Mosndëshkimi për zjarret nxit djegiet e qëllimshme

Shqipëria ndodhet në flakë prej disa ditësh nga zjarret e qëllimshme. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal në Shqipëri. Nëse nga vepra penale shkaktohen pasoja të rënda materiale, dënimet me burgim mund të arrijnë deri në dhjetë vjet. Por, dënimet për zjarrvëniet në Shqipëri numërohen me gishta, ndonëse vendi, sidomos në sezonin e verës, përfshihet nga qindra zjarre që në pjesën dërrmuese janë të qëllimshme dhe me dëme të mëdha materiale.
Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës në harkun e gati një muaji janë shënuar këtë vit mbi 30 zjarre, ndërsa këto ditë në Shqipëri shënohen 10-20 vatra zjarri çdo ditë. Të dhënat e Prokurorisë së Përgjithshme flasin se gjatë vitit 2016 në shkallë vendi u regjistruan 16 procedime penale me katër persona të pandehur. Por sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm të vitit 2016 vetëm një çështje iu dërgua Gjykatës dhe vetëm një person rezultoi i dënuar.
Numri i procedimeve ra krahasuar me vitin 2015, kur u shënuan 27 raste për zjarrvënie të qëllimshme, por nga të cilat nuk u dërgua asnjë në Gjykatë dhe nuk pati asnjë person të dënuar.
Specialistët e pyjeve flasin me shqetësim për nivelet e ulëta të ndëshkimeve nga organet e drejtësisë, të cilat kanë nxitur zjarrvëniet e qëllimshme. Në Shqipëri ka një “traditë të keqe” të barinjve që djegin kullotat me pretendimin për ripërtëritjen e tyre me shirat e parë të vjeshtës. Në mjaft raste këto zjarre të qëllimshme dalin jashtë kontrollit dhe nga sipërfaqet kullosore prekin sipërfaqe të mëdha pyjore.
Barinjtë shihen si zjarrvënësit kryesorë dhe ndonëse shërbimet pyjore marrin prej tyre deklarata të përvitshme për mospërsëritje kontratash në raste zjarresh në sipërfaqet që ata kanë me qira, asnjë prej tyre nuk penalizohet edhe nga ana administrative.
Sipas raporteve të Emergjencave Civile, rreth 30 për qind e zjarreve në Shqipëri ndodhin në pyje duke sjellë dëmtime të sipërfaqeve që kanë pasur pasoja edhe nga prerjet e paligjshme. Kryetari i organizatës jo qeveritare Federata e Pyjeve në Gjirokastër, Kleanthi Mandi thotë se masat ligjore duhet të jenë më të ashpra. Sipas inxhinierit pyjor, dëmi ekonomik nga zjarret është kolosal për pyjet, të cilat kanë pësuar vitet e fundit pasoja të mëdha nga prerjet e pakontrolluara dhe keqmenaxhimi.
Vetëm dy ditët e fundit në qytetin e Tepelenës zjarri dogji rreth 17 hektarë të kurorës së gjelbërt duke dëmtuar edhe pisha shumëvjeçare, dhjetëra pemë ulliri, ekonomi të bletëve dhe pasuri të tjera të qytetarëve. Ndërsa dëmi vetëm nga kjo vatër zjarri llogaritet në miliona euro ende po hetohet mbi personat përgjegjës dhe nuk ka asnjë të arrestuar.
Zjarri në kodrat e Kosovës së Vogël dhe Çiflikut në Lushnjë vazhdon të djegë sipërfaqet e mbjella me ullinj dhe drufrutore. Flakët janë lokalizuar gjatë natës, por vatra është aktivizuar përsëri. Terreni i thyer nuk i ndihmoi mjetet zjarrfikëse që të depërtonin në brendësi. Me ndihmën e banorëve, zjarrfikësit kanë hapur kanale për ta mbajtur zjarrin në kontroll. Nga përllogaritjet e deritanishme të vendorëve thuhet se flakët prekën 30 hektarë dhe kanë dëmtuar 7 mijë pemë.
Zjarri që përfshiu një pyll në malin e Milesë në Konispol vazhdon akoma. Sipas informacionit nga Shtabi i Emergjencave, nuk ka rrezik për banesa e njerëz, por demi është shumë i madh tek drurët. Dyshohet që zjarri është i qëllimshëm nga banorët që duan të hapin kullota. Aktualisht po punohet me mjete rrethanore për të mbajtur nën kontroll flakët, ndërkohë që është kërkuar ndërhyrja nga ajri.

Shpërthejnë zjarret në të gjithë Shqipërinë, kërkohet ndërhyrja me helikopterë

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 9 vatra zjarri në Gjirokastër, Vlorë, Fier dhe Dibër. Në operacione për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 40 zjarrfikës me 8 automjete, 40 forca ushtarake, si dhe helikopterë.
Specialistët e Emergjencave Civile janë duke mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë vendin, pasi rreziku i zjarreve për shkak të temperaturave të larta është ende evident.
QARKU VLORË
– Në malin Mile Konispol, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset e  Sarandës e kanë të pamundur të ndërhyjnë për shkak të terrenit. Për këtë shkak është dërguar një helikopter i cili po punon për shuarjen e zjarrit.
– Në fshatin Mavrovë, Selenicë ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 150 ha me shkurre dhe 300 rrënjë ulliri. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.
– Në fshatin Vodicë, Selenicë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Zjarrfikëset kanë operuar me mjete rrethanore dhe kanë shuar flakët pas disa orësh. Nga zjarri u dogj një sipërfaqe me shkurre.
QARKU DIBËR
– Në fshatin Llapushë, Klos ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Shërbimi i zjarrfikësve të Burrelit e ka pasur të pamundur për të vepruar për shkak të terrenit të thyer malor. Vatra e zjarrit është shumë larg zonës së banuar dhe nuk krijon rrezikshmëri për banorët.
– Në fshatin Maqellarë, Dibër zjarri përfshiu një sipërfaqe pyjore me shkurre dhe pisha. Pas ndërhyrjes nga ajri me anë të helikopterëve është bërë i mundur shuarja e zjarrit. Ndërkohë forcat zjarrfikësve po ndërhyjnë për të shuar zjarret e fshehura në mënyrë për të eliminuar mundësinë e riaktivizimit.
– Në fshatin Patin, Klos, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pisha të larta. Për shkak të terrenit të vështirë zjarrfikëset kanë përdorur mjete rrethanore. Në ndihmë të tyre kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë. Për shuarjen e zjarrit u angazhua një helikopter. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 12 ha me shkurre dhe pisha.
– Në Qafë Dardhë, Klos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Ndërhyrja nga forcat zjarrfikëse ka qenë e pamundur për shkak të terrenit të thyer malor. Vatra e zjarrit e re ishte në afërsi me fshatin Patin. Edhe këtu ka ndërhyrë helikopteri, i cili po operonte në vatrën e parë. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha me shkurre dhe pisha.
QARKU GJIROKASTËR
– Në fshatin Goricë, Dropull, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe forcat e ushtrisë për të shuar flakët. Pas një pune disa orëshe zjarri është izoluar dhe më pas është fikur. Si pasojë u dogj një sipërfaqe rreth 7 ha me shkurre.
QARKU FIER
– Në fshatin Çiflig, Lushnjë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 10 ha me shkurre dhe ullishte. Nga zjarri nuk pati njerëz të lënduar.

Exit mobile version