Juve kërkon Fellainin

25 milionë euro për kartonin e Marouane Fellaini, mesfushorin 29-vjeçar të Manchester United. Është kjo oferta, që sipas “The Sun”, Juventusi është gati t’i paguajë “Djajve të Kuq” për belgun. Objektivi parësor i bardhezinjve ishte Matuidi i PSG, por lojtari mund të mos i mjaftojë Allegri-t dhe për këtë “Zonja e Vjetër” synon edhe Fellaini. Megjithatë bisedimet mes palëve nuk priten të jenë të lehta, me Jose Mourinho që nuk dëshiron ta humbasë 29-vjeçarin.
Duke parë vështirësitë për të arritur te Riyad Mahrez i Leicester City, Roma mendon për planin B në merkato. Sipas lajmeve më të fundit, klubi verdhekuq është hedhur në sulm për lojtarin e Villarreal, Nicola Sansone. Me zbarkimin e Carlos Bacca në “Estadio de la Ceramica”, 25-vjeçari nuk do të ketë hapësirën e dëshiruar në formacion. Nga kjo situatë kërkon të përfitojë Roma, që është gati t’i paraqesë ofertën spanjollëve për lojtarin.

Exit mobile version