Dëshmia e Ahmetaj tregon pazarin e prishur me Ramën, por SPAK duhet të fillojë hetimet!

Nga Namir Lapardhaja

Marrëveshja e pushtetit me krimin e organizuar në të gjithë Shqipërinë është një ndër arsyet madhore të jetëgjatësisë së tij.

Në çdo qytet të vendit dihet se kush janë njerëzit që punojnë, mbledhin vota, u bëjnë presion qytetarëve, sa herë që ka zgjedhje.

Jo rastësisht, në masë të madhe këta janë pronarë kompanish ndërtimi, njerëz që përfitojnë tendera përgjatë vitit, të lidhur ngushtësisht me administratën dhe pushtetin socialist.

Dëshmia e Arben Ahmetajt në këtë drejtim, nuk sjell asgjë të re, veçse tregon pazarin e prishur mes tij dhe Edi Ramës.

Me rëndësi në këtë rast, është se kjo dëshmi vjen nga ish-numri dy i qeverisë, nga një bashkëpunëtor i afërt i kryeministrit dhe nga një figurë kyçe e pushtetit socialist përgjatë dy mandateve të saj, ndaj është e rëndësishme që SPAK këto indicie t’i marrë në konsideratë dhe të fillojë hetimet ndaj Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Përveç kësaj, një element tjetër i rëndësishëm është se sa shoqëria shqiptare reagon dhe është kundër këtij bashkëpunimi, mes politikës dhe krimit.

A nuk e shohin shqiptarët këtë bashkëpunim në të gjithë qytetet e vendit?!

Sigurisht që po! Veçse janë të frikësuar, ndaj një pjesë e madhe e tyre është indiferente.

Ashtu sikurse duhet ta pranojmë se kjo indiferencë vjen si pasojë e humbjes së besimit te politika, sipas parimit të gjithë njëlloj janë.

E vetmja zgjidhje në këtë rast është Prokuroria e Posaçme, e cila jo vetëm që po pastron krimin e organizuar nga rrugët dhe qytetet e vendit, por, njëkohësisht, duhet të spastrojë edhe politikanët e lidhur dhe që kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar.

Nuk është e lehtë, por as e pamundur.

Përsa i përket besimit të humbur, në këto kushte, është e domosdoshme alternativa e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila është e qartë në programin e saj për shkëputje të çdo lidhjeje të politikës me krimin, për vetingun e politikanëve, në mënyrë që të hetohen dhe të përjashtohen nga sistemi ato figura që e kanë përdorur krimin e organizuar për të përfituar vota dhe njëkohësisht u kanë dhënë tendera publikë në këmbim të mbështetjes elektorale, njëkohësisht kjo alternativë mbështet SPAK-un dhe GJKKO-në nëpërmjet amendamenteve konkrete, mbi bazën e nevojave dhe kërkesave të tyre, si shprehje e një vullneti të mirë që politika duhet t’i japë qytetarëve të saj, duke u vetofruar vetë e para për gjithçka.

Artikulli paraprakEdi Rama, një MAFIOZ i gjatë dhe elokuent
Artikulli tjetërBashkë për Çamërinë!