Çfarë mori vesh Blinken në Tiranë që në çdo postim për Shqipërinë, flet për luftën kundër krimit dhe korrupsionit?!

Si asnjëherë më parë, për vizitën e tij në Shqipëri, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, bëri 3 postime në rrjetin social X, veçmas atyre të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Ajo që u vu re ishte se në çdo postim të tij, përfshi edhe atë të fundit, gjatë kohës që ndodhej në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretari Blinken e vuri theksin tek “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Javën e kaluar bëra udhëtimin tim të parë si sekretar në Shqipëri, një partner i vjetër i SHBA-së dhe aleat i NATO-s, dhe më pas iu bashkova zëvendëspresidentes Kamala Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Në Shqipëri, me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama diskutova mbështetjen tonë për rrugën e saj drejt trashëgimisë në BE, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar…” – shkruan Blinken në postimin e tij të fundit për vizitën në Shqipëri.

Në Tiranë, përveçse me Presidentin dhe Kryeministrin e vendit, Sekretari i Shtetit Amerikan zhvilloi edhe një takim të hapur me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, të cilët, si asnjëherë më parë, ishin prezent në një takim publik të zhvilluar te “Piramida” me mikun amerikan dhe një takim të rezervuar, larg syrit të publikut, që u zhvillua në ambientet e Ambasadës Amerikane.

Në takimin e hapur, me sa duket, Blinken donte t’i përcillte një mesazh të qartë klasës politike shqiptare për të mbajtur larg duart nga ideja e kontrollit të SPAK apo për të mos vijuar sulmet ndaj tij, ndërsa në takimin e mbyllur në Ambasadën Amerikane duhet të ketë qenë radha e drejtuesit të SPAK-ut dhe drejtuesve të tjerë të sistemit të drejtësisë për të folur.

Çfarë ka marrë vesh Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken, gjatë këtij takimi, që në çdo postim të tij për Shqipërinë nuk ka lënë pa përmendur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Kjo ngelet për t’u parë në ditët në vijim, por e sigurt është që tymi i asaj vizite do të dalë së shpejti

Artikulli paraprak20 Shkurti 1991 dhe reflektimi ynë
Artikulli tjetërAkuzohet për korrupsion/ AMP arreston efektivin e policisë, iu merrte ryshfete shoferave