“Programi ynë është alternativa e duhur për shqiptarët”, Basha: Rama dhe Berisha janë bashkë kundër SPAK, kanë vrarë reformën Zgjedhore, duan të mbajnë vendin peng

Në një intervistë me gazetarin Xhoi Malësia, Lulzim Basha ka komentuar zhvillimet e fundit politike. Sipas kreut të demokratëve euroatlantikë, Rama dhe Berisha nuk kanë asnjë ofertë për shqiptarët, por janë në një bashkëpunim kundër SPAK, për hallet që kanë me drejtësinë. Pazari mes kryeministrit dhe ish-kryeministrit për vulën, është në vazhdën e bashkëpunimit të tyre për aminstinë, me të cilën liruan të dënuarit nga GJKKO si dhe shkatërrimit të komisionit për Reformën Zgjedhore.

Basha tha se Rama dhe Berisha nuk duan një debat për çështje në interes të qytetarëve, por e mbajnë diskutimin publik të ngërthyer te çëshjte bosh. Për kreun e demokratëve euroaltantikë debati duhet të përqëndrohet te hallet e problemet e qytetarëve, duke paraqitur një ofertë konkrete, siç është programi i shpalosur në 1 qershor nga PD nën drejtimin e tij.

“Ne nuk duam që debatin publik ta shndërrojmë dhe njëherë ashtu siç ka dashur zoti Rama bashkë me zotin Berisha, për një debat bosh për vulë, për logo. Debati duhet t’i përkasë qytetarëve. Dhe për këtë arsye, Partia Demokratike nën drejtimin tim ka shpalosur një alternativë, një program. Që nga shpalosja e programit janë përshpejtuar hapat e tangos së vjetër për ta zhdukur atë nga ekranet e televizioneve, për ta zhdukur nga debate publik. Për t’ia mohuar shqiptarëve debatin nëse duan taksën e sheshtë 9%, apo taksën progresive të qeverisë Rama. Nëse meritojnë fondin për mirëqenien e familjeve me mbështetje për çiftet e reja, për zbutjen e kredive për të blerë shtëpi, ku ne propozojmë që të gjithë këstet e interesit për 30 mijë çifte të reja të paguhen nga buxheti i Shtetit. Për bonusin për bebet, për dy bebet e para 2 mijë euro dhe beben e tretë 20 mijë euro. Për skemën tonë të mbështetjes të të gjithë fëmijëve shqiptarë përmes drekës shtetërore dhe zgjatjes së orarit mësimor deri në orën 4, që është orari i daljes së prindërve nga puna duke u ofruar në ambientet e shkollave, ambiente të përshtatshme dhe 7500 mësues shtesë për t’iu mësuar atyre gjuhët e huaja, teknologjinë e informacionit, sporte, arte, apo për t’iu dhënë ambientin për të bërë detyrat e shtëpisë për të cilat duhen shpenzuar paratë e shqiptarëve dhe jo për skema korruptive të qeverisë. Apo propozimin tonë për zgjidhjen njëherë e mirë të problemit 34 vjeçar të pronave dhe të pronarëve, të të përndjekurve politik. Propozimet tona për luftën kundër korrupsionit, siç është shndërrimi i KLSH në një gjykatë të auditit me fuqi vendimmarrëse. Apo krijimi i njësisë për zbulimin dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura të shqiptarëve, apo mbështetje pa kushte ndaj SPAK.

Dhe këtu qëndron dhe problemi, këta nuk kanë absolutisht asgjë për shqiptarët, gjithçka e bëjnë për veten e tyre. Dhe pakti i fundit i ligjit të amnistisë, vazhdoi me prishjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, vazhdoi me vendimin skandaloz dhe të paligjshëm për vulën e PD, vazhdon me mbajtjen bllokuar të Reformës Zgjedhore tashmë, po vjen 1 korriku dhe nuk ka asgjë në raport me ato që shqiptarët duan: listat e hapura, votën proferenciale. Por shënjestra kryesore është SPAK, sepse këta hall të përbashkët kanë SPAK-un. Pra, me fjalë të tjera duan të vazhdojnë të bjën siç duan vet, të vjedhin shqiptarët me afera korruptive të përmasave globale dhe prap se prap t’i shpëtojnë drejtësisë. Kjo i bën bashkë” – u shpreh Basha.

Exit mobile version