Manipulimet, procesverbalet e Tiranës nuk përputhen me votat brenda në kuti

Shpëtim Idrizi ka folur në KQZ lidhur me ankimin e PDIU-së për të rinumëruar votat e disa kutive në Tiranë. Idrizi tha se në të gjitha kutitë e Tiranës, procesverbalet nuk përputhen me votat brenda në kuti. Kreu i PDIU-së theksoi se gjatë procesit të numërimit të votave është tjetërsuar vullneti i shqiptarëve. “Unë ju sfidoj të gjithëve, që nëse hapen kutitë e Tiranës dhe nëse arrini të gjeni një që përputhet me procesverbalet. Votat e pavlefshme janë ndarë mes subjekteve zgjedhore. Kemi mbajtur shënim edhe votat e partive të tjera. Në 90% që ne kontestojmë, kemi patur numërues vetëm në 10% të tyre. Në ato qendra ku PS kërkon rinumërim, ne kemi patur numërues vetëm në dy prej tyre. Rastet tregojnë se në procesin e numërimit është tjetërsuar vullneti i shqiptarëve”, u shpreh Idrizi. Shpëtim Idrizi kërkon të marrë mandatin në Tiranë, të cilin e humbi për pak vota. Disa pamje të regjistruara në kohë reale teksa numëroheshin votat për Qarkun e Tiranës dëshmojnë se si votat e 25 qershorit, jo vetëm janë blerë, por edhe janë vjedhur masivisht. Në video shfaqen pastër dy numërues votash të Partisë Socialiste, të cilët kalojnë votat e subjekteve të tjera në favor të PS. Në rastin konkret bëhet fjalë për PDIU. Numëruesit pasi nxjerrin votat nga kutia dhe i vendosin ato para monitorit të ekranit, heqin veçmas votat e subjektit PDIU dhe gjatë vijimit të numërimit, duke shtuar votat në favor të PS, marrin dhe votat e vendosura veçmas duke i shtuar po tek votat e grumbulluara nga PS. Një truk hileqar në fakt, ku për shkak të vendosjes së votave mënjanë, vjedhja që bëhet në pamje të parë nuk kuptohet. Rasti në fjalë, nuk është një rast i izoluar, por dëshmi se si është vepruar në çdo kuti numërimi në të gjithë qendrat e numërimit të votave në të gjitha qarqet e vendit. Vetëm nga vjedhja e votave të PDIU në Tiranë, PS arriti që t’i rrëmbente këtij subjekti politik një mandat deputeti. Fenomeni i vjedhjes së mandateve është përhapur masivisht po aq sa edhe blerja masive e votave. Ndërsa blerja e votave u faktua nga denoncime të shumta të qytetarëve, zyrtarisht edhe nga vëzhguesit e misionit të OSBE/ODIHR, të tjera fakte dëshmojnë se si vullneti i shqiptarëve u tjetërsua dhe votat u vodhën duke prodhuar një rezultat të manipuluar që nuk dëshmon për vullnetin e qytetarëve. Janë rreth 19 video, të cilat tregojnë se votat e subjekteve të tjera politike kalonin nga numëruesit e PS në favor të kësaj force politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi me shtatë vota pro që të hapë kutitë e votimit ku PDIU pretendon të marrë mandatin e Shpëtim Idrizit apo do t’i takojë Partisë Socialiste. Pasi u ra dakord mes palëve për kutitë që do të hapen, KQZ vendosi njëzëri që ato do të hapën sot në ora 10.00 dhe administrata e KQZ-së duhet të bëjë gati kutitë për rinumërim e votave.

Exit mobile version