Bluzat e bardha nuk mund të bëhen Kurban!

Nga Ermal Peçi

Që prej ditës së parë që lajmi se çfarë ndodhte në spitalin Onkologjik në QSUT u bë publik, jam menduar ta shikoj ftohtë atë se çfarë ishte krijuar aty. Jam munduar ta shikoj ftohtë për aq sa gjaku vlon, kur shikon se si bëhej biznes me vdekjen dhe si tentohej të bëheshin para nga të sëmurët me kancer. Mjekë që shkelin betimin e Hipokratit për tu bërë hipokritë duke humbur brenda vetes çdo qelizë njerëzore, humane, duke u kthyer në robotë, të cilët i përmbush vetëm leku pavarësisht se në çfarë gjendje ishte pacienti dhe sa i rrezikohej jeta. Letra e mësueses të ndjerë Ina Kasimati që jo vetëm e kishte paralajmëruar gjendjen katastrofike, por kishte treguar me detaje atë se çfarë ndodhte në atë institucion. Të paktën sipas hetimeve të bëra publike deri në këto momente ishte roli i mjekut Edmond Gashi, i cili jo vetëm i orientonte drejt privatit pacientët, por edhe i gënjente për gjendjen e tyre shëndetësore. Prej dy ditësh kam folur shpesh me kolegë, miq dhe mjekë për këtë problem duke diskutuar se a është faji i individit apo i sistemit. Në fakt në këtë dosje ka një episod që tregon se përveç mjekut Gashi që bënte pazar me vdekjen ishte edhe një mjek që emri i të cilit nuk bëhet publik, i cili kishte ngritur zërin disa herë tek drejtoria e QSUT për pajisjen e kancerit, e cila jo vetëm që nuk punonte, por rrezikonte dhe jetën e pacientëve të tjerë. Askush nuk po flet për këtë bluzë të bardhë, i cili pavarësisht situatës që kishte ngrinte zërin për ta ndryshuar situatën, askush nuk fokusohet tek ky episod sepse realisht sistemit të shëndetësisë i duhen bërë Kurban bluzat e bardha për të fshehur atë që kjo qeveri ka ngritur. Edi Rama ka për qëllim të bëjë Kurban këdo, i cili i zbulon fytyrën e vërtetë të sistemit që ka ngritur. Që në vitin 2013 kur Edi Rama erdhi në pushtet dhe vendosi në krye të shëndetësisë Ilir Beqja nisi një gjuheti shtrigash ndaj bluzave të bardha për të fshehur aferat me miliona euro që tashmë SPAK po i heton. Në çdo spital u vendos një banderolë e madhe ku lexohej: “DENONCO MJEKUN”, a thua që ai profesion, i cili konsiderohet nga më fisnikët pasi shpëton jetë, të shikoheshin si hajdutët e rëndomt të asaj që kishin dhe kanë krijuar politikat e gabuara të partive politike. Në asnjë spital askush nuk flet për protokollet mjekësore që në çdo vend të zhvilluar të botës janë të mirëpërcaktuara dhe për më shumë në sa e sa raste mjekët përballen me ofendime, dhunë verbale deri në kërcënime me jetën, të cilat jo vetëm jua u vështirësojnë profesionin por i fut në një luftë psikologjike me veten ku bluzat e bardha konsiderohen si hajdutë nga opinioni publik.
Askush sot nuk flet për monopolin që është krijuar në spitalet private dhe askush sot nuk flet për mafien e ilaçeve që kontrollon emërimet adminiatrative në shtet dhe emëron mjekët, pse askush nuk flet as nga qeveria, por dhe opozita, e cila dhe komisionin e shëndetësisë mbylli gojën për një sërë hetimesh. Këto janë pyetjet që duhet secili prej nesh t’i bëjë në këto momente, të cilat tabela kryesore e qitjes janë bërë mjekët. Pyll pa derra nuk ka kështu që edhe mes bluzave të bardha ka individë që bëjnë pis fytyrën e tyre, por dhe bluzën e mjekut, por kjo nuk do të thotë t’i përgjithsojmë e t’i fusim të gjithë në një thes. Universiteti i Mjekësisë jo vetëm ka prodhuar bluza të bardha, të cilat shpëtojnë jetë, por ne kemi parë që ka prodhuar dhe studentë kurajozë që padrejtësisë i kanë thënë STOP dhe kur vetë ligji i kësaj qeverie kërkonte t’i mbante me zorr në Shqipëri gati, gati një ligj diktatorial ku në vend t’ju përmirësonte kushtet, kërkonte t’ju mbyllte dyert me pretekste qesharake. Prandaj sot duhet të shikojmë ftohtë atë që realiteti politik ka prodhuar, se çfarë sistemi ka ngritur klasa politike dhe se çfarë peshe ka mjeku në këtë sistem sepse bluzat e bardha nuk mund të bëhen kurban as i politikës, por as i mllefit shoqëror.

Artikulli paraprakBasha: Programi ynë ekonomik forcon ekonominë, krijon vende pune me paga të larta
Artikulli tjetërKëshilltarët demokratë euroatlantik në bashkinë Durrës, kërkesë Prefektit: Refuzo tarifat e reja të parkimit në zonat A dhe B të qytetit