Zjarret nuk ndalen, flakët përpijnë pyllin me pisha në Voskopojë

Zjarret vazhdojnë të përpijnë pyje e kullota në të gjithë vendin. Gjatë ditës së djeshme janë shfaqur 8 vatra të reja zjarri në disa qarqe të vendit. Por situata paraqitet kritike ndërmjet Lekasit dhe Voskopojës, ku janë përpirë dhjetëra hektarë me pisha nga zjarri që vijon prej tre ditësh. Terreni i thyer malor e bën të vështirë ndërhyrjen e forcave të Emergjencës Civile.
QARKU KORÇË
Vatrat e zjarrit ndërmjet Lekasit dhe Voskopojës, Bashkia Korçë kanë vazhduar të jenë aktive, pasi flakët kanë përfshirë një territor me pisha të larta dhe tepër të thyer, i vështirë për t’u aksesuar nga mjetet zjarrfikëse.
. Në fshatin Taç i Sipërm, Bashkia Kolonjë ka rënë zjarr në shkurre e ferra në afërsi të varrezave. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, punonjës të pyjores, dhe forca të Policisë Kufitare, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.3 ha me shkurre, dhe u dëmtuan pjesërisht 20 varre.
QARKU LEZHË
Zjarri i rënë pranë pyllit me pisha në fshatin Orosh, Bashkia Mirditë, vazhdoi edhe ditën e djeshme. Zjarrfikësit me mjete, të mbështetur dhe nga forca ushtarake, kanë mbajtur nën kontroll zjarret, duke eliminuar rrezikun për banesat dhe pyllin me pisha. Operacioni është në vazhdim për të shuar plotësisht edhe vatrat e fshehura. Zjarri ka djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ferra e shkurre dhe vetëm 3 pisha të veçuara. Në Mamurras, Bashkia Kurbin ka rënë zjarr në Malin e Gjormës. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe në mbështetje kanë shkuar banorë vullnetarë të zonës, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën 5 ha shkurre.
QARKU DIBËR
Në fshatin Dohoshisht, Bashkia Dibër ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e qershi. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogjën 7 ha shkurre, ferra dhe 40 rrënjë qershi.
QARKU DURRËS
Në fshatin Verjon, Nikël, Bashkia Krujë ka rënë zjarr në sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1 ha me shkurre dhe ferra. Në fshatin Radë, Maminas, Bashkia Durrës, ka rënë zjarr në shkurre dhe ferra pranë një ullishteje. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete, të cilët kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 1 ha me shkurre, ferra dhe 30 rrënjë ullinj.
QARKU VLORË
Në fshatin Trevllazër, Novoselë, Bashkia Vlorë ka rënë zjarr në shkurre, ferra dhe kullotë. Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit me mjete dhe forca ushtarake, të cilat kanë izoluar vatrat e zjarrit. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe 4 ha me shkurre, ferra dhe disa rrënjë ullinj.

Flakët pushtojnë aksin Levan-Fier, bllokohet qarkullimi i makinave

Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë pasditen e djeshme në Levan të Fierit, ndërsa flakët kanë arritur në rrugën kryesore Fier-Levan, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve që lëvizin në të dyja kahet. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe me shkurre dhe pemë. Nuk dihen ende shkaqet dhe motivet e zjarrit. Forcat zjarrfikëse në vendngjarje dhe policia po punojnë për shuarjen e flakëve dhe normalizimin e qarkullimit të mjeteve.
Një zjarr pasditen e të enjtes në Lushnjë ka rrezikuar djegien e dy institucioneve shtetërore. Pakujdesi apo edhe i qëllimtë qoftë shkaku i zjarrit, ky i fundit ka djegur 16 palmat e mbjella që në vitin 1926 nga Harri Fulls, i cili hapi në Lushnje të parën shkollë bujqësore. Zjarri ka djegur sipërfaqe të mbjella me agrume dhe ka rrëzuar dy banesa që kanë qenë fare afër.
Zjarri ka rrezikuar gjithashtu dhe institucionin e Institutit të Transferimit të Teknologjive Bujqësore Lushnjë dhe Drejtorinë e Bujqësisë Lushnjë. Sipas dëshmitarëve, zjarrfikësit kanë ardhur me 30 minuta vonesë dhe kjo ka qenë fatale për palmat e rralla që për pak mbushnin një shekull. Ato i rezistuan një lufte botërore dhe regjimit komunist dhe tashmë u dogjën për një pakujdesi dhe vonesë.
Ndërhyrja e zjarrfikësve kur mbërritën në vendngjarje ka eliminuar rrezikun e djegies së banesave dhe godinave shtetërore. Sipas drejtuesve të zjarrfikëses automjetet e tyre kanë qenë të impenjuara në një tjetër vatër zjarri, ndërkohë që në terren ishin pjesëtarë të forcave të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake që bashkë me banorët u munduan të eliminojnë pasojat e zjarrit. Policia ka ndaluar një person dhe po merr në pyetje rojen e objektit për të zbardhur rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Exit mobile version