Borxhi i varur i bankave arrin nivelin më të lartë në gjashtë vjet

Borxhi i varur i sektorit bankar u rrit përsëri vitin e kaluar dhe arriti nivelin më të lartë në gjashtë vitet e fundit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se borxhi i varur në fund të vitit 2023 borxhi i varur kishte vlerën e afërsisht 21.5 miliardë lekëve, në rritje me 29.8% krahasuar me një vit më parë. Vlera e borxhit të varur në bilancin e sektorit bankar ka arritur nivelet më të larta që nga fundi i vitit 2017.

Borxhi i varur renditet i fundit në radhën e shlyerjes së detyrimeve të subjektit, në rast falimentimi. Për këtë arsye, ai klasifikohet si instrument me rrezik më të lartë krahasuar me detyrimet e tjera të një shoqërie tregtare. Në përgjithësi, bankat e përdorin borxhin e varur kryesisht si instrument plotësues në kapitalin rregullator.

Sipas rregullores “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, instrumentet e borxhit të varur të bankave njihen si kapital rregullator i nivelit të dytë, që mund të mbulojnë deri në një të tretën e kapitalit të kërkuar rregullator. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar borxhi i varur përbënte rreth 11.5% të kapitalit rregullator të sistemit bankar, në rritje nga niveli prej 9% zinte në fund të vitit 2021.

Në pjesën dërrmuese, kapitali i sektorit bankar konsiston në instrumente të nivelit të parë, si kapital i paguar, rezerva, fitime të mbartura apo prime aksionesh.

Borxhi i varur, i konvertueshëm në kapital aksioner të i bankave, mund të financohet nëpërmjet marrëveshje të huasë ose përmes emetimit të titujve të borxhit, që iu ofrohen për blerje individëve apo subjekteve të zgjedhur nga vetë emetuesi.

Në vitet e fundit, bankat tregtare shqiptare po përdorin gjithnjë e më shumë obligacionet me ofertë private si instrument i sigurimit të borxhit të varur. Ky përdorim ka shënuar rritje veçanërisht pas vitit 2019, kur nisi aplikimi i shtesave makroprudenciale të kapitalit. Ndërkohë, duke filluar nga ky vit pesë bankat më të mëdha janë subjekt i përmbushjes së rregullores për kërkesat minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).

Kjo rregullore ishte pjesë e kuadrit ligjor të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe kërkon që bankat të zotërojnë instrumente të kapitalit rregullator apo detyrime të pranuara që të mundësojnë përthithjen e humbjeve dhe rivendosjen e normës së mjaftueshmërisë së kapitalit. Dy rregulloret e mësipërme nxitën më shumë përdorimin e instrumentit të borxhit të varur nga bankat, si alternativë ndaj injektimeve të reja të kapitalit, që përgjithësisht nuk janë një zgjedhje e dëshirueshme për aksionerët.

Përdorimi i borxhit të varur është një mekanizëm që krijon hapësira për shpërndarjen e dividendëve për aksionerët, pikërisht sepse një pjesë e kërkesës rregullatore për kapital mbulohet nëpërmjet këtij borxhi.

Deri tani, shtatë prej bankave tregtare në vend kanë realizuar të paktën njëherë emetime të obligacioneve me ofertë, private, konkretisht Banka Kombëtare Tregtare, Credins Bank, OTP Albania, ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank dhe Fibank. Ndërkohë, Raiffeisen Bank vitin e kaluar nënshkroi një marrëveshje huaje prej 50 milionë eurosh me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në funksion të detyrimeve të MREL.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar në fund të vitit 2023 arriti në 19.42%, nga 18.13% që kishte qenë në fund të vitit 2022. /Monitor

Artikulli paraprakMartesat bien ndjeshëm në Europë, ndërsa në Shqipëri janë ende ndër më të lartat
Artikulli tjetërBIRN/ Hetimi i Prokurorisë: Si u toleruan katet pa leje të pallateve në Tiranë