Hahn: Shqipëria, shumë larg BE-së

– “Deutsche Welle”: Zoti Hahn, a ka impulse të reja dhe pritje pozitive për samitin në Trieste? Muajt e fundit në raportet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE ka pasur vështirësi të shumta.
Johannes Hahn: Unë mendoj se samiti në Trieste është përgatitur në mënyrë të mrekullueshme nga nikoqirët italianë. Ne jemi përpjekur që në këtë samit të kemi sa më shumë rezultate konkrete. Për shembull, kemi përgatitur për nënshkrim një marrëveshje për transportin. Kjo do të thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndërlidhen me ligjet e BE – që forcon edhe raportet ekonomike dhe i jep impulse të reja rajonit. Ne do të miratojmë një radhë projektesh në fushën e transportit, respektivisht energjisë, në vlerë prej rreth 200 milionë euro, që në fund mund të rezultojnë me investime në vlerë prej rreth 540 milionë eurosh. Këtu është shumë me rëndësi që të krijohet edhe baza për rritjen ekonomike në rajon dhe për një tregti ndërrajonale, ku ka shumë potencial. Ne mendojmë se në vitet e ardhshme në këtë rajon do të hapen rreth 80.000 vende të reja pune.

– Këto janë lajme të mira, po ku ka më së shumti pengesa?
Po, si gjithmonë në rajon, më së shumti ka probleme me afatet kohore për zbatim. Ka shumë premtime, shumë pëlqime, por zbatimi i marrëveshjeve është më i ngadalshëm. Këtu kërkohet më shumë angazhim. Por kjo është gjendja në rajon dhe me këtë jemi mësuar. Tek e fundit, qëllimi është që 20 milionë banorëve të atjeshëm t’u hapet një perspektivë, të sigurohet stabiliteti dhe nëse doni – të garantohet paqja në rajon.

– Stabilitet, siguri, prosperitet ekonomik – të gjitha këto i përmendët, por jo edhe demokracinë. Shumë shpesh thuhet se me projektet e BE-së po forcohen tepër strukturat autokratike në rajon. Cilat janë argumentet tuaja kundër këtyre pohimeve?
Kur flas për stabilitetin, natyrisht që kjo nënkupton edhe forcimin e demokracisë. Nëse njerëzit nuk mund të shprehin mendimin e tyre të lirë, nëse nuk janë të lirë në veprim, atëherë nuk mund t’i gëzojnë këto vlera, të cilat Evropën e bëjnë kaq unike. Ky është edhe shkaku pse Evropa është kaq atraktive edhe për vendet e Ballkanit, të cilat duan që një ditë të anëtarësohen në BE. Zhvillimi ekonomik është i mundur vetëm nëse funksionon shteti juridik. Kjo sepse askush nuk do të investojë para në rajon, as investitorët e rajonit, as ata nga vendet e BE, nëse për shembull, nuk funksionojnë si duhet organet juridike.

– Në samitin e sotëm (djeshëm) do të prezantohen projekte konkrete. Cilat?
Ne kemi përgatitur konkretisht gjashtë projekte për trafikun, si në fushën e rrugëve ashtu edhe hekurudhave. Projekti hekurudhor i njohur si “Korridor 8”, që ndërlidh Lindjen me Perëndimin, nga Bullgaria deri në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Më pas ajo mund të vazhdojë edhe për në Shqipëri. Ne kemi parasysh edhe rrugët ujore mes Bosnje-Hercegovinës dhe Serbisë. Këtu bëhet fjalë në radhë të parë për ndërtimin e porteve. Të gjitha këto janë të rëndësishme. Apo dhe projekte të ndryshme për ndërtimin e rrugëve, si për shembull mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kroacisë. Këto janë investime vendimtare, por që duhet të realizohen. Në fushën e transportit do të japim në dispozicion rreth 145 milionë euro, që mund të shkaktojnë investime të përgjithshme deri në 450 milionë euro. Një projekt tjetër në fushën e energjisë është “Interconnector”, një linjë e përçimit të gazit mes Serbisë dhe Bullgarisë. Një investim prej rreth 50 milionë eurosh.

