Protestat, tre skenarët e opozitës

Kryetari i PD, Basha deklaroi tre skenarët e mundshëm që janë në tryezën e opozitës për vendimet që do të merren për qëndrimin ndaj Parlamentit dhe protestat. Skenari i parë është marrëdhënie e kushtëzuar e Parlamentit, rikthimi në kushtetueshmëri i Prokurorit të Përgjithshëm. Skenari i dytë është bojkot pa afat. Kjo do ta simbolizonte krizën kushtetuese dhe politike) Skenari i tretë është invalidimi i mandateve (nëse kryhet, kryehet me opozitën e bashkuar. Nëse e bën e vetme, vendet e saj i merr partia tjetër. Nëse bëhet, avantazhi është se ekspozohet Parlamenti monist.
Basha tha se nuk ka pasur një skenar që protestuesit të futeshin në Parlament. “Nuk kishte një skenar për t’u futur në Parlament. Po të kishte skenar të tillë, njerëzit do të ishin në Parlament”, tha Basha. Kryetari i opozitës deklaroi se opozita nuk mund të perceptohet si një njësit guerril, por si forcë politike e alternativës. “Opozita nuk është pjesë e së keqes. Nuk është bërë palë me allishverishet e kësaj mazhorance dhe as ka elementë të inkriminuar brenda saj”, tha Basha.
“Është hera e parë në 27 vjet që një ministër i Brendshëm ka vënë në dispozicion të trafikut të drogës strukturat e shtetit. Rama mund të lajë duart si ponc pilati, por shkresa e SHISH ka emrat e 127 oficerëve të policisë, drejtues të policisë të përfshirë në trafik. Edi Rama e ka ditur dhe nuk ka reaguar. Rama është në panik prandaj kërkon të mbyllë hetimet”, tha Basha.

-Pse nuk e zgjodhët kryeprokurorin në bashkëpunim me Ramën?
Eshtë propagandë ftesa e Ramës. E kishte caktuar kandidatin. Ftesa ka brenda hilen që në kapjen e prokurorit të kishte edhe duart e opozitës.
Në Kushtetutë, sipas Reformës në Drejtësi, përcaktohet qartë se duhet një prokuror me vetting, jo një vetting siç u zgjodh, duhet të vijë nga KLP dhe me 3/5.

-Eshtë e kapur Arta Marku?
Nuk është çështje emri. Edi Rama është kryeprokuror.

-SHBA kundër?
Ne jemi për Kushtetutën, jo për shkeljen e saj. Nëse jemi për shfaqje dhe të bëjmë çfarë thonë ambasadorët, ok.
Ka me dhjetëra deklarata për vettingun. Sot prokurorja është pa vetting. Fryti i vetëm i asaj që ka ndodhur të hënën do të jetë mbyllja e akuzave për Tahirin, Dakon, Sejdinin, etj.

-Çfarë propozuat ju?
Të zbatohej Kushtetuta, të krijohej KLP. Konsensusi është në Kushtetutë. Mandati përfundoi. KLP nuk ishte.
Ka një koncept të vazhdimësisë institucionale. Nuk ishim në krizë të prokurorit të përgjithshëm.

-Cili është komunikimi juaj me ambasadorët?
Komunikimi im me ambasadorët është i direktë. Unë parashtroj qartë qëndrimet e opozitës. Ne nuk na e ka përgjegjësinë ambasadori Lu dhe Vllahutin, por Edi Rama. Opozita nuk bën përgjime. Opozita çfarë ka e ka nxjerrë, çfarë do të ketë, do ta nxjerrë. Suksesi i opozitës është vetëdijësimi i faktorit ndërkombëtar për rrezikun ekzistencial që vjen nga krimi i organizuar dhe droga.

-Bashkimi Europian thotë se është në rrugën e duhur…
Po kur thonë se është në rrugën e duhur, si ka mundësi që nuk hapen negociatat? Realiteti shqiptar është se Shqipëria ka numrin më të madh të azilantëve. Nuk i hapin dot negociatat, edhe sikur Junkeri ta puthte Edi Ramën në ballë. Sepse Edi Rama i bën vendit një menaxhim mafioz. Eshtë i lidhur me krimin.

 

Jemi në krizë të trefishtë politike, ekonomike, morale

Kryetari i PD, Basha është ndalur tek gjendja e vështirë ekonomike duke kujtuar se edhe sipas raporteve të vetë INSTAT të kontrolluar nga Rama afro gjysma e shqiptarëve nuk kanë mundësi që të ngrohen në këto ditë të ftohta.
Edi Rama kontrollon sot të gjitha pushtetet. Kontrollon edhe Parlamentin nga vjedhja e votës, siç e faktoi studimi i Bashkimit Europian për blerjen e 20 për qind të votave. Raporti i eurostatit 27500 shqiptarë kanë kërkuar azil këtë vit. Largohet popullsia e 18-34 vjeç. Shqiptarët ikin nga dëshpërimi. I vetmi vend ku prodhimi dhe eksporti është droga. Jemi në krizë të trefishtë politike, ekonomike, morale. 43 në 100 familje nuk paguajnë dot energjinë.
Ekonomia shqiptare nuk po rritet më dhe kjo është zgjedhje politike e Edi Ramës. E kam paralajmëruar këtë krizë institucionale, kapjen nga Edi Rama. Propaganda dhe mashtrimi kanë bërë që të nënshtrohen edhe elitat. Ka folur vetëm opozita 4 vjet për dekrimimalizimin, drogën. Opozita i ka bërë detyrat e saj.

Do afrojmë elitën e vendit në PD

Sfida e opozitës nuk është vetëm mobilizimi i protestës, por të hedhim hapat e nevojshëm që çdo energji pozitive të mblidhet rreth një aleance vlerash dhe jo qelbësirash, që na solli në këtë ditë.
Aleancë vlerash me elitën e vendit duke u krijuar besimin e plotë të PD. Ky është një proces i vështirë, por sa herë PD ka arritur ta bëjë, ka fituar zgjedhjet dhe ka fituar vendi.

-A ke reflektuar personalisht?
Sigurisht që po. Në PD ka vend për të gjithë ata që duan të kontribuojnë. Pas analizës do të shkojmë me një produkt që të bashkojë të gjithë.
Ju po flisni si në Holandë kur keni përballë një autokraci.
Shqiptarët duhet ta vendosin. Duan standardin holandez apo duan t’ia mbathin në Holandë. Nëse duan Holandën, meqë e stigmatizuat, se unë kam studiuar atje, atëherë duhet të besojmë tek aleanca e vlerave, ku më i miri të triumfojë.

Exit mobile version