Diego Costa do largohet nga Chelsi

Shtohet lista e skuadrave të La Ligas që janë të gatshme t’i vijnë në ndihmë Atleticos së Madridit për Diego Costën. Sulmuesi i përfaqësueses spanjolle, i cili është nxjerrë jashtë skuadre i ka shpallur luftë Chelsit dhe dëshiron vetëm rikthimin te Los Colochoneros. Por për faktin se Atletico nuk mund të firmosë me asnjë futbollist në këtë merkato, bardhekuqtë janë gati ta blejnë sulmuesin e kombëtares spanjolle dhe të huazojnë deri në janar në një ekip tjetër të Primeras. Deportivo la Coruna është një nga skuadrat e interesuara për të patur shërbimet e Diego Costës në pjesën e parë të sezonit dhe me sulmuesin Atletico mund të bëjë të njëjtën gjë siç bëri me Vitolon që e huazoi te Las Palmas.
Carlos Bacca është zyrtarisht sulmuesi më i ri i Villarealit. Nëndetësja e verdhë i uroi mirëseradhjen bomberit kolumbian, i cili te Villareali do të marrë vendin e lënë bosh nga Roberto Soldado dhe do të mbajë veshur fanellën me numër 9. Pas 2 sezoneve Bacca la Milanin, ndërsa në Spanjë ai është transferuar në formë huazimi me të drejtë blerjeje nga ana Villarealit në përfundim të sezonit për një shifër të përafërt me 15 milionë euro.
Kevin Prince Boateng largohet zyrtarisht nga Las Palmas. Mesfushori ganez ka prishur me konsensus kontratën që e lidhte me klubin nga Ishujt Kanarie edhe për tre vitet e ardhshme. Për motive personale Boateng ka vendosur të mbyllë përpara kohe aventurën e tij me Las Palmas-in. Ai do të rikthehet në Bundesligë dhe destinacioni i ri i Kevin Prince Boateng pritet të jetë Eintracht Frankfurt.
Tjetër huazim për Jese Rodriguez-in. Pasi luajti në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar te Las Palmasi në Spanjë, Paris Saint Germain e ka huazuar sërish sulmuesin spanjoll. Jese Rodriguez është transferuar për një sezon te Stoke City në Premier Leaugue. Lojtari pëlqehej edhe nga Fiorentina, por në fund ka zgjedhur të kalojë në ishull.
West Ham nuk dëshiron të ndalet në këtë merkato. Pasi firmosi me dy lojtarë shumë të njohur si Marko Arnautoviç dhe Javier Hernandez skuadra londineze kërkon të bëjë goditjen e madhe në këtë merkato. West Hami po bën gati një ofertë prej 45 milionë eurosh për mesfushorin e Sportingut të Lisbonës, William Carvalho, i cili pëlqehet shumë nga trajneri Slaven Biliç.

Exit mobile version