Seria A

Fiorentina nuk përmbahet në merkato. Me Nikola Kaliniç drejt Milanit, klubi vjollcë bën dy goditje në merkato. Ekip i Stefano Piolit ka siguruar shërbimet e Giovanni Simeone, sulmuesit të Genoa-s, i cili përmes një statusi u përshëndet me ish-klubin e tij, duke u shprehur se ambienti atje do t’i mungojë shumë. Afrimi i dytë është ai i German Pezzella, nga Real Betis, që do të vijë në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 10 mln euro.
Tashmë është zyrtare, Fiorentina ka siguruar shërbimet e Gil Bastiao Dias. Lajmin e bëri të ditur vetë klubi vjollcë përmes një postimi në faqen zyrtare. 20-vjeçari vjen nga skuadra e Monacos, por sezonin e kaluar ka luajtur me fanellën e Rio Ave, klub me të cilin koleksionoi 39 paraqitje, duke shënuar 8 gola dhe dhënë 7 asisit. Mesfushori është transferuar në formë huazimi për 2 vjet, me të drejtë blerjeje të kartonit.
Përmes një statusi në Twitter, agjenti i Keita Balde, Roberto Calenda “shfryn” ndaj Lazio-s. Menaxheri i sulmuesit, fillimisht hodhi poshtë çdo lajm se lojtari vuan nga një dëmtim muskulor, duke theksuar se 22-vjeçari është stërvitur gjithmonë duke dhënë maksimumin. Më tej Calenda sulmoi klubin bardhekaltër duke theksuar se shoqëria nuk dëshiron të investojë te Keita. Marrëdhënie të tensionuara këto mes palëve me lojtarin që duket i destinuar të largohet nga italianët.
Pritet të jetë në Turqi e ardhmja e Kwadwo Asamoah. Raportohet se Galatasaray ka shfaqur interes për të blerë mbrojtësin e Juventusit, edhe pse bardhezinjtë nuk dëshirojnë ta shesin. Gjithsesi sipas mediave turke, lojtari do të zbarkojë në Stamboll të premten për të kryer vizitat mjekësore. Palët janë drejt gjetjes së akordit për 7 milionë euro.

Exit mobile version