen kokën dhe më sheh me habi.
Me sa kuptoj fenomeni duket se prek ata që e kanë folur vonë.
Se për ta mësuar, unë frëngjishten e kam mësuar që herët. Isha kalama kur lexoja letërsinë e bukur frënge në origjinal, më tej e kaloja ditën duke lexuar gazetat frënge që vinin rregullisht në BK.
Me gjasa, ajo që e rrënjos më mirë gjuhën në kujtesë duket se është e folura. Por për ta folur, si i gjithë brezi im, edhe unë e kam folur sistematikisht vonë. Pak kohë para viteve ’90, në ndonjë takim me gazetarë të huaj. Pra, kur po i afrohesha 40 vjetëve.
Duket në përvetësimin e një të gjuhe të huaj, mund të ketë dy tipe kujtesë (po bëhem neurolinguist tani, megjithëse kam një formacion në pnl, programation neuro linguistique që nuk e kam ushtruar kurrë), pra në përvetësimin e një gjuhe të huaj hyn në lojë një kujtesë që shënjon në neurone gjuhën e shkruar dhe një tjetër gjuhën e folur.
Se nuk kam si e shpjegoj që lexoj si gjithnjë në frëngjisht disa orë në ditë pa asnjë problem, por kur zbres te kafeja poshtë shtëpisë apo te berberi, vërej se fjalët më vijnë me vonesë. Qoftë edhe për disa fragmente të sekondës.
Morali? Urgjentisht i duhet mësuar nipit shqipja, që të mos përfundoj duke folur me të me gishta!

Artikulli paraprakShkakton ndërlikime të rënda, ISHP: Këshilla për t’u mbrojtur nga gripi
Artikulli tjetërBerat/ 45-vjeçarja i jep fund jetës me fotoksinë, ja për çfarë dyshohet