Nushit, koncesioni tjetër 5 milionë euro i laboratorëve

Ish-Kryeministri ka paralajmëruar se beteja me fondet e vjedhura të check up-it do të jetë një betejë për jetë a vdekje. Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro që ndahen mes Ramës, Beqes e Vilma Nushit në bazë të listave false të individëve që rezultojnë të kenë kryer check up-in, por që nuk bëhen publike.
“Regjistrimet tregojnë 19 mijë qytetarë, të cilët u shpallën se u janë bëra analizat, check up, ishin të vdekur. A e kuptoni që karriget tuaja qëndrojnë mbi mashtrimet mbi të vdekurit, mbi përdhosjen e tyre? Përdorni edhe të vdekurit për të vjedhur. 19 mijë të vdekur në regjistrat e ndrikullës vampire, që me kushërirën vampire pijnë gjakun e të sëmurëve shqiptarë. 150 mijë të tjerë s’kanë bërë kurrë check up.
Sot për çdo shqiptar shpenzimet për shëndetësinë janë më të ulëta se 15-20 vitet e fundit. Nga 250 dollarë që janë, 130 dollarë janë të qytetarit në buxhet, kurse këto të buxhetit i merr ndrikull Nushi e kumbar Rama dhe mbushin regjistrat me emra të vdekurish. Tani dalin e thonë se nuk e japin regjistrin.
Unë ja u them këtu se, kjo do të jetë një çështje beteje për jetë a vdekje. Mos mendoni se mund të mbani të dhënat, se në mënyrë absolute tolerancë zero do të ketë nga opozita nëse ju guxoni të mendoni të fshihni të dhënat, kaq ju them, provojeni. Se na ka nxjerrë atë perversin që i futën kallëpin te Kryeministria dhe thotë janë të dhëna personale, domethënë të vjedhin për të dhëna personale. Unë i them Kuvendit që ta garantojë funksionimin normal, përndryshe do të marrim qëndrimet më të merituara ndaj këtij qëndrimi”, tha Berisha.

Afera e re me laboratorët

Ish-Kryeministri Berisha ka denonduar se pas një koncesioni tjetër që parashikohet të jepet gjatë ditëve të ardhshme qëndron sërish Vilma Nushi. “Ju po vidhni haptaz, por fshehje vjedhjesh ne nuk u lejojmë. Tani kaluat tek analizat. U premtuat shqiptarëve se do të kemi shërbim shëndetësor falas. Sot shërbimi shëndetësor është më i kushtueshëm se kurrë në Shqipëri. Sot 50% e shërbimeve janë pagesa direkte të qytetarëve shqiptarëve. Sot jo vetëm që nuk u hoqën sigurimet shoqërore, sikurse premtuat ju, por ato mbetën siç ishin me tendencë për rritje. Dhe tani, një vjedhje e paimagjinueshme.
Një muratori i dhatë sterilizimin!
Një magaziniereje apo ndrikull Nushit doni t’i jepni laboratorët! Nuk gënjehen shqiptarët, lëreni ç’thotë ky, se Rama është nastradin, nuk ka respekt për veten e tij, kujton se duke shqipëruar në çdo fjali një gënjeshtër kujton se kalon lumin.
Ka tre ditë që rreh gjoksin për partneritetin publik privat në shëndetësi. Do t’i them njeriut që është tmerrësisht deficitar se kur erdhëm në pushtet, në Shqipëri merrnin shërbimin e dializës vetëm 46 qytetarë. Të tjerët ose gjenin mik dhe mundësi në Janinë ose në Strugë ose vdisnin. Nuk kishin ata asgjë tjetër! Nga 46, numri i të sëmurëve që morën shërbimin e hemodializës, pas firmosjes së partneritetit publik privat arriti në 640!
Mirëpo njeriu as nuk skuqet e as nuk zverdhet! Se e di që këtu nuk ja pret kush fjalën dhe vazhdon. Ne e shpikëm këtë thotë. Që ta dini ju, me të njëjtin çmim e bënte kompania, por e bënte në lokalet e veta. Tani e bën me të njëjtin çmim, por në lokalet e shtetit! Pra, të paktën aq sa është qiraja, 25% më shtrenjtë. Apo doni ta kapërceni me mashtrime këtë, doni t’i kapërceni dështimet me mashtrime?”, tha Berisha.
Duke kundërshtuar dhënien me koncesion të laboratorëve, Berisha tha se nuk ka asnjë vend në botë që këtë shërbim ta japë me Partneritet Publik Privat. “Nuk ka asnjë në botë që shërbimin qendror të laboratorëve ta privatizojë. Nuk është se janë në nivelin më të lartë, por duhet të dini se në fushën e laboratorëve, në aparatura, në specialistë, në kualifikime janë investuar dhjetëra e miliona USD. Kam respektin më të madh për shërbimet private në spitalet private, por i garantoj qytetarët se laboratorët shtetërorë janë laboratorë seriozë, drejtohen nga njerëz seriozë, nga laborante serioze, të cilat nuk kanë asnjë lloj interesi tjetër përveç saktësisë, nuk kanë interes për të regjistruar analiza falso, nuk bëjnë check up-e falso, kanë interes vetëm reputacionin dhe ndihmën e të sëmurit.
Por Partneritetin Publik Privat në laborator, përveç disa vendeve në Afrikë, e futi në një spital të vetëm dhe Britania e Madhe, në një spital të vetëm në Shën Thomas. Lexoni pak ‘The Guardian’ çfarë thotë për këtë. 400 incidente janë bërë. Dështim i plotë thotë! Po ç’na duhet neve? Neve na duhet të vjedhim!
Në 8 vite qeverisje ka patur vetëm një koncesion, në të cilën buxheti juaj kalonte për shërbim privat dhe kjo ka qenë hemodializa dhe asnjë tjetër. Kurse deri sot janë mbi 2 miliardë euro borxhe dhjetë vjeçare të buxheteve tuaja. Në një vit 19 të vdekur, prisni ju në vitet e ardhshme. Të gjitha do të jenë shpenzime për ata që s’janë më ose gjysma e tyre. Po pse? Sepse paguajnë ministrin, paguajnë kryekumbarin dhe kaq është e gjithë puna.
Tani na nxjerrin argumentin se këta na bëkan 70 e ca analiza kundrejt pafundësisë që bën privati. Unë këtu do të sqaroj dy gjëra. Së pari, analizat sot, po bleve mjetet më moderne, i bën pafundësisht sa të duash. Po së dyti, në rast se zemra ka 200 tregues të punës së saj dhe në vendet më të avancuara nuk përdoren më shumë se 20-30 prej tyre. Të tjerat janë teorike dhe i përdorin ata, të cilët bëjnë studime thelbësore të avancuara, por jo praktika e përgjithshme mjekësore. Ju doni të fusni paratë në këto. Ta dini mirë se kurrë s’do të pranohet një gjë e tillë. Vjedhje dhe vetëm vjedhje”, tha Berisha.

Exit mobile version