Rama i përgjigjet Kokës, qen që leh. Përplasje e re në Shijak

Mes PS dhe LSI nuk ka më paqe. Rama i është përgjigjur dje ministrit të LSI, Koka, duke e konsideruar atë një qen që leh, ndërsa veten si koka e karvanit që pavarësisht akuzave që hidhen ndaj tij, ai do të vazhdojë që të udhëheqë qeverinë. Shprehja e njëjtë e Ramës që përsëritet është e huazuar nga ajo e diktatorit Hoxha. Rama i drejtohet kësaj radhe LSI dhe Metës. Reagimi pason deklaratat e ministrit Koka, i cili paralajmëroi se zgjedhjet janë të rrezikuara dhe po ashtu edhe stabiliteti i vendit për shkak të lidhjeve kriminale të ministrit Tahiri.
Rama ka ndërhyrë në debat, duke i dhënë atij një ngjyrim akoma dhe më të fortë politik. Nuk ka lejuar që ministri Koka t’i përgjigjet ministri i tij i Brendshëm, por ka reaguar personalisht në Facebook. Deklarata e Ramës nënkupton klimën e fortë të ndarjes mes PS dhe LSI. Koalicioni mes tyre tashmë duket se ekziston vetëm formalisht. Ajo marrëdhënie që deri dje dukej se kishte një mosbesim të thellë mes palëve tashmë është kthyer në një ndarje të thellë.
Ndryshe nga Rama, i cili nuk e ka përmbajtur veten pas akuzave publike të Kokës, Meta ka qëndruar i tërhequr gjatë ditës së djeshme dhe nuk i ka kthyer përgjigje personale “kokës së karvanit”, që iu përgjigj “qenve që lehnin”.
Po gjatë ditës së djeshme ka ndodhur edhe ndarja e parë publike mes koalicionit qeverisës. Ministri Koka ishte lajmëruar tre ditë më parë zyrtarisht nga kabineti i Kryeministrit se dje duhet të ishte në Shijak, ku do të ndante tapitë e legalizimeve së bashku me ministren Gjermeni dhe drejtorin e ALUIZNI-t, Lame. Megjithëse njerëzit ishin mbledhur në takim, prezent ka qenë vetëm ministri Koka. As ministrja Gjermeni dhe as drejtori i Legalizimeve, Lame nuk kanë pranuar që të jenë në atë takim në krah të ministrit të LSI. Asnjë reagim zyrtar nuk ka pasur për këtë mungesë të dy njerëzve të Ramës. Kjo është edhe përplasja e parë dhe ndarja e parë publike mes PS dhe LSI në publik. Tapitë e legalizimeve nuk janë ndarë, pasi Lamja nuk ka marrë pjesë në takim dhe njerëzit janë habitur se edhe pse ishin ftuar për të marrë tapitë në fund janë larguar duarbosh.

Vasili mbledh strukturat kundër PS

Vazhdojnë deklaratat përçarëse mes PS-së dhe LSI-së. Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka bërë një deklaratë që shigjeton aleatët socialistë.
Duke folur për zgjedhjet në Njësinë Administrative numër nëntë në Tiranë, Vasili theksoi se kjo njësi është shembull i organizimit dhe i rritjes së pandalshme të LSI-së, duke vlerësuar rolin e të gjithë anëtarësisë.
“Një parti, e cila nuk ka të shkuar nuk mund të ketë të ardhme. LSI-ja ka historinë e saj dhe historinë e bëjnë njerëzit. Dhe kur njerëzit janë aty, historia është e gjallë dhe është një histori që zhvillohet. Nuk është mosmbajtja e fjalës dimensioni ynë dhe kjo na dallon. Ua them këtë gjë, sepse populli ka një shprehje të thjeshtë ‘i miri dallon’”, tha Petrit Vasili. Kuptimin e këtij mesazhi e kupton vetëm Kryeministri Rama.

Lufta e ftohtë

Sipas  informacioneve mësohet se, Rama ka urdhëruar që të rihapet dhe të vazhdojë mbushja e dosjes voluminoze për aleatin e tij bashkëqeverisës, të cilën duket se do ta përdorë në kohën e duhur në rast divorci dhe dështimit të një marrëveshje në fillim të muajt prill. Njerëzit kryesor që po merren me përgatitjen e “Dosjes LSI”, janë ministrat socialistë. Mësohet se së pari, ata po investigojnë dhe po mbledhin dëshmi në dikasteret që drejtojnë vetë, për zëvendësministrat, drejtorët qendrorë apo rajonalë dhe çdo të punësuar tjetër të LSI-së. Me shpejtësi janë mbledhur dhe po vazhdon grumbullimi i dëshmive, dokumenteve, dhe çdo të dhëne tjetër që implikon njerëzit e Metës në korrupsion, apo keqmenaxhim të punëve. Të njëjtin urdhër kanë marrë njerëzit e PS-së, edhe në ministritë apo drejtoritë që drejtohen nga njerëz të partisë së Ilir Metës. Pushteti është ndarë në mënyrë të tillë, që në çdo institucion, nëse drejtori është i LSI-së, zëvendësi është i PS-së dhe anasjelltas.
Pra LSI, është krejtësisht e markuar nga njerëzit e Ramës, edhe në ato vende ku duket se çelësat e institucionit i ka ajo. Nuk dihet se deri në çfarë pike është zbatuar ky urdhër i Ramës, por mësohet se dosja që vazhdon dhe përditësohet me shpejtësi është shumë voluminoze dhe për disa raste, me fakte tronditëse. Nga ana tjetër së fundmi në lojë është futur fort edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Porosia e fundit e Petrit Vasilit për deputetët dhe kryetarët e Bashkive të kësaj partie, por edhe për të gjithë drejtorët në institucione të ndryshme që të kenë kujdes se, policia mund të krijojë situatë artificiale për ata, duke u futur edhe drogë në mjetet e tyre që lëvizin, nuk është thjesht një fantazi. Për këtë dosje dhe urdhrin e Ramës, tashmë Meta është vënë në dijeni dhe po bën lëvizjet e tij, herë mbrojtëse e herë kundërsulmuese siç ka bërë ditët e fundit me dy ministrat e tij, Ylli Manjani dhe Lefter Koka.

Dako nuk e merr seriozisht Kokën

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka reaguar pas deklaratave të forta që bëri dje ministri i Mjedisit, Lefter Koka.
Në një prononcim për “Top-Channel”, Dako preferoi që të shmangte këtë diskutim.
“S’kam asgjë për të thënë. Nuk i marr seriozisht ato që thotë Koka”, është shprehur Dako.
Ministri i LSI-së, Lefter Koka tha dje në televizionin “Ora News” se, Grida Duma duhet të kishte fituar zgjedhjet në Durrës dhe jo Vangjush Dako. Koka bëri kritika edhe për koalicionin PS-LSI.

Arben SHAHINI

Exit mobile version