Paralajmërimi amerikan për votën kundër

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.
Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.
“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi zonja Haley.
“Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë”, tha ambasadori izraelit Danny Danon. “Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer,” tha ai.
Sesioni emergjent i Asamblesë së Përgjithshme u kërkua nga palestinezët me mbështetjen e vendeve arabe dhe atyre të paangazhuara.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme

Sesioni u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze.
Aty thuhet gjithashtu se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan – 128 vende e mbështetën, nëntë votuan kundër dhe 35 vende abstenuan.
Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin “jo” Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau.
Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.

Një fushatë presioni

Më parë këtë javë, ambasadorja e SHBA, Haley, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t’i raportonte Presidentit Donald Trump se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale.
“Historia i regjistron emrat, i kujton emrat,” tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. “Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes,” shtoi ai.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu edhe posaçërisht në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e zotit Trump se nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat.
“Një qëndrim i tillë është i papranueshëm,” tha zoti Cavusoglu. “Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi.”
Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.
“Meksika nuk e sheh si pozitive apo të dobishme për procesin e paqes faktin që u bë një deklaratë e njëanshme për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”, tha pas votimit ambasadori Juan Gomez Camacho. “As nuk besojmë se është e dobishme, dhe e shohim si joproporcionale, të thërrasim një mbledhje emergjente të Asamblesë së Përgjithshme”, tha ai.
Edhe në Bashkimin Evropian prej 28-vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.
Më parë këtë muaj, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe po fillojnë procesin e lëvizjes së ambasadës së SHBA atje.
Izraeli e konsideron tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.
Administrata Trump thotë se është e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në qoftë se kjo është diçka që palët e dëshirojnë dhe se vendi fizik i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedime.

Trump: Marrin miliarda USD nga ne dhe votojnë kundër

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërpresë ndihmën financiare ndaj vendeve që mbështesin një rezolutë të Kombeve të Bashkuara kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit. Pas deklaratës së Trump ku njohu zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit mori një serë kritikash dhe kundërshtimesh nga liderë të shumtë nëpër botë. Por duket se Trump është i vendosur dhe jo vetëm kaq, pasi ai kërcënon hapur duke thënë: “Ata marrin miliarda dollarë dhe më pas votojnë kundër nesh. Le të votojnë kundër nesh, vetëm sa do të kursejmë më shumë, nuk na intereson fare”.
Tirana zyrtare ka një paralajmërim zyrtar dhe të drejtpërdrejtë nga qeveria Trump për votën në OKB në lidhje me Jeruzalemin.
Vota shqiptare në OKB rreth propozimit të SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, do të ketë pasoja direkte në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Të paktën, ky përfundim del nga një letër që ambasadorja e SHBA-së në këtë organizatë, Nikki Haley u ka dërguar delegacioneve të vendeve të ndryshme, përfshirë ato europiane, në të cilën diplomatja e shpreh qartë se, çfarë do të thotë një “Jo” ndaj propozimit të Donald Trump.
“Do të raportoj te Presidenti i SHBA-së emrat e të gjithë atyre që mbështesin një draft rezolutë që hedh poshtë lëvizjen e SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Trump e ka marrë personalisht këtë çështje”, citon “The Guardian”, e cila komenton letrën e ambasadores së SHBA-së.
“Ndërsa konsideroni votën tuaj, ju inkurajoj që ta dini se Presidenti dhe SHBA do të marrë këtë votë personalisht. Presidenti do ta vëzhgojë këtë votë me kujdes dhe më ka kërkuar që të raportoj për ata që votojnë kundër nesh”, vijon letra e Haley.
Një mesazh i qartë dhe i prerë, pa asnjë ekuivok dhe marzh manovre për çdo vend, të cilit i kërkohet ta shikojë votën për Jeruzalemin nën metrin si politikë pro apo antiamerikane. Haley bën disa nënvizime që duket sikur shkojnë drejtpërdrejt për Shqipërinë.
Në OKB na është kërkuar përherë të bëjmë dhe japim më shumë. Kështu që kur ne marrim një vendim, me vullnetin e popullit amerikan, rreth faktit se ku do të caktojmë vendndodhjen e ambasadës sonë, ne nuk presim që ata që kemi ndihmuar të na dalin kundër. Të enjten do të ketë një votë që kritikon zgjedhjen tonë. SHBA do të mbajë shënim emrat, thekson Haley.
Sesioni i Jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të mbahet të enjten dhe aty do të shprehen me votë të 193 anëtarët e saj. Mes tyre edhe Shqipëria, e cila për çështjen e Jeruzalemit është shprehur qoftë përmes pjesëmarrjes në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ashtu edhe përmes një prononcimi të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, sipas të cilit pozicioni për Jeruzalemin nuk ndryshon.

Paralajmërimi i Haley

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Nikki Haley, paralajmëroi përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbajë shënim emrat, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të mblidhet sot në një sesion të rrallë emergjence për të shqyrtuar rezolutën që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Zonja Haley tha se, Presidenti Trump i ka kërkuar që ajo t’i dorëzojë një raport mbi vendet, të cilat votojnë kundër Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump njoftoi më parë këtë muaj se, Uashingtoni do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë përgatitjet për të ndërtuar atje një ambasadë të re. Vendimi shënon një ndryshim në politikën e Uashingtonit për Izraelin.
Njoftimi i zotit Trump u ndesh të hënën me një nismë brenda Këshillit të Sigurimit për miratimin e një rezolute ku theksohet “keqardhja e thellë për vendimet e fundit lidhur me statusin e Jeruzalemit”.
Katërmbëdhjetë nga të 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të projekt-rezolutës, ndërsa Shtetet e Bashkuara përdorën fuqinë e vetos për ta bllokuar miratimin e saj.
“Ajo që pamë sot këtu në Këshillin e Sigurimit është një fyerje dhe nuk do të harrohet”, tha Nikki Haley, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB.
Zonja Haley tha dje se, Presidenti Trump i ka kërkuar që t’i dorëzojë një raport mbi ato vende, të cilat do të dalin kundër Shteteve të Bashkuara në sesionin e së enjtes.
Izraeli e shikon tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.

Exit mobile version