Dostojevski, një ftesë për pyetjet e pashmangshme të Njeriut

Nga Agim Baçi

A është e nevojshme që të shkojmë patjetër në shkretëtirën e humbjeve për të vlerësuar atë që kemi patur tonën, apo kemi edhe rrugë të tjera? A e mendon njeriu atë që ka, atë që është e tija apo për të, apo kujtohet për vlerë e tyre vetëm kur nuk i zotëron më? Çfarë ëndërron një njeri kur është në pikun e fundmë të mundësive për të jetuar?
Fjodor Mihajlloviç Dostojevski është jo vetëm piktori i gjendjes njerëzore që vëzhgon në botën e mundimeve dhe kushteve të skëterrshme, por njëkohësisht edhe predikuesi i gjetjes së rrugëzgjidhjes për t’u ringritur e për të vlerësuar atë që vlen, atë që mund të na mbajë gjallë brenda kufijve të njeriut.
Përmes portreteve të sjella në romanin e tij “Shënime nga ‘shtëpia e të vdekurve’” – portrete që vijnë nga terri i thellë i njeriut të rrëzuar nga jeta,- lexuesi futet edhe në rrethin e pyetjeve pa fund për jetën, për atë që vlen. Por më parë se gjithçka duhet të mos i shmangesh një pyetje që Dostojevski ngre për të gjithë ne, kureshtarët e vdekshëm: A vlen t’i duam të tjerët dhe gjithçka përreth nesh vetëm pasi i kemi i humbur, apo duhet që të gjejmë udhët e t’i kuptojmë kur i kemi pranë nesh?
Dostojevski sjell këndvështrimin e botës nga “të vdekurit e gjallë”, përmes shënimeve të Aleksandër Petroviçit, një ish i dënuar për vrasjen e gruas nga xhelozia, e që kish mbetur në Siberi edhe pas përfundimit të dënimit. Darët e frikës, që kryqëzojnë deri edhe botën e ëndërrimeve, vijnë përmes një përshkrimi që të ngulitet thellë, duke patur ndoshta pasqyrën më të qashtër të asaj që njeriu nuk ka mundur dot ta përqafojë kur e ka patur pranë, fare pranë, gati si lëvizja e gjakut në damarin e qafës së tij.
“Të këtushmit kishin botën e tyre, që s’ngjante me asnjë botë tjetër, kishin ligjet dhe zakonet e tyre, kishin shtëpinë e të vdekurve, duke qenë të gjallë dhe bënin jetën që s’bëhej askund… Kishte nga ata që kishin vrarë fare rastësisht, po kishte edhe vrasës profesionistë, kishte banditë dhe kryebanditë, kishte thjesht batakçinj dhe marifetçinj të regjur, kishte dallaveraxhinj dhe kopukë. Por kishte dhe nga ata, për të cilët fort mirë mund të thuhej: e pse t’i kenë sjellë? Dhe secili kishte një histori të vetën, të turbullt dhe të rëndë si plumbi…. Rrallëkush tregonte për jetën e dikurshme, kërshëria nuk qe në modë, quhej diçka poshtëruese…”. (Fjodor Mihajlloviç Dostojevski, “Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, Uegen).
Akim Akimoviçi, Gazini, Sushillovi, Aliu, Çekunovi, Osipi, Kulikovi, e dhjetra e dhjetra emra të tjerë, që vijnë sipas rrëfimeve të tyre, nuk janë veçse pasqyra e fytyrës së të vdekurve nga pafuqia për të parë jetën në sy në çastin e duhur, atëherë kur nuk ishin humbës. Por teksa janë në shkallën e fundmë të takimit me jetën, duan që t’i kthejnë shpinën vdekjes e të mendojnë se si mund të jetonin me ata që i kishin aq pranë. Por ja që i kanë humbur miqtë, pasuritë, e gjithçka që kanë bërë në jetë. Ka qenë ndoshta vetëm një çast që ka shkaktuar rrokullimën e jetës së tyre. E që nga ai çast, e gjithë bota e tyre është vënë përballë territ, ku vdekja u jep damkën e vet, duke i lënë sërish në tokë.
Bota që sjell Dostojevski nuk është thjesht “bota tjetër”, por është “jeta përtej”, atje ku dukesh thjesht një spektator – por një spektator i lojë me jetën tënde, sepse në skenë sheh vetveten duke luajtur keq, pa fantazi, dhe pa kurajë për të parë atë çfarë mund të kishe. E për ironi, skena atje të tregon se ke qenë vetë regjisori i shfaqjes që ku luajtur kundër vetvetes. Ndaj e shkuara te personazhet e romanit është vetëm një gjë që vetëm vetëtregohet, e që nuk dëshiron pyetje të tjera nga askush.
Në tunelin e shpërfytyrimit, Dostojevski pikturon me të gjithë ngjyrën e fjalëve podiumin e hiearkinë së të keqes, si në rrathët e ferrit. Dhe në atë terr, e vetmja që shtrin dorën kah njeriu është fuqia e pendesës, melodinë e së cilës Dostojevski e ka luajtur mes atyre që vdekjen shtrat ku presin. E megjithatë, ka shpirtra që ajo melodi pendese, edhe në kulmin e vet të tringëllimit, nuk i mbërrin, nuk i rrok, pasi kanë humbur çdo udhë për të dëgjuar zemrën kur rreh.
“Se ka njerëz që kanë për shok tigrin: u gufon zemra kur lëpijnë gjakun e tjetrit. Kush e provon makar dhe një herë këtë pushtet, këtë sundim të pakufishëm mbi trupin, mbi gjakun, mbi shpirtin e njeriut të bërë nga Zoti ashtu si ai vetë, kush provon këtë pushtet dhe mundësinë e plotë për të poshtëruar sa më s’bëhet atë tjetrin, që ka po atë ymër si dhe ai vetë të dhënë nga perëndia – ky me dashje apo pa dashje e humbet pushtetin mbi ndijimet e veta…. Shoqëria që sodit me shpërfillje dukuri të tilla, është e molepsur nga të këqia të mëdha. Kështu që e drejta që kanë disa për të ndëshkuar fizikisht të tjerët është një gangrenë e shoqërisë, është mjeti më i egër që mbyt ende pa lindur çdo orvatje qytetarie, është një faktorshkatërrimtar deri dhe asgjësues i vetë shoqërisë”. (“Shënime nga shtëpia e të vdekurve”, f.172).
Përshkrimet dhe zhbirimet e jetës njerëzore e kanë kthyer Dostojevskin në “galerinë e nevojës për të kuptuar veten përpara se gjërat të mos jenë më në dorën tënde”. Siç thotë Stefan Cvajg në përshkrimin e jetës dhe veprës së tij, “Dostojevski, përmes vëzhgimeve të tij të pamata të qenies, mes ëndrrës dhe realitetit përvëlues, na ka afruar në shumë maksima për vetë jetën”.

Artikulli paraprakBesimi fetar dhe minoritetet/ Censi zbulon shifra surprizuese, 99.4% me kombësi shqiptare, sa u deklaruan grekë, “zhduket” pakica maqedonase. 1.1 mln myslimanë, Katolikë më shumë se Ortodoksë
Artikulli tjetërINSTAT/ Rreth 40 për qind e apartamenteve në pallate janë bosh