Asnjë skonto, Ronaldo do mungojë 5 ndeshje

Apeli lë në fuqi dënimin me pesë ndeshje për Cristiano Ronaldon. Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, Komisioni i Disiplinës, organ pranë Federatës spanjolle të Futbollit, ka rrëzuar poshtë kërkesën e Realit të Madridit, për të ndryshuar vendimin për pezullim me pesë ndeshje të yllit portugez. Pas dhënies së këtij vendimi katër herë fituesit të “Topit të Artë” nuk i ngelet gjë tjetër, veçse të presë përfundimin e periudhës së pezullimit, duke konfirmuar mungesën e tij në katër javët e para të kampionatit, si dhe në takimin e kthimit kundër Barcelonës, në finalen e Supekupës së Spanjës.
Konkretisht, krahas takimit ndaj katalanasve, sulmuesi do të mungojë edhe ndaj Deportivo la Coruna, Valencia, Levante dhe Real Sociedad. Ndaj Ronaldos është marrë ky vendim, pas shtytjes që ai i dha gjyqtarit, në momentin kur i nxori kartonin e kuq, për simulim në zonë, ndërkohë që më herët ndaj portugezit ishte dhënë një karton i verdhë. Revolta në radhët e Los Blancos për këtë vendim të gjyqtarit nuk kanë munguar, duke nisur që nga tekniku i tyre, Zinedine Zidane, i cili u shpreh se ndihet i nervozuar në lidhje kartonin e gjyqtarit, por edhe me vendimin e dhënë nga ana e Komisionit të Disiplinës.

Exit mobile version