Fitore për vendin e 3

Ndaj Izraelit në transfertë Shqipërisë i duhet patjetër fitorja për të shpresuar te vendi i tretë dhe në këtë kontekst kuqezinjtë duhet të jenë më efektivë para portës për të arritur objektivin e mbetur në Grupin G eliminator të Rusi 2018. Në miqësoren me Luksemburgun ai që e dërgoi topin në rrjetë ishte Odise Roshi, një futbollist shumë i rëndësishë për skemat e De Biasit, i cili luan në disa pozicione në fazën sulmuese. Megjithatë për 26-vjeçarin më i preferuar mbetet ai i mesfushorit të djathtë.
“Luaj pothuajse në çdo pozicion, mesfushor i djathtë, i majtë, në sulm. Besoj se pozicioni im i preferuar është mesfushor i djathtë. Gjithmonë kur kam qenë i vogël kam luajtur sulmues, por kur u bëra futbollist profesionist, luajta mesfushor i djathtë. Kur je sulmues është më mirë dhe ke më shumë shanse për të shënuar”, u shpreh Roshi.
Humbja me Luksemburgun sipas Roshit nuk duhet ta dramatizohet pasi edhe ekipe më të forta janë ndalur nga ky kundërshtar, ndërsa për mënyrën sesi duhet të rreshtohet Shqipëria, me skemën 3-5-2 apo 4-1-4-1, futbollisti i Terek Groznit në kampionatin rus komentoi.
“Edhe ekipe më të mëdha kanë humur. Ndaj Luksemburgut kishim tre-katër shanse për ta mbyllur ndeshjen. Pastaj sikur u liruam pak dhe pësuam dy gola. Ne kemi ecur më mirë kur kemi luajtur me një sulmues, por ka raste kur duhet të luash edhe me 2. Kjo është në varësi të kundërshtarit. Ka shumë skema që kemi aplikuar në stërvitje, pak e vështirë sepse Izraeli ka ekip të mirë, por besoj se ne jemi më lart”, tha ai.
Nëse Shqipëria fiton me Izraelin, Roshi është i bindur se do të harrohet ecuria negative e ndeshjeve të fundit. “E kam ndjekur Izraelin në ndeshjet me Maqedoninë dhe Italinë. Luajnë mirë në të dyja fazat. Ne duhet të japim maksimumin dhe nëse marrim fitoren shumë humbje që kemi bërë shumëzohen me zero. Përqendrimi është më i rëndësishëm në futboll, ndan suksesin me humbjen. Shqipëria arriti në një nivel ku nuk kishte qenë kurrë. Të gjithë çunat e kanë ndoshta mendimin që kemi rënë cilësisht, por duhet të jemi më të përqendruar ndaj Izraelit. Harmoni duhet të ketë gjithmonë në skuadër, edhe nëse humbim duhet të jemi më të qeshur për t’u kthyer te fitorja. Nuk kemi probleme, skuadra do të rinovohet vit pas viti sepse do të vijnë elementë nga shpresat”, tha Roshi. Nga ecuria e kombëtares te sezoni pozitiv me Terek Groznin, ku pjesëmarrja në Europa League u humb për vetëm një pikë.
“Tereku ka bërë një vit shumë të mirë, objektivi ynë ishte Europa, por në fund hyri Krasnodari në vendin tonë. Vendi i 5-të ishte rekord. Këto ndeshjet e fundit kemi marrë rezultate shumë të mira”. Roshi zbulon në fund se është në komunikim të vazhdueshëm me Bekim Balajn, i cili mbeti jashtë listës për arsye dëmtimi. “Normale që më mungon Balaj. Kam qëndruar gjithmonë me të. Komunikojmë herë pas here. I mungon grumbullimi me skuadrën”, përfundoi Roshi.

Exit mobile version