Mungesa e reshjeve, Fierza në nivel kritik, OSHEE rrit prodhimin dhe importin

Mungesa e reshjeve të shiut ka shkaktuar një situatë kritike për furnizimin me energji elektrike në vend. Të dhënat e fundit për kaskadën e Drinit reflektojnë një situatë gjithmonë e më kritike sidomos për Fierzën që është edhe hidrocentrali kryesor ndër të tre që janë pjesë përbërëse e saj.
Konkretisht nga të dhënat e datës 17 gusht 2017 ora 14:00 rezulton që Fierza të ketë prekur nivelin 263.13 metër shifër që tregon rënie krahasuar me të dhënat e dy javëve më parë, kur regjistronte 269.80 metra. Nga ana tjetër vihet re një rritje e vogël e prurjeve që dy javë më parë ishin 25 m3/s ndërkohë që së fundmi këto prurje janë në nivelet e 50 m3/s.
Nga ana tjetër rënie e nivelit të Fierzës edhe pse kemi një rritje të reshjeve lidhet me faktin që Korporata ka rritur prodhimin ditor që i jep OSHEE. Dy javë më parë, ky prodhim ishte 1600 Mwh në ditë, ndërkohë që sipas të dhënave të datës 17 gusht prodhimi ishte 2476 Mwh në ditë.
Për muajin gusht OSHEE tenderoi fillimisht rreth 30 milionë euro dhe më pas 1.6 milionë të tjera për garantimin e furnizimit të vendit me energji. Ky është muaji i dytë që vendi furnizohet kryesisht nga importi, ndërkohë që gjasat janë që edhe shtatori të sigurohet me importe.

Exit mobile version