Rama emëron Qibinin e drogës e vrasjeve Drejtor Kufiri në Vlorë

Armand MAHO

Vrasja  e Elton Çiços, një njeri me lidhje të forta të narkotrafikut në zonën e Tepelenës, në majin e vitit të shkuar nxorri në pah dhe lidhjet që kishte ai me drejtuesit e lartë të policisë. Atë natë, ai ishte në shoqërinë e Alban Trimit dhe dy personave të tjerë. Alban Trimi menjëherë pas vrasjes u kujdes të fshihte pistoletën e viktimës që mbante në çantë, por edhe celularin e tij. Pistoleta më pas rezultoi se ishte e Besmir Qibinit, nëndrejtorit të Doganave, i cili nga dita e djeshme është drejtor i Kufirit në Policinë e  Vlorës, qyteti ku aktiviteti i narkotrafikut drejt Italisë është më i madhi. Burime nga financat, shprehen se Ahmetaj ka një përplasje konjukturale me Tahirin për zona influence dhe prej muajsh i kërkonte Ramës shkarkimin e Qibinit. Nga ana tjetër, me afrimin e zgjedhjeve kërkon të forcojë pozitat e tij për t’i lënë hapësira më shumë kontrabandistëve në zonën e Gjirokastrës, ku ai është deputet. Por duke pasur në krye të antikondrabandës njeriun e rivalit të tij brenda qeverisë, kjo ishte e pamundur. Por Rama në asnjë rast nuk mund të prekte linjën e trafikut, e cila i siguron të ardhurat kryesore për enturazhin e tij pa u siguruar se Qibini do të kalonte në një vend tjetër, ku të ishte më i dobishëm. Dhe zgjidhja u gjet, emëroi drejtor të trafikut (kufirit) në Vlorë. Pa u tharë mirë ende boja e shkarkimit, Qibini merr urdhrin e emërimit….

Lidhjet

Besmir Qibini njihet për lidhjet e tij të ngushta me Saimir Tahirin, madje është nga njerëzit e tij të besuar në Ministrinë e Brendshme. Në mbrëmjen e një majit, data kur ndodhi vrasja e Elton Çiços, ai nuk ishte prezent, por kamerat e lokalit të vëzhguara në një periudhë një mujore nga Prokuroria kanë fiksuar në tavolinë në shoqërinë e Çiços, dhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Ermal Muça i cili, u mor personalisht me këtë çështje. Madje mes tij dhe Alban Trimit ish-shefi i Antidrogës ka pasur dhe një debat atë natë. Në mbrëmjen e të nesërmes Ermal Muça do dilte në TV ku do të shprehej se nuk ish gjetur asnjë armë në vendngjarje, ndërsa vetë Qibini u mundua të errësonte sa më shumë ngjarjen. Urdhri i dhënë nga Saimir Tahiri ishte i qartë që Qibini duhej të shpëtohej me çdo kusht. Natyrisht s’kish se si të ndodhte ndryshe. Jo më kot, Tahiri e hoqi nga Drejtoria e Policisë Rrugore dhe e dërgoi menjëherë në Dogana, ku në postin e nëndrejtorit ai mbulonte Antikontrabandën. Vrasja e Çiços dhe nderi që do i bënte Tahiri ishin një garanci më shumë se Qibini do i bindej urdhërave të Tahirit. Në sektorin e Antikontrabandës, ai u kujdes që të përzgjidhte njerëzit që i duheshin me qëllim që të shmangej ndonjë “gabim aksidental”, për dërgesat që shefi çonte drejt Italisë…

Përse Vlora

Por që prej asaj kohe gjërat kanë ndryshuar shumë dhe doganat italiane janë bërë më vigjilente… Në rrjetën e policisë dhe Guardia di Finanza italiane kanë rënë shumë nga ngarkesat, për të cilat Tahiri me anë të Qibinit kishin dhënë viston për të kaluar nga portet kryesore të vendit. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me ngarkesat që kalojnë nëpërmjet kufirit. Dërgimi i ngarkesave me skaf, duket se është dhe mënyra që punët të mbarohen dhe më shpejt. Në Vlorë veprojnë dhe kushërinjtë e ministrit, me mbiemër Habilaj të akuzuar shpesh për prodhimin dhe trafikimin e hashashit në këtë qytet. Drejtoria e Kufirit Vlorë është ajo që mbulon dhe ujërat e brigjeve të jugut nga Dhërmiu deri në Sarandë, ku Klement Balili, i cilësuar si eskobar i Ballkanit kryente aktivitetin e tij prej kohësh i pashqetësuar. Nga statistikat ndërkombëtare të shërbimeve inteligjente, bëhet e ditur se nga lufta e policisë arrijnë të sekuestrohet vetëm 2% e sasisë së drogës që kultivohet. Deri më tani janë sekuestruar diku tek 180 tonë. Pra me mijëra ton të tjerë kanë kaluar nga Shqipëria drejt Evropës, duke e kthyer vendin tonë në Kolumbinë e kontinentit të vjetër. Dhe porta kryesore furnizuese mbetet Vlora, ku Qibini do të jetë ai që do të drejtojë operacionet.

Qibini jo vetëm i besuar por dhe lehtësisht i shantazhueshëm

Po pse Qibini dhe jo dikush tjetër? Natyrisht që Tahiri dhe Rama mund të gjenin dhe dikë tjetër për të mbaruar punët e tyre në brigjet e Vlorës. Por lufta që ka plasur mes aleatëve të qeverisjes duket se e ka shqetësuar jo pak Ramën. Ai i druhet tashmë çdo lloj manovre të Ilir Metës, që do e nxirrte zbuluar ministrin e tij, por së bashku me të dhe kreun e qeverisë. Sepse Tahiri s’mund të veprojë pa mbështetjen e Ramës. Në të trafikut i duhet një njeri jo vetëm i besuar, por dhe lehtësisht i shantazhueshëm. Dhe dalja e emrit të tij në vrasjen e Çiços është shantazhi më i mirë që mund t’i bëhet ish-nëndrejtorit të Doganave. Mbulimi i çështjes, lirimi i Alban Trimit nga burgu janë një litar që Tahiri ja mban varur në karrierën e tij. Në këtë kohë, kur shigjetat janë drejtuar të gjitha drejt drogës, çdo gjë mund të ndodhë. Prandaj Qibini i duhet atje, jo vetëm si i besuar i tij, por dhe si garanci që trafiku i drogës drejt Italisë do të vazhdojë më me intensitet se më parë.

Qibini krahu i djathtë i Shullazit nën urdhrat e Tahirit

Besmir Qibini konsiderohet si krahu i djathtë i kryekriminelit Shullazi. Lidhjet mes tyre janë bërë publike në shumë deklarata zyrtare të PD. Ai u katapultua në polici dhe më pas edhe në Doganën e Durrësit për t’i shërbyer me besnikëri trafiqeve që kontrolloheshin nga Shullazi dhe Tahiri.
Pikërisht Besmir Qibini, i larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. Prej kohësh ky person dhe përmes tij krimi, kanë në dorë jo vetëm kontrabandën, por edhe antikontrabandën dhe hetimin doganor.
Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve.
Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-¬Shullazi dhe bandës që kontrollonte Tiranën dhe Durrësin, krimi siguroi përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta.
Nuk ishte rastësi që para disa muajsh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë.
Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit dhe për t’ia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit.

Exit mobile version