Basha: Detyra e opozitës, të ndalë këtë projekt të zi

Rikthim i elitës komuniste në pushtet dhe thellim i korrupsionit dhe krimit në pushtet është pasqyra e qeverisë Rama 2. Emërimet e Ramës dëshmuan agjendën e tij personale në përftimin absolut të të gjitha fijeve të pushtetit, duke rivendosur dhe vendosur në karriget e ministrave njerëz që komandohen lehtësisht prej tij e që urdhërohen verbërisht ndaj tij.
Rama rimbajti në kabinetin e tij qeveritar një pjesë të mirë të ministrave të përfshirë në megaskandale e afera si Damian Gjiknuri, autor i aferës 600 milionë euro me CEZ, Arben Ahmetaj kryesekserin e Ramës dhe vëllain e tij Olsi Rama në zhvatjen e investitorëve të huaj si dhe personin që mbyll aferat e Ramës dhe klientëve pranë tij.
Pjesë e kabinetit Rama është sërish Lindita Nikolla, e cila do të mbahet mend jo vetëm për projektet-afera qindra miliona euro me njerëzit pranë Ramës, por edhe për shkatërrimin total të sistemit arsimor në vend. Rama rikatapultoi sërish Mirela Kumbaron në Ministrinë e Kulturës, e cila jo vetëm që i hapi rrugë shkatërrimit të objekteve me vlerë kulturore në vend, duke lejuar betonizimin e tyre, por shkatërroi dhe rrënoi tërësisht artin dhe kulturën në vend, duke braktisur tërësisht investimet për to.
Rama la jo pa qëllim Ogerta Manastirliun në Ministrinë e rrënuar të Shëndetësisë nga Ilir Beqja tashmë.
Manastirliu, drejtoresha e devotshme e Ramës që nga koha kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Kulturës e më pas drejtoreshë në Bashkinë e Tiranës ka dëshmuar se e ka merituar besimin e plotë të Ramës në mbylljen e aferave me batërdinë e qindra milionë eurove të vjedhura përmes koncesioneve të kaluara e ato që pritet të vijnë.
Për tallje a për ironi, Rama rimbajti Olta Xhaçkën, të paeksperiencë e të pasprovuar së pari në politikën shqiptare e jo më në punët shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes së një vendi anëtar të NATO. Emërimi i Xhaçkës sot është një tallje dhe fyerje në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare për shkak të mungesës së profesionalizmit të saj. I vetmi kontribut i Xhaçkës në Partinë Socialiste është futja e saj në grevën e urisë së vitit 2010.
Pjesa më e spikatur e emërimeve të Ramës janë pinjollët e diktaturës hoxhiste. Pikërisht pak ditë, pas reagimeve të forta mediatike, të opozitës si dhe vetë shoqërisë për rëndësinë e dënimit të krimeve të komunizmit, Rama solli këto emërime si përgjigjen më të mirë të qendrimit të tij ndaj krimeve të diktaturës. Ai risolli ish-bashkëpunëtorët e diktaturës sërish në pushtet.
Ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës, Gramoz Ruçi, është emëruar zyrtarisht për pozicionin nr.2 të shtetit, kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ish-prokurori dhe hetuesi i diktaturës Fatmir Xhafaj rikthehet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Këto emërime jo vetëm që janë një provokim i rëndë për shoqërinë shqiptare, por dëshmojnë më së miri se si Rama e ka shndërruar pushtetin në duart e tij në të njëjtat gjurmë të diktaturës hoxhiste.

Reagimi i Bashës

Kryetari i PD, Lulzim Basha dënoi ashpër emërimet e Ramës në kabinetin e ri qeveritar, duke e cilësuar atë si qeverinë që po konsolidon pushtetin personal të Ramës, si dhe njëkohësisht pozitat e elitës komuniste në pushtet. Basha deklaroi se, qeveria e re është vijimi i thellimit të krimit dhe korrupsionit të qeverisë së vjetër, ndërsa rikujtoi talljen e Ramës me gjoja takimet me popullin në zgjidhjen e problemeve dhe halleve të tyre.
Basha paralajmëroi reagimin e fortë të opozitës në mos lejimin e projektit të Ramës për të shndërruar qeverinë në një vegël që do të punojë në shërbimin absolut të sundimit privat të tij.
“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes. Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin.
Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa prej figurave famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse.
Kjo është qeveria e thellimit të sundimit privat të Edi Ramës dhe një grushti njerëzish. Kush mendoi se “takimet me popullin” dhe ballafaqimi me hallet e rënduara të njerëzve e bënë Edi Ramën të reflektojë, sot kuptoi që kjo qeveri nuk do jetë kurrë qeveria e popullit dhe nuk do të punojë kurrë për popullin.
Opozita ka detyrën dhe përgjegjësinë që bashkë me qytetarët të mos lejojë të shkojë deri në fund ky projekt i zi për vendin tonë”, u shpreh Basha në reagimin e tij.

Exit mobile version