Plehrat, 20 milionë euro për impiantin e vdekjes në Fier

Ish-Kryeministri Berisha vlerësoi dje në Parlament protestat e qytetarëve kundër importit të plehrave, ndërsa i bëri apel shoqërisë që të mos lejojë instalimin e mafies së plehrave. “Protestuesit zbardhën një natë në të ftohtë për të bërë një thirrje, një apel e një kushtrim mbarë qytetarëve të vendit: të mbrojmë shëndetin dhe jetën tonë dhe të fëmijëve tanë, të mos pranojmë që kjo qeveri, për lidhjet e saj të dokumentuara mafioze, të cilat i paraqita para një jave me dokumente, me mafien italiane të shndërrojë Shqipërinë në megapellgun e plehrave të Italisë dhe më gjerë.
Politika e shndërrimit të Shqipërisë në megapellgun e plehrave është një politikë jashtëzakonisht e rrezikshme që kërcënon në mënyrë thelbësore jetën e shqiptarëve. Dhe marrëveshja e importit të plehrave, futja në trajtimin e plehrave të Tiranës të kompanive të Ndraghetës janë vetëm disa aspekte. Aspekte të tjera po kaq makabre zhvillohen në heshtje, në sekret njësoj si në shpellat mafioze në këtë qeveri”, tha Berisha.
Ai ka denoncuar aferën e pistë dhe korruptive të inceleratorit të Fierit, një aferë që kap shifrën e 20 milionë eurove dhe rezulton se do të paguhet me paratë e shqiptarëve, ndërsa efektet e tij do të jenë vrastare për banorët e zonës për shkak të sëmundjeve që do të përçojë tek njerëzit.
“Çfarë ndodh me inceleratorët? Shkoni në Fier. Pa pyetur asnjëri, në Mbrostar kërkojnë t’u bëjnë gjëmën, t’u kallin datën. A e dini si është bërë tenderi i inceleratorit në Fier? Nëse keni ndjenjat më minimale njerëzore për fëmijët e Fierit, ju o deputetë socialistë merreni e shiheni tenderin se si është bërë, si është hapur. Tenderi është hapur se kush do të ndërtojë inceleratorin, pa asnjë lloj kushti. Çfarë po ndodh tani? Tani inceleratorët e përdorur për 30-40 vite, që të gjitha, teknologjitë më të reja të djegies, të cilat janë në përdorim, i kanë nxjerrë jashtë përdorimi, i kanë nxjerrë në skrap. Ky skrap po vjen falas në Shqipëri dhe tenderi prej 20 mln eurosh, i shpallur si fond për inceleratorin është shpallur 20 milionë vjedhje, se atë ta bëjnë dhuratë falas dhe të tillë në Europë ka me dhjetëra sot. Po ne duhet të vjedhim 20 milionë dollarë nga buxheti, për të blerë një të tillë për privatin. A ka kufi, a ka normë dhe etikë ky njeri që s’bën asgjë tjetër veçse pasurimin e tij? Ky njeri, i cili nga mëngjesi deri në darkë përdor mediat dhe mendon se me koprolalinë dhe llogorenë e tij të neveritshme do të mund të mbulojë këto vjedhje monstruoze. Me shifrat që shpik, me elif matrakë mendon se do të mund të gënjejë shqiptarë”, tha Berisha.

Exit mobile version