Turistët e huaj të zhgënjyer nga pushimet në Shqipëri

Sezoni turistik është në ditët e tij të fundit dhe para se të krenohemi me shifra për numrin e atyre që preferuan të kalonin pushimet në vendin tonë, është me rëndësi të dime se çfarë u kemi ofruar. Cilat janë përvojat dhe përshtypjet e tyre? A do të ndërrmernin sërish rrugën për të na vizituar? Për të krijuar një panoramë mbi nivelin e shërbimit dhe opinionet e turistëve jemi ndalur në një nga websitet me të njohura për komentet mbi hotelet tripadvisor.com. Përpara se të rezervojnë qëndrimin në një hotel shumë i referohen këtij site, që shërben si udhërrëfyes.
Mungesa e infrastrukturës rrugore, mungesa e ujit dhe energjisë elektrike, internetit, sjellja jo e hijshme e personelit të hoteleve, papastërtitë, vjedhjet apo dhe ushqimi jo cilësor janë disa nga ankesat e shprehura prej turistëve të huaj që pushuan në bregdetin tonë.
Po ashtu, kritikat bien edhe mbi mungesën e njohurive për gjuhën e huaj prej personelit, mungesa të makinerive moderne për kryerjen e pagesave e duke përfunduar te zhurmat e shkaktuara nga qentë, mungesa e ashensorit, peshqirëve, madje ankesa shprehen deri dhe te mungesa e letrave të tualetit.
Në Sarandë duket se fluksi i lartë i turistëve nuk arrihet të përballohet nga hotelet, duke shkaktuar kështu mangësi të theksuara në shërbim. Në tripadvisor, një turist nga Luksemburgu përshkruan me nota negative përvojën e tij. Menaxherët e hoteleve nuk ngurojnë t’iu përgjigjen ankesave, madje dhe duke kërkuar ndjesë për problemet që shtrohen, por me shumë gjasa pak shanse ka që vizitori të rikthehet.
Disa kanë mbetur të zhgënjyer nga ushqimi e ca më shumë mëngjesi i ofruar. Por në këtë rast shpesh menaxherët i konsiderojnë ankesa të pavend. Nuk mungojnë rastet kur prej pushuesve italianë përvoja në Sarandë konsiderohet katastrofike.
Nga Afrika e largët, një pushes shprehet se nuk gjeti atë që shpresonte, e ca më tepër atë për të cilën kishte paguar në Shqipëri. Por për një shtetase shqiptare shqetësim përbën kërkesa e stafit të hotelit për dorëzimin e çelësit të dhomës në recepsion.
Shtetas nga Mbreteria e Bashkuar rendisin si shqetësim parësor mungesën e aftësisë në shërbim të personelit të hotelit, ku ata ishtin akomoduar. Nga Australia udhëtoi drejt Sarandës këtë verë por u përball me ato që i cilëson plazhe të neveritshme. Duket se më të kënaqurit kanë dalë nga dyert e hoteleve apo shtëpive të vogla, aty ku vëmendja e pronarëve ka qenë më e lartë.
Një pushues nga Florida, i cili në gushtin e temperaturave të larta ndodhej në Adriatikun e Durrësit shkruan në tripadvisor se për shkak të fëmijëve që lypin mbrëmjeve në plazh nuk ka mundur të shijojë i qetë darkën, por mesa duket as gjumin i shqetësuar kësisoj nga zhurma e një duzine qensh.
Një shtetas shqiptar shton si shqetësim hutimin e kamarierëve. Rinovimi i tualeteve, shtretër më të mirë dhe më tepër peshqirë në dhoma, janë kërkesat që parashtron një turiste në këmbim të një vizite të dytë në Shqipëri. Ndërkohë shtetas nga Virginia dhe Arabia Saudite vlerësojnë mikpritjen shqiptare, teksa ndajnë përshtypje pozitive për qëndrimin në vendin tonë.
Më në Veri, në Shëngjin aty ku mbizotëron turizmi patriotik një shtetase nga Kosova shkruan për varfëri në ushqim dhe çmime të shtrenjta.
Një shtetase nga Suedia tregon se i kanë vjedhur paratë në dhomën ku ishte akomoduar në një hotel të Shëngjinit. Ndërsa një tjetër pushues është përballur me një konflikt mes pronarit dhe kamarierit, ku ky i fundit kërcënohej me jetë.
Ajo që të huajt konstatojnë pas disa orë qëndrimi në Shqipëri është mungesa e një shërbimi cilësor, që duket se është ende larg standardeve të kërkuara. Duket se një pjesë e konsiderueshme e hoteleve kanë si synim parësor sigurimin e të ardhurave maksimale nga turistët sezonalë, dhe jo t’i bindin ata përmes shërbimit që të rikthehen edhe vitet e ardhshme.
Sigurisht jo të gjithë shprehen të pakënaqur. Një turiste nga Finlanda shprehet se Saranda ka përmbushur gjithë pritshmeritë. Përveçse ndajnë të njëjtin det, Jonin, Saranda dhe Vlora duket se ndajnë të njëjtat qejfmbetje nga turistët e këtij sezoni.

Exit mobile version