Dy tonelatat e drogës së Xhafës dhe zhdukja e dy biznesmenëve

Biznesmeni Adrian Jaho dhe ndihmësi i tij, Ariseld Maze, të cilët rezultojnë prej një jave të zhdukur, po transportonin me skaf drogën e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas mesazhit të dërguar nga një oficer policie në Vlorë. Berisha publikoi dje në Facebook mesazhin e oficerit të Policisë në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, i cili duke kërkuar ruajtjen e anonimatit me çdo kusht, shkruan se, Adrian Jaho dhe shoqëruesi i tij janë vrarë nga policia, pas një problemi që i dha skafi, pasi ishin nisur për të transportuar drogë në Itali.
Sipas oficerit, policët, të cilët janë paguar për të lejuar trafikimin e drogës, kanë ekzekutuar Jahon dhe mikun e tij, pasi nëse ktheheshin në breg do t’i hapnin probleme. Në vazhdim, oficeri shkruan se trafikimi bëhet me lejen e drejtorit të Kufirit dhe shefit të Triportit, të cilët i përmend edhe me emra. Përpos këtij përshkrimi rrëqethës të situatës, oficeri i kërkon sërish Sali Berishës të ruajë anonimitetin, pasi sikurse shkruan: “Doktor se këta nuk tallen, të heqin qafe”.
“Të reja nga Republika e Noriegës! Policia e implikuar direkt në zhdukjen e Adriano Jahos dhe Ariseld Maze! Ata transportonin drogën e klanit Xhafa. Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha në Facebook.
“Përshëndetje Doktor, unë që po të shkruaj jam një oficer Policie në Drejtorinë e Vlorës. Dua të denoncoj në lidhje me zhdukjen e shtetasit Adriano Jaho dhe ndihmësin e tij Ariseld Maze. Të dy këta persona janë skafista dhe merren me transport droge (hashash) nga Shqipëria në Itali, ku nisen gjithmonë nga Vlora nën mbështetjen e policisë. Adriano Jaho ka hotel “Europën” në Vlorë, njihet me pseudonimin Toshi. Të dy këta persona Toshi i “Europës” dhe Ariseld Maze, të cilët raportohen të humbur nga data 3 korrik, ku policia thotë që janë nisur nga Durrësi, nuk është e vërtetë. Të dy këta persona, pasi kanë ngarkuar skafin me 2 tonë hashash tek kanali në Orikum me ndihmën e Policisë Kufitare të Vlorës janë nisur për ta çuar në Itali. Pasi kanë ecur për rreth 45 min, ata kanë pasur probleme me skafin, ju kanë kërkuar ndihmë miqve të tyre që të kthehen, por policia nuk i ka lënë të kthehen, pasi ata e kishin bërë punën e tyre, ku kanë marrë 30 mijë euro dhe po të ktheheshin do ju hapnin probleme, pra është vetë policia që i ka vrarë me dorën e vet këta dy trafikantë. Droga në skaf ka qenë e Gonit, vëllait të ish-ministrit Xhafaj dhe një personi tjetër Gjergji. Goni dhe Gjergji kanë miqtë e tyre në Policinë Kufitare të Vlorës, të cilët sigurojnë nisjen e skafeve. Ata janë drejtori i Kufirit Luan Hyseni dhe shefi i Triportit, Adi Ceka. Adi Ceka ka lidhje të shumta me trafikantët ku pa ndihmën e tij nuk lëviz dot asgjë. Të dy si Adi dhe Luani janë miq të ngushtë të Rebani Jaupit dhe Sokol Bizhgës dhe me pëlqimin dhe miratimin e Gonit të Xhafës janë aty.
Po kështu këta të dy, Adi dhe Luani më dt. 19 maj 2017 kanë nisur Toshin e Europës me një gomone me 2.2 tonë hashash, e cila u gjet e braktisur në brigjet italiane dhe kjo ngarkesë ka qenë e Gonit të Xhafës dhe Gjergjit. Të lutem ruaj anonimitetin Doktor se këta nuk tallen, të heqin qafe”, shkruan oficeri i Policisë së Vlorës.

Mediat italiane: Gjykata shqiptare liroi “Zotin e drogës”nga burgu

Lajmi për lirimin nga Gjykata e Durrësit e 44-vjeçarit Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge nga drejtësia italiane është pasqyruar edhe nga mediat italiane. “Alket Hatija, i aftë për të transportuar kuintale heroinë e kokainë drejt Milanos, u arrestua pak ditë më parë në Durrës. Sipas gjykatësit, ai e kishte shlyer dënimin më parë. Me gjasë tashmë është arratisur”, shkruajnë mediat italiane.
Gjykata rrëzoi të martën kërkesën e Prokurorisë për të lënë në 40 ditë burg Hatinë, në pritje të procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë. Sipas gjykatësit, shkruajnë mediat italiane, Hatija e ka shlyer një dënim, për të njëjtin krim, në Shqipëri. “Në fakt në 2010-ën, Gjykata për Krimet e Rënda e ka dënuar me 10 vite burg, nga ku doli pas një periudhe të shkurtër, për sjellje të mirë”, theksojnë mediat fqinje më tej.
Ndonëse Prokuroria e Durrësit ka bërë rekurs në Gjykatën e Apelit, për të kundërshtuar lirimin nga burgu të Hatiajt, mediat shkruajnë se me gjasë ai tashmë është arratisur. I aftë për të dërguar kuintalë heroinë e kokainë në Milano, me ngarkesa që vinin nga Shqipëria, Hatiajt jetonte në një vilë bunker në Berat, i rrethuar nga truproje të armatosur.
Nga janari i 2003 deri në mars të 2004-ës ai transportoi plot 540 kilogramë drogë drejt Italisë.
Dënimi me 20 vite burg u dha nga Gjykata italiane prillin e vitit të shkuar. Ai u arrestua të shtunën në Durrës, ndërkohë që po vizitonte një mikun e tij.
Mediat e vendit fqinj e kanë cilësuar Alket Hatiajn si “Zotin e drogës”, apo trafikanti i “pastër”, pasi nuk e prekte lëndën narkotike që lëvizte. Mënyra sesi operonte ishte tepër e rafinuar. Fliste pak në telefon dhe askush nuk e thërriste kurrë në emër. Droga, e cila vinte nga Shqipëria nëpërmjet anijeve, makinave e kamionëve, dorëzohej menjëherë. Kështu ‘malli’ nuk qëndronte për kohë të gjatë në ‘duart’ e narkotrafikantit, e pikërisht për këtë arsye nuk përdorte asnjë lloj magazine për të ruajtur lëndën narkotike.
Ndërkohë, Prokuroria e Durrësit kërkon arrestimin e Alket Hatiajt, i cili të martën u lirua nga Gjykata e Shkallës së Parë e këtij qyteti. Në shkresën e firmosur nga prokurori Agron Gjana, thuhet se lirimi i 44-vjeçarit nuk është i drejtë, pasi është shkelur ligji i ekstradimeve. Për këtë arsye, ai kërkon arrestimin e përkohshëm të Hatiajt deri në mbërritje të dokumentacionit nga pala italiane.

Ministri i Drejtësisë i kërkon KLD të verifikojë lirimin e baronit të drogës

Ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi i është drejtuar me një shkresë inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të kryer verifikimin e lirimit të baronit të drogës, Alket Hatia nga Gjykata e Durrësit. Ndërkohë nga ana tjetër ka reaguar edhe vetë Gjykata e Durrësit. Në vendimin e saj, Gjykata sqaron se, Alket Hatija ka paraqitur në gjykim  edhe nje vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, me të cilin është dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, të cilin e ka kryer në burgjet shqiptare.
Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, e cila liroi në detyrim paraqitje 45-vjeçarin Alket Hatia, ka ardhur edhe reagimi i Prokurorisë. Organi i akuzës i është drejtuar mënjëherë Gjykatës së Apelit Durrës, duke kërkuar riarrestimin e të akuzuarit në pritje të ekstradimit të tij në shtetin italian, për të vuajtur dënimin me 20 vite burg, të marrë për trafikim të lëndëve narkotike.
Në ankimimin e saj, Prokuroria e Durrësit argumenton se vendimi i Shkallës së Parë që vendosi lirimin e menjëhershem të 45-vjeçarit është i padrejtë dhe në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë këtë aspekt ndërmjet shteteve në procesin penal.
Ndërkohë Gjykata nga ana e saj e ka argumentuar lirimin mbështetur në kërkesën e avokatit të të akuzuarit sipas, të cilit Hatia ishte dënuar njëherë më parë në Shqipëri në vitin 2010 për këtë vepër me të njëjtat fakte, dënim të cilin e ka shlyer. Ndërkohë lirimi i 45-vjeçarit ka gjetur pasqyrim edhe në mediat italiane.
Të përditshmet “La Reppublica”, “Il Giorno” , Agjensia Ansa etj., informuan se Alket Hatija 45 vjeç është një nga bosët më të mëdhenj të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ai ishte shpallur prej vitesh person në kërkim, por për të kishte shumë pak të dhëna. Për herë të parë Hatia mbërriti në Itali në vitin 1997.
Jetonte në komunën Campomarino në provincën e Campobassos në një banesë në rrugën Kennedy ku kishte punuar për pak kohë në bujqësi. Sipas mediave italiane, hetimet e Policisë italiane kanë vërtetuar se nga janari i vitit 2003 deri në mars të 2004, Alket Hatija kishte trafikuar në 59 raste në qytetin e Milanos rreth 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë 35-40 milionë euro.
Në prill të këtij viti, Gjykata e Milanos mori vendimin përfundimtar, duke e dënuar me 20 vjet burg për trafik ndërkombëtar droge. Sipas investigimeve, bashkëpunimi i Interpolit me Policinë shqiptare kishte mundur të identifikonte se Alket Hatija jetonte në një vilë luksoze me bunker në zonën e Beratit i rrethuar nga rojet personale të armatosura.

Exit mobile version