Frikë nga Shkëndija

Grupet e Europa Leagues kalojnë nga Shkëndija e Tetovës për Milanin. Këtë të enjte 7 herë kampionët e Europës do të sfidojnë kuqezinjtë tetovarë në sfidën e parë play off që do të luhet në stadiumin “San Siro”. Trajneri i Milanit, Vincenzo Montella nuk i zë aspak besë Shkëndijës, duke e vlerësuar maksimalisht skuadrën shqiptare që luan në kampionatin maqedonas.
“Çfarë vështirësish do të hasim ndaj Shkëndijës? Ata kanë luajtur më shumë ndeshje zyrtare se ne dhe kanë kaluar tri raunde për të mbërritur deri këtu. Në ndeshjen e fundit kanë mundur kampionët në fuqi të Maqedonisë dhe janë në një formë të shkëlqyer. Kanë futbollistë me talent në repartin e avancuar dhe janë të paparashikueshëm. Shkëndija është një skuadër europiane shumë e përgatitur taktikisht. Megjithatë gjithçka varet vetëm nga ne. Ata janë të përgatitur, por ne duhet të mendojmë vetëm për paraqitjen tonë. Nuk jam dakord që çështja e kualifikimit duhet të zgjidhet që në ndeshjen e parë. Se cila skuadër do të avancojë më tej do të vendoset në sfidën e kthimit, në Europë duhet të luash me shumë kujdes”, u shpreh Montella.
Përsa i përket formacionit Montella zbuloi se më shumë gjasa në sulm do të luajë Andre Silva, ndërkohë që foli me superlativa edhe për të riun Cutrone. Trajneri i hapi dyert e kuqezinjve bomberit kroat Nikola Kaliniç, i cili mund të jetë goditja e Milanit në sulm. “Andre Silva kërkon të vihet menjëherë në evidencë, por ja kam bërë të qartë se duhet t’i marrë gjërat me qetësi, ka cilësi të jashtëzakonshme dhe jam i sigurtë se do të ketë një të ardhme të ndritur te Milani. Cutrone është në një formë të jashtëzakonshme dhe duhet të dijë t’i menaxhojë siç duhet forcat. Kush do të luajë në sulm? Dua që Andre Silva të luajë sepse kështu mund të përshtatet dhe të fitojë besimin e publikut, por mund të luajnë edhe të dy pra, Silva dhe Cutrone. Kaliniç? Nuk e di nëse do të vijë, por është një futbollist funksional për lojën e Milanit”, tha ai. Ndaj Shkëndijës Milani do të ketë dy mungesa të rëndësishme, mesfushorin Lucas Biglia dhe mbrojtësin Alesio Romagnoli.
Ky sezon ka nisur në mënyrë fantastike për Shkëndijën e Tetovës që pasi kaloi tri ture në Europa League për të dytin vit radhazi, i bëri edhe një fillim të shkëlqyer kampionatit maqedonas duke mposhtur në javën e parë me shifrat 2-0 rivalët për titull të Vardarit të Shkupit. Edhe pse bëhet fjalë për një emër shumë të madh, Armend Alimi dhe Ardian Cuculi përcjellin qetësi përpara sfidës së parë të play off-it të Europa League.
Milani në letër të tremb, por sipas 30-vjeçarit edhe futbollistët e Shkëndijës kanë eksperiencën e nevojshme për të përballuar me sukses sfida të tilla. Ndaj Milanit në “San Siro” Armend Alimi ëndërron një tjetër gol si ai ndaj Vardarit edhe pse mesfushori 29-vjeçar vë në plan të parë paraqitjen e skuadrës. Edhe pse është shumë inferiore krahasuar me Milanin, Shkëndija nuk ka shkuar për turizëm në Milano dhe për Armend Alimin dhe Ardian Cuculin, kuqezinjtë shpresojnë të largohen me një rezultat të mirë nga “San Siro”.

Exit mobile version