“Ndryshimet kushtetuese Rama-Berisha të 2008-ës duhen zhbërë”, Basha: Shqiptarët meritojnë lista të hapura, votën e diasporës dhe votimin elektronik

Në emisionin “Ekspres” në RTSH, kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha tha se ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës duhen shfuqizuar pasi e kanë kthyer Shqipërinë në Republikë kryeministrore. Siaps Bashës, Rama dhe Berisha po veprojnë në vazhdim të asaj marrëveshje, pasojat e të cilës janë korrupsioni dhe shpopullimi. Propozimet për listat e hapura, votën e diapsorës, numërimin elektronik, barazinë e votës dhe Shqipëria një zonë, të depozitara në Kuvend nga demokratët euroatlantikë, janë ndryshime që i duhen vendit.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Ne kemi çuar në parlament propozimet tona për kodin zgjedhor. Dhe këto propozime siç i di tashmë mbarë Shqipëria, janë 4: listat e hapura, pra ta zgjedhi qytetari deputetin, jo kryetari i partisë. Së dyti, votimi dhe numërimi elektronik, sepse shmang shumë problematika dhe shumë manipulime të zgjedhjeve të kaluara nga qeveria. Së treti, barazia e votës, sepse sot një deputetë në Vlorë zgjidhet me 8500 vota, por në Kukës me 13 500 vota dhe kjo nuk është barazi vote. Shqipëria një zonë elektorale, është ajo që ne kemi propozuar. Dhe e katërta që e kemi çuar qartësisht se si duhet bërë, është vota e diasporës. Me Shqipërinë një zonë elektorale, me votimin elektronik, me listat e hapura, diaspora e ka fare të lehtë, shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë e kanë fare të leht të hedhin votën e tyre. Pra, propozimet tona janë aty. Në qoftë se këto propozime vijnë debatohen, diskutohen, padiskutim na duhet vota e çdokujt, edhe e socialistëve për t’i kaluar. Fatkeqësisht duhet ta them, nga ky moment ku jemi sot duket qartë pjesë e pazarit është që të mbahet në fuqi kodi zgjedhor dhe ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës.

Prandaj dua ta them edhe sot këtu, nuk kam hequr dorë nga ajo që kam shpallur edhe para vet zotit Berisha në mbledhje të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që para disa vitesh, për shfuqizimin, hedhjen poshtë të ndryshimeve famëkeqe të Kushtetutës në vitin 2008, që i vunë minat një Republike me potencial demokratëik dhe krijuan Republikën kryeministrore. Ja ku janë pasojat, korrupsion, emigracion, shpopullim dhe një rini e cila nuk e gjen veten në Shqipëri. Ky është shqetësimi ynë kryesor.

Exit mobile version