Diego Costa: Conte nuk më do te Chelsi

I larguar me një mesazh, pa paralajmërim. Pasi ishte protagonist në fitimin e Premier League me 20 gola të shënuar, Diego Costa ndahet me Chelsin. Raporti është prishur përfundimisht nëse gjykohen fjalët e vetë sulmuesit pas ndeshjes së Spanjës me Kolumbinë. “Conte sapo më dërgoi një mesazh ku shkruhej se nuk bëj më pjesë në planet e tij, ndaj kërkon që unë të shitem”.
Fjalë që duket se sanksionojnë lamtumirën. Destinacioni më i preferuar për lojtarin duhet të jetë Atletiko e Madridit, por Los Colchoneros kanë merkaton të bllokuar nga FIFA. “Është e qartë që do të më pëlqente të kthehesha te Atletiko e Madridit, do të ishte diçka e mrekullueshme pasi e dua atë klub, por është vërtet e komplikuar që të qëndruar 4-5 muaj pa luajtur, kjo edhe pasi ky është viti që i paraprin Botërorit, ndaj më duhet të reflektoj shumë për të ardhmen”, u shpreh Diego Costa.
Diego Costa në kërkim të një skuadre, ndërkohë që zhgënjimi për mënyrën e ndarjes me Chelsin është vërtet i madh. “Pas gjithë atyre që kam bërë për Chelsin, Conte më nxori jashtë me një mesazh. Tani më duhet të kërkoj një skuadër për të luajtur. Nëse trajneri yt të thotë që nuk të do më, çfarë mund të bësh. Të mbetet vetëm të ikësh. As nuk më telefonuan, isha unë ai që i ridërgova klubit mesazhin e Contes. Tani Chelsi do të më shesë, e madje me një çmim okazioni”, tha ai.
Sulmuesi e ka të vështirë për të shpjeguar vendimin e trajnerit italian, e madje përdor edhe ironinë. “Përse Conte nuk më konsideron të nevojshëm? Nuk e di, mbase kam bërë një sezon të keq”, përfundoi Costa.
Diego Costa mbetet në kërkim të një skuadre, ndërkohë që menjëherë pas deklaratave të tij në Itali kanë nisur të flasin për interesimin e Milanit që është në kërkim të një qendërsulmuesi.

Exit mobile version