Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit kërkoi arrestimin e Balilit

Në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, duhet dhënë përgjigjja: Pse nuk është arrestuar Klement Balili? Presidenti ka pranuar të thërrasë forumin e rëndësishëm, ndërkohë që mësohet se kërkesa mbi përgjegjësitë e mosarrestimit ka ardhur nga partnerët amerikanë. Edi Rama dhe ministrat e tij janë shfaqur të xhindosur me kërkesën, por tashmë propaganda s’e mbron dot mburojën personale që Eskobari i Ballkanit ka gëzuar në zyrën e kryeministrit e atë të ministrit të Brendshëm.
Qeveria Rama e ka kthyer vendin në një varrezë narkotikësh. Kjo organizatë kriminale ka pothuajse një mandat që qeveris me bandat, ndërsa duke u dhënë liri veprimi, ka rrezikuar ndjeshëm qytetarët dhe të ardhmen e vendit. I tillë është edhe i shumëkërkuari, Klement Balili, i cilësuar nga vendet fqinje dhe shërbimet e partnerëve ndërkombëtare si një ndër kokat e një organizate kriminale të narkotrafikut. Prej muajsh Balili rezulton në kërkim, ndërsa policia e Tahirit nuk jep asnjë shpjegim lidhur me këtë çështje, edhe pse flitet për kapobanditin e Ballkanit.
Në kushtet e një memecërie totale nga ana e Rama-Tahirit, dy ditë më parë ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta që përmes një letre drejtuar Presidentit, kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Ditën e djeshme, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka konfirmuar thirrjen e Këshillit. Konfirmimi i Presidentit për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë tregon së pari, rrezikshmërinë e lartë shoqërore që paraqet Klement Balili dhe së dyti, shqetësimin e partnerëve tanë të SHBA dhe të tjerë ndërkombëtarë.
Kjo shpjegon njëkohësisht edhe arsyen se pse kryeparlamentari Meta kërkoi urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për rastin e Klement Balilit. Përsenë e kërkesës fillimisht e shpjegoi edhe kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili. Ai konfirmoi përpara mediave se gjatë takimit me ndihmës Sekretarin e Shtetit, që mbulon luftën ndaj drogës dhe krimit të organizuar, ambasadorin William Brownfield, u kërkua llogari për mosndalimin e Klement Balilit. “Ambasadori Brownfield qartësisht i kërkoi z. Meta që të nxiste autoritetet shqiptare që të bënin gjithçka për këtë çështje”, tha Vasili.
Në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duhet dhënë përgjigjja: Pse nuk është arrestuar Klement Balili? Pas pranimit të letrës së Metës nga Presidenti, Edi Rama dhe ministrat e tij janë shfaqur të xhindosur. Nga Berati, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i trembur ka premtuar se do ta kapin shpejt Balilin. “Këto ditë po çuditet publiku me thirrjen e Presidentit të Republikës Këshillit të Sigurisë për Balilin. E në fakt çuditet publiku sepse Këshilli i Sigurisë nuk është mbledhur as për Lazaratin. Do ta kapim shpejt”. Kjo xhindosje e dyshes kriminale, në fakt tregon se janë pikërisht këta që i kanë siguruar mbrojtje dhe paprekshmëri Eskobarit të Ballkanit.
Ndonëse për Balilin ka një urdhër arresti, Edvin Rama i jep mbrojtje, madje sipas informacioneve e ruan edhe me shefat e tij të policisë. Edhe Agjencia amerikane e Antidrogës DEA, policia greke kanë kërkuar prej kohësh arrestimin e Balilit. Rama nuk e dorëzon dot, pasi është peng i krimit dhe trafikut të drogës. I shumëkërkuari, Klement Balili njihet për lidhjet e tij të forta politike dhe ka qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS në vitin 2013.
Si lidhje të tij të drejtpërdrejta rezultojnë kushërinjtë e ministrit të Brendshëm, vëllezërit Habilaj, me të cilët ka bashkëpunuar për trafikim të lëndëve narkotike në vitet 2014-2016. Nëpërmjet vëllezërve Habilaj, Klement Balili ka vendosur kontakt të drejtpërdrejt me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo situatë kriminale tregon se sot kryefjalë është regjimi narkotrafikant, i cili ka bërë të mundur kthimin e Shqipërisë në pikën kryesore të furnizimit të vendeve të tjera me drogë. Krerët e qeverisë janë të lidhur me trafikun e drogës, ndërsa mbrojtja që i sigurojnë trafikantëve si Balili, e kthen vendin në çerdhen e krimit dhe drogës.

Enton DACI

Exit mobile version