– Zhvillimi ekonomik, marrëveshjet për transport – të gjitha këto tingëllojnë gati si anakronike nëse shikojmë konfliktet e hapura në raportet mes vendeve të këtij rajoni. Si do t’i zgjidhni këto probleme të mëdha?
Ky është në fakt edhe sharmi i këtij procesi, sepse ne themi: ne duam t’i bashkojmë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku, pavarësisht nga niveli që kanë arritur në procesin e anëtarësimit të ardhshëm në BE. Ne konkretisht jemi duke zhvilluar negociata me Serbinë dhe Malin e Zi, me të tjerat jemi shumë larg. Por me përpjekjet tona që këto vende, të cilat janë të rrethuara nga anëtaret e BE-së, t’i fusim në infrastrukturën e BE-së në transport dhe në energji, krijohet një bazë për futjen e tyre në struktura të BE-së. Në këtë mënyrë krijohet edhe baza për zgjidhjen e njërit apo tjetrit konflikt, apo të paktën që të zhvillojmë një perspektivë, e cila mund të funksionojë në të ardhmen.

– Cilët janë hapat që duhen ndërmarrë pas samitit?
Marrëveshjet duhet të zbatohen. Unë këtë vit kam marrë pjesë në fillimin e dy projekteve për ura, në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci, por edhe në Serbi. Edhe në sektorin e energjisë kemi financuar disa projekte, që duhet të ndërlidhin Malin e Zi me Italinë, por edhe Malin e Zi – përmes vendeve të Ballkanit – me Rumaninë. Këtu në Trieste do të ndodhë diçka shumë konkrete: bëhet fjalë për ndihmën e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të samitit do të nënshkruhet një marrëveshje për ndarjen e një buxheti prej 48 milionë eurosh, që mund t’u ndahen si kredi rreth 6000 sipërmarrjeve. Pra, kemi të bëjmë me projekte shumë konkrete që duhet të ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Ne me siguri që do të përgatisim projekte konkrete edhe për samitin e ardhshëm. Sepse deri në fund të kësaj dekade duam të ndajmë rreth një miliard euro, për të arritur diçka në këtë rajon…

– …që këto vende të futen në BE?
…që këto vende të përgatiten për një kalim sa më të lehtë deri në BE.

Në fokus sundimi i ligjit dhe lufta antikorrupsion

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zbogar u ka drejtuar mesazh vendeve të Ballkanit Perëndimor, se bashkëpunimi ekonomik dhe ai politik mes tyre e shkurton rrugën e integrimit euro-atlantik. Këto mesazhe, Zbogar i ka adresuar në kuadër të fillimit të Samitit të Ballkanit Perëndimor, që po të mbahet në Triestë të Italisë. Përfaqësuesit e lartë të gjashtë vendeve të rajonit, bashkë me kolegët e tyre nga gjashtë vende anëtare të BE-së, më 12 korrik, në kuadër të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Trieste, pritet të fokusohen në krijimin e kushteve për stabilitet ekonomik, shmangien e retorikës nacionaliste, zhvillimin e sigurisë në kuadër të shteteve të rajonit si dhe fuqizimin e rrjetit infrastrukturor dhe energjetik. Diplomatët evropianë thanë po ashtu se një rëndësi e veçantë, në kuadër të Samitit të Triestës, do t’i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe sforcimit të sundimit të rendit dhe ligjit.

Plani i BE për zonë ekonomike të përbashkët

Krerët e shteteve dhe të qeverive të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën dje në Takimin e Nivelit të Lartë të Triestes, një tjetër etapë e Procesit të Berlinit, nisma e cila mori jetë më 2014 falë angazhimit direkt të kancelares gjermane, Angela Merkel. Procesi i Berlinit synon përshpejtimin e integrimit europian të vendeve të rajonit të Ballkanit, nxitjen e bashkëpunimit mes tyre, si dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik.
Federica Mogherini, përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Johannes Hahn, komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit dhe Violeta Bulc, komisionere për Transportin, janë pjesë e takimit të Triestes, së bashku me përfaqësues të lartë nga gjashtë shtete anëtare të BE-së (Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia). Në takim përveç kryeministrit italian Paolo Gentiloni, merr pjesë dhe kancelarja Merken, si dhe Presidenti francez Emanuel Macron.
Diskutimet fokusohen në tri fusha kyçe të bashkëpunimit rajonal: Ndërlidhja, integrimi rajonal ekonomik dhe zhvillimi i sektorit privat, si dhe kontaktet mes njerëzve.
Në fushën e ndërlidhjes, synimi është krijimi i kushteve për rritje ekonomike dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, në veçanti përmes përgatitjes dhe financimit të projekteve konkrete të investimeve në infrastrukturë rajonale në sektorët e transportit dhe energjisë. Gjatë takimit, Komisioni Evropian prezantoi fonde të reja të konsiderueshme si pjesë e “paketës vjetore të ndërlidhjes”. Bëhet fjalë për një fond prej 48 milionë eurosh, të cilat do të shkojnë në mbështetje të sipërmarrjeve, start-up dhe infrastrukturës. Në përfundim të takimit të Triestes pritet dhe firmosja e Traktatit të Komunitetit të Transportit, i cili do të ndihmojë në integrimin e rrjeteve të transportit në rajon dhe me BE-në dhe do të udhëheqë masat reformuese në sektorin e transportit.
Sa i përket integrimit ekonomik rajonal, partnerët e Ballkanit Perëndimor pritet të bien dakord mbi një plan veprimi për të zhvilluar një Zonë Ekonomike Rajonale me qëllim të rritjes së tërheqjes të rajonit për të rritur investimet dhe për të gjeneruar vende pune, veçanërisht nëpërmjet rritjes inteligjente, bizneseve të reja dhe rritjes së kapacitetit. Sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili ka mbështetur që në fillim idenë e kësaj nisme Zona Ekonomike Rajonale është “një gur themeli që do të lehtësojë procesin e anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian”. Në një shkrim të tijin botuar dje në “Wall Street Journal” zoti Rama shprehet se “ekzistojnë disa dyshime mbi këtë plan. Disa prej kolegëve të mi të Ballkanit Perëndimor i frikësohen idesë se kjo Zonë Ekonomike Rajonale mund të jetë një rrugë pa krye, një stacion në të cilin Brukseli do të na braktisë. Disa vende anëtare dhe disa liderë europianë, në fakt, kanë shprehur hezitim për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së. Megjithatë, thekson ai, mjafton të shohim Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë të Europës Qendrore, marrëveshje në të cilat të gjashtë vendet tona janë firmëtare, për të kuptuar se zona ekonomike mund të ndihmojë, e jo të pengojë progresin tonë. Përfitimet e një Zone Ekonomike Rajonale janë të menjëhershme. Tregu i Ballkanit Perëndimor prej 20 milionë banorësh është më tërheqës për tregtinë dhe për investitorët, se sa tregu shqiptar me më pak se katër milionë banorë”.
Sa i përket kontakteve mes njerëzve, Komisioni Evropian së bashku me qeverinë italiane kanë organizuar në kuadër të takimit të Triestes, një forum rinor BE-Ballkani Perëndimor, për të vlerësuar rezultatet e arritura që nga viti i kaluar dhe për të eksploruar fusha të tjera të bashkëpunimit. Bazuar në rezultatet e forumit të të rinjve, Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me qendër në Tiranë, do të zhvillojë më tej programin e saj të punës për të nxitur bashkëpunimin midis të rinjve të rajonit.

Exit mobile version