Amuli: Demokratët nuk tundohen nga ofertat e Ramës, 150 nëpunës bashkiakë u hodhën në rrugë

Xhevdet Amuli, kryetar i PD-së së Shkodrës, thotë se thirrja e kryesocialistit Rama për anëtarësimin në PS edhe të demokratëve, është e pavend. Sipas tij, kjo sepse demokratët e Shkodrës nuk mund t’I bashkohen kurrsesi të majtës.

“Janë hedhur në rrugë mbi 150 nëpunës bashkiakë. Prandaj nuk e di si demokratët mund t’i bashkohen atij.

Vizita e zotit Rama në Shkodër ishte një vizitë sa për të tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Ai nuk është ndaluar te investimet e premtuara, por te anëtarësimi i rinisë në forumet rinore. Është absurde të ftosh të rinjtë të anëtarësohen në parti kur ata nuk shohin këtu asnjë të ardhme.”

Amuli tha se demokratët në Shkodër janë të bashkuar.

“PD është në përmbyllje të strukturës së saj. Në fund të marsit ne mbyllim në të gjitha degët zgjedhjet në seksion dhe grupseksion. Jemi gati për zgjedhjet e ardhshme dhe jemi të qartë në drejtimin për të ardhmen.”

Amuli u shpreh i zhgënjyer nga drejtimi i Bashkisë së Shkodrës nga Benet Beci.

“Zoti Beci ka filluar sikur do t’i ndryshojë faqen qytetit. Janë bërë disa investime në disa pallate, por kjo nuk do të thotë se ka ndryshuar qyteti i Shkodrës. Është qytet i frekuentuar nga turistët, ndaj ka nevojë për infrastrukturë rrugore. Janë prezantuar projekte pa fund, por investime nuk shohim askund. Sot Rama nuk ka arsye të justifikohet se pengohet nga kryetari I bashkisë për lejet e projekteve.”

Lidhur me reformën zgjedhore, Amuli theksoi se demokratët e drejtuar nga Basha e kanë kërkuar me këmbëngulje hapjen e listave.

“Zotit Rama dhe zoti Berisha duan të mos hapen listat. Basha e ka kërkuar me të madhe, Alibeaj po e ndjek këtë në komisionin zgjedhor. Dihet kombëngulja e tyre për hapjen e listave të PD.”

Artikulli paraprakQokat para zgjedhjeve/ Zgjaten sërish afatet për “investitorët strategjikë”
Artikulli tjetërAleanca e çatisë – frymëmarrje provizore e autokracisë